Hado: Protestë në grafikë, paqe në pikturë

May 4, 2012 | 15:40

Abaz Hado

Zv.ministri hap një ekspozitë me piktura e grafika.

“Synimi im, krijimi i hapësirave legjislative, që favorizojnë krijimtarinë artistike”

Një biçikletë mbështetur pas murit, pastaj ca gra që mbledhin kallëza, një pemë gjelbëroshe që shpërthen çdo kornizë, thërrasin për t’u kujdesur më shumë për natyrën dhe pasuritë që kemi. Ndryshe nga të tjerët, Abaz Hado mund ta shprehë shqetësimin e tij qytetar përmes artit të tij.
Kësaj here ka ardhur në “Dy pjesë”, siç e quan ai ekspozitën e tij në grafikë e pikturë, hapur dje pranë “Tirana Business University”. Ndërsa në grafikë ngre zërin e protestës, në pikturë është më i paqtë. “Kam gjetur paqen me vete”, thotë ai. Në një intervistë, Hado flet për ekspozitën me 70 vepra, për menaxhimin e artit dhe synimet që i ka vënë vetes si zëvendësministër pranë Ministrisë së Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në ndihmë të kolegëve të tij.
Një ekspozitë në grafikë dhe pikturë dhe një simpozium për menaxhimin e artit, cila ishte ngasja?
Është puna e dy viteve. Vjen një moment kur e ndjen se do të thuash diçka dhe më pas t’ia thuash publikut. Jam përpjekur që gjithnjë të jem origjinal në komunikimin tim me publikun, duke zgjedhur mënyra që janë sa më pranë tij dhe nuk kërkojnë hapësira shumë të mëdha, luksoze, të cilat kam pasur mundësi t’i siguroj, por kam preferuar të jem sa më afër publikut, si në këtë rast në “Tirana Business University”, ku përgatiten menaxherët e ardhshëm të artit. Bashkë me ekspozitën, ne do të mbajmë dhe një simpozium mbi konceptin tonë për menaxhimin e artit. Pra, është një punë komplekse, jo vetëm për të prodhuar, por edhe që këto vepra arti të dimë t’i menaxhojmë që të shkojnë te publiku në mënyrë sa më dinamike.
Ju njohim më së shumti si grafist, por kësaj here sillni edhe punë në pikturë, çfarë ju hedh sa te njëra, te tjetra?
Si çdo krijues, edhe unë përjetoj momente të mira e të këqija, përjetoj problematikat aktuale, të cilat në grafikë janë më të drejtpërdrejta, më të forta dhe më simbolike. Ndërsa në pikturë unë kam shprehur ndjesitë e mia më të buta. Piktura është pasqyrimi i një momenti më të mirë shpirtëror, psikologjik. Si duket, jeta ka edhe ato momentet e veta të bukura në këtë vend problematik siç është Shqipëria.
Jeni më rebel në grafikë?
Mjetet shprehëse të japin më shumë mundësi të shprehesh në grafikë. Përmes saj mund të transmetosh në mënyrë më të drejtpërdrejtë problematika që lidhen me çështje sociale, si varfëria, mbrojtja e mjedisit, pse jo dhe homazhe për miq të dashur, kolegë që nuk jetojnë më.
Nuk janë të shumtë ata që lëvrojnë grafikën, përse?
Grafika nuk ka munguar në Shqipëri, por ndryshe nga vende të tjera të botës, që e aplikojnë më shumë, te ne ajo nuk ka forcën e duhur. Ndoshta sepse grafika kërkon një kulturë më të gjerë për ta përthithur. Është më aristokrate, delikate. I ka mjetet shprehëse të kursyera, por shumë të fuqishme. Kësaj here kam ardhur pak më ndryshe, pasi nuk është forma klasike që unë përgjithësisht përdor, si gdhendja e linoleumit apo drurit, por është grafika e tavolinës së punës, e frymëzuar nga problematika e momentit, e pasuruar më tej në studio me të tjera elemente. Është realizuar me laps, stilolaps, rapidograf dhe i është shtuar pak ngjyrë.
Vizatoni në zyrë?
Shumica e këtyre grafikave në format të vogël janë realizuar në zyrë. Kanë filluar si rastësisht, gjatë punës në zyrë, por edhe në momente të tjera, si në rastin kur më kanë hequr nga puna. Por ka edhe kujtime, portrete, homazhe artistësh. Shumë grafika ia kam kushtuar mjedisit, natyrës. Ka pemë, zogj apo një biçikletë simbolike për të na treguar se kemi nevojë të ecim në këmbë, jo detyrimisht me makina, të bëjmë një jetë të shëndetshme.
Ndërsa pikturat duken më diellore, më optimiste…
Te piktura jap anën time më të mirë, dashurinë për njerëzit, natyrën. Tashmë jam në një moshë që kam arritur paqe me veten me mjedisin, e këtë e tregoj edhe në pikturë. Kurse grafika ka më shumë nerv, sepse është një lloj proteste kur bëhet fjalë për shkatërrimin e mjedisit, apo të elementëve të tjerë bazë të jetës së njeriut.
Ekspozita shoqërohet dhe me një simpozium mbi menaxhimin e artit, ndoshta ka ndikuar emisioni që ju bëni në “News24”, “Art Shopping”?
Kam ecur gjithnjë në këto shina. Duke parë merakun që në Shqipëri ka mangësi në menaxhimin e artit, që shumë artistë krijojnë produkte me nivel të lartë dhe nuk marrin mundin e punës së tyre, kjo edhe për shkak të izolimit të gjatë që ka pasur Shqipëria dhe mungesës së hapjes ndaj tregut ndërkombëtar, po bëjmë përpjekje për të futur kulturën e menaxhimit të artit dhe për t’u hapur ndaj tregut të huaj.
Keni parë të japë rezultat gjatë këtyre viteve?
Është një emision që shërben për edukim. Gjatë këtyre tri viteve ka luajtur rol të rëndësishëm për evidentimin e artistëve, qofshin ata të traditës, emri i të cilëve ishte harruar, duke i risjellë në vëmendjen e publikut, por edhe artistëve të tjerë aktivë. Kemi futur sistemin e quiz-ve, ku kemi shpërndarë shumë libra arti. Pra, është një dritare për evidentimin e artistëve dhe edukimin e publikut.
Jeni artist, keni qenë drejtor i GKA-së dhe tani zv.ministër i Kulturës, ku do të ndërhyni më shumë për të ndihmuar kolegët tuaj?
Gjithnjë kam qenë i gatshëm për të ndihmuar, por së pari do të ndërhyjmë për stimulimin e vlerave të vërteta. Duhet të punojmë fort për të çuar artistët shqