REKTORI I UNIVERSITETIT TE TIRANES, DHORI KULE (MAJTAS) FAKSIMILE E DEKLARATES SE PASURISE SE REKTORIT TE UT
Deklarata e pasurisë. Pagesat mujore nga bordet, të barabarta me pensionin e vjehrrës për një vit.
Të ardhurat e rektorit 3700 USD në muaj, më shumë se Presidenti.
Dhori Kule duhet të hyjë në rekordet “Guiness” të aftësive. Gazeta zbardh sot deklaratat e pasurisë së rektorit të Universitetit të Tiranës dhe zbulon se Kule, krahas pagës si rektor dhe pedagog, paguhet nga paratë e qytetarëve shqiptarë si anëtar në shtatë borde. Nuk janë pak. Vetëm në deklaratën e vitit 2012, nga pagesat e bordeve Kule ka marrë 1 840 430 lekë, ose rreth 18 mijë USD. Këto vetëm si anëtar bordesh. Pagesa e aftësive të Kules shtohet edhe me pagën vjetore prej 1 886 548 lekë si rektor i Universitetit dhe 815 400 lekë si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë. Në total, pagesa vjetore e Kules ka arritur shifrën rekord prej 4 542 414 lekësh, ose rreth 378 000 lekë në muaj (rreth 3700 dollarë). Të ardhurat e Kules i kalojnë edhe ato të Presidentit dhe Kryeministrit. Me ligj, paga mujore e Presidentit eshte 255 mijë lekë në muaj, pra rreth 1200 USD më pak se sa merr Kule. Anëtar në shtatë borde
Dhori Kule nuk është vetëm rektori i Universitetit dhe pedagog i Fakultetit të Ekonomisë. Kule gjen kohë që, përveç problematikave të Universitetit të Tiranës dhe përgatitjes për të dhënë mësim në Fakultetin e Ekonomisë, të jetë edhe nënkryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual, Durrës. Për këtë punë Kule paguhet 624 600 lekë në vit. Por, edhe pas kësaj detyre, Kule gjen kohë të diskutojë dhe të kryesojë mbledhjet periodike të Këshillit të Statistikave. Rektori është kryetar i Këshillit të Statistikave dhe për këtë detyrë të re paguhet 126 252 lekë. Por sërish rektori ka kohë. Ai paguhet për çdo mbledhje të Këshillit të Qarkut Tiranë. Si anëtar ai paguhet për mbledhjet e Këshillit 76 500 lekë. Së fundi, në deklarimin e pasurisë së Kules del edhe një tjetër institucion. Rektori është edhe anëtar i Bordit të Autoritetit Kombëtar të Teknologjisë së Informacionit dhe paguhet 196 625 lekë në vit. Pozicioni si rektor e bën Kulen edhe anëtar në dy borde të tjera, atë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Këshillit të Vlerësim të Titujve Akademikë. Pjesëmarrja e tij në këto dy borde kushton 327 528 lekë pagesë vjetore. Pagesa e Kules shtohet sërish. Këtë radhë, i zgjedhur me votim politik si anëtar i Këshillit Bashkiak, ku pjesëmarrja në mbledhjet e Parlamentit të Tiranës i shton atij edhe 76 500 lekë, kjo për vitin 2011, ku kishte zgjedhje dhe nuk kishte shumë mbledhje. Së fundi, Parlamenti Shqiptar e zgjodhi Kulen edhe anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Pagesa në Bankë shkon 342 225 lekë në vit. Për ta bërë më të thjeshtë, rektori i Universitet të Tiranës gjatë një viti gjen kohë të zgjidhë problemet e Arsimit, të japë mësim në Fakultet dhe, përveç këtyre, pjesën tjetër të kohës e shpenzon duke diskutuar dhe votuar për vendimmarrjen e shtatë institucioneve të tjera. Koha është flori, dhe në këtë rast, superaftësitë e Kules u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë 4 542 414 lekë në vit. Nga këto, vetëm si pjesëmarrës në borde dhe këshilla, taksapaguesit i japin rektorit 1 840 430 lekë në vit. Mesatarisht Dhori Kule paguhet nga shteti shqiptar 378 000 lekë në muaj. Nga këto, 153 369 lekë në muaj i merr vetëm si anëtar në shtatë borde. Për t’i bërë më të qarta superpagesat e Kules, mund të krahasohet me deklaratën e pasurisë së vjehrrës së tij. Në deklaratën e firmosur nga rektori theksohet se të ardhurat vjetore të vjehrrës nga pensioni janë 156 000 lekë në vit. Kaq para Kule i merr si anëtar bordesh vetëm në një muaj. Paradoksi qëndron në faktin se të ardhurat mujore të rektorit, për punën e tij si drejtues i Universitetit, janë mesatarisht 157 251 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore si anëtar bordesh dhe këshillash janë 153 369 lekë në muaj. Pra, gati të barabarta. Në vitin 2012, Kule ka deklaruar se ka kursyer 4.5 milionë lekë dhe ka blerë një apartament prej 78 mijë eurosh.
Të ardhurat e Kules Paga si rektor 157 251 lekë/muaj
Paga si pedagog 67 950 lekë/muaj
Pagesa nga 7 borde 153 369 lekë/muaj
Pensioni i vjehrrës 156 000 lekë/vit
Faksimile e deklaratës së pasurisëDeklaratat e pasurise se Kules nga 2008
NERTILA MAHO
—
10/07/2012
Hafizi: Dhori Kule bën tendera për llaç e tulla, Universiteti s’ka laboratorë
Flet pedagogia e Shkencave: Rektori nuk kthen përgjigje për investimet.
Akuzat e Hafizit: Bën tenderë për llaç e tulla, kur s’ka laboratorë.
Mimoza Hafizi
Tallje me tarifat e shkollimit të studentëve që jetojnë në limitet e mbijetesës. Mungesë totale transparence me investimet e fundit që Universiteti i Tiranës ka nisur në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Për Mimoza Hafizin, pedagogen e këtij fakulteti, por edhe kandidaten që garoi për të marrë drejtimin e UT në zgjedhjet e disa muajve më parë, rektori Dhori Kule nuk ka dinjitet profesional. Prej 15 vjetësh, sipas saj, është një nga ata drejtues që mban peng shkollën e lartë më të madhe në vend. Në intervistën për gazetën, Hafizi shkon edhe më tej, duke e akuzuar për marrjen e gradave dhe titujve shkencorë brenda ditës dhe mungesë të profilit akademik. Kanë nisur sërish punimet në njërën nga godinat e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të rikonstruktuar përpara 7-8 vitesh. Mendoni se ishte e domosdoshme kjo ndërhyrje, në një kohë kur Fakulteti nuk ka laboratorë?
Mendoj se e domosdoshme është marrja e opinionit të profesoratit të fakultetit, kur vendoset për këto lloj ndërhyrjesh madhore. Pedagogët janë burimi i të ardhurave nëpërmjet punës me studentët, përfshirja e tyre në vendimmarrjeje është akt i drejtë. Pedagogët njohin çdo detaj të veprimit mësimor e shkencor, përfshirja e tyre është akt i dobishëm. Pedagogët janë bashkësia më e kualifikuar intelektualist, përfshirja e tyre çon në investime efikase. Në rastin konkret, po të ishin pyetur pedagogët, investimet e reja s’do kishin mbivendosur të mëparshmet, siç po na shohin sytë. Pedagogët do kishin zgjedhur laboratorët. Ka edhe diçka që më vret shumë në rastin që ju më pyesni. E di sa të vështirë e kanë disa studentë për të paguar tarifën e shkollimit, ndërsa familjet e tyre ndodhen në limitet e mbijetesës. Studentja ime e heshtur dhe ëndërrimtare Moni, në vitin e fundit Master Mësuesi, studion në Tiranë me pensionin e babait në Memaliaj. Si mund të shpërdorohet buxheti që mbushet me paret e saj? Këto që rreshtova më sipër ishin për vendimmarrjen. Kurse transparenca e shpenzimeve është detyrë e pashmangshme. Keni kërkuar informacion në Universitetin e Tiranës për këto investime?
U bënë 2-3 javë që jam vënë në të gjitha komunikimet e mundshme brenda universitetit, duke kërkuar transparencë për investimin në fjalë. Pyetjet e mia janë fare të thjeshta: Çfarë do ndërtohet? Sa kushton zë për zë? Cili është burimi i financimit? Përgjigjet koncize nuk do zinin më shumë se një faqe. Nuk i dua vetëm për vete këto përgjigje, ua kam premtuar kolegëve rrotull meje, që të dinë se ç’ndodh me fakultetin e tyre, me buxhetin e tyre. Ende nuk i kam përgjigjet. Kjo s’më cenon vetëm mua, por gjithë kolegët e mi, kontributorë në UT. Reagimi im nuk çudit askënd, unë vetëm para pak muajsh garova për rektore me moton: Transparencë! Dhe sigurisht që s’do heshtja kur në vendin tim të punës vijnë njerëz me kazma e vare, dhe askush nuk tregon se çfarë do të ndodhë. Është më e pakta që po bëj! Ju keni garuar përballë rektorit aktual Dhori Kule. Gjatë fushatës, shtabi juaj elektoral hodhi një serë akuzash për favorizime të tij si kandidat, madje u raportuan edhe disa incidente. Tani që zgjedhjet kanë përfunduar, a e gjykoni të pastër dhe të barabartë garën mes jush?
Gara ka qenë tepër e pabarabartë, ashtu siç pritej, me një kundërshtar që e mbajti pa lëshuar postin e rektorit edhe gjatë fushatës. Fushatë që filloi vetëm pak ditë nga miratimi me ngut i ligjit parlamentar, për t’i dhënë rektorit të drejtën e rikandidimit. Megjithatë, unë ia dola të komunikoja mjaft nga idetë e mia, duke kapërcyer me vështirësi murin mediatik; arrita të takoja edhe një pjesë të profesoratit nëpër fakultete, duke çarë me mund embargon psikologjike. Dhe mora një numër të konsiderueshëm votash, çdonjëra shumë e dashur për mua, sepse barti mesazhin e njerëzve pa frikë, vizionarë e mendjehapur. S’pata asnjëherë rastin t’i falënderoj për besimin që më dhanë. Kam qenë para shumë vitesh zv.ministre e arsimit të lartë dhe rrjedha e çoi të isha protagonistja e ligjit të parë, ku u vendosën bazat e zgjedhjeve në universitete. Nenet e tij dhe të gjitha aktet shoqëruese nënligjore u shkruan në kompjuterin tim të asokohe. Bashkë me kolegët e mi të grupit hartues, kishim besimin e patundur se universitetet tona duhet të kalonin nëpër këtë rrugë demokratizimi drejt autonomisë dhe profilit europian. Tani më ndodh që me trishtim të kthej shikimin pas e të pyes veten: Çfarë bëmë keq në ato fillesa, që zgjedhjet universitare të degradojnë kësisoj? Si ndodhi që pas 15 vitesh, mediokriteti të marrë kaq shumë terren në drejtimin universitar? Duke e parë në syrin e pedagoges, por edhe të një kandidateje potenciale për të drejtuar Universitetin e Tiranës, si e shihni sot UT, pas 5 vitesh drejtimi nga rektori Kule, i cili sapo ka marrë mandatin e dytë?
Po vijoj me linjën akademike, me linjat e tjera të punës universitare jam marrë më gjatë në shkrime të tjera. Rektori aktual ka 15 vjet në postet më të larta drejtuese të UT, që nga viti 1997. Ai gjithashtu bën pjesë në atë grup të vogël stafi akademik, që hapin nga statusi doktor shkencash në profesor e bënë brenda një dite të vetme. Kështu, në harkun e 10 orëve kapërcyen punën akademike që të tjerët e realizojnë për shumë e shumë vite. Gjithmonë kam besuar se akte të tilla i vënë një kryq të madh përsipër dinjitetit profesional. Po ç’motive mund ta udhëheqin një profesor në karrierën e vet, atëherë kur akademizmi është rrëzuar? Ç’model mund të përcjellë te profesorati një drejtues pa profil akademik? Motivin e zhvlerësimit të titujve dhe gradave? Modelin e ngutjes e lutjes, si mjetet më të suksesshme për të avancuar në karrierë? Apo modelin e frikës e servilizmit? Jemi në vitin jubilar të 100-vjetorit të shtetit tonë, i cili s’duket aspak jubilar për Universitetin e Tiranës. Për ç’ka dalë në media këto ditë në lidhje me administrimin e tij, një sqarim publik e i sinqertë është akti i domosdoshëm në mbrojtje të dinjitetit universitar. Dhe transparencë për çdo qindarkë të harxhuar nga paret e studentëve tanë, ballë për ballë e sy më sy me secilin nga pjesëtarët e këtij universiteti. Në këtë 100-vjetor Universiteti i Tiranës duhet të ishte krenaria e parë e kombit shqiptar. Po druaj se askush s’do të mund ta thotë. Ndodhemi në një fazë tepër kritike, do dëshiroja të reflektojnë e të shprehen sa më shumë nga qindrat e personelit akademik të universitetit. Nga 30-vjeçarët me sytë drejt së ardhmes, te profesorët e nderuar që panë të hidheshin gurët e parë të themelit.
Kule mohon faktet e KLSH-së dhe akuzat e dekanes: Janë shpifje
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule
Rektori i Universitetit të Tiranës reagoi dje në lidhje një sërë abuzimesh të publikuara në media të ndryshme javën e fundit. Sipas tij, raporti i KLSH-së, apo akuzat e drejtpërdrejta të dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe një grupi pedagogësh janë të gjitha shpifje. “Nuk ka asnjë raport zyrtar për Rektoratin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit”, tha Kule. KLSH, në raportin e publikuar akuzon drejtpërdrejt institucionin e drejtuar nga Dhori Kule, për abuzim me fondet që janë shpenzuar për blerjen e makinave. Ai ka autorizuar blerjen e makinave të përdorura luksoze, duke shpenzuar të njëjtat para me të cilat mund të blihej një makinë e re. Po kështu, rektori i UT reagoi edhe në lidhje me akuzat e dekanes Klodeta Dibra, për largimin nga Departamenti i Gjuhës Angleze të 28 pedagogëve. “Edhe ky vendim është keqinterpretuar. Nuk ka largime nga puna. Pas kërkesave që fakultetet, Këshilli i Administrimit ka marrë vendimin që këta pedagogë të bëjnë jetën akademike pranë fakulteteve përkatëse”, tha Kule. Deputetët e opozitës reaguan në Komisionin Parlamentar të Medias për këtë çështje, duke e cilësuar këtë vendim shkelje të ligjit për arsimin e lartë. Në konferencën e djeshme, rektori i UT nuk pranoi asnjë nga këto akuza, të cilat janë të bazuara mbi dokumente dhe u referohen deklaratave konkrete.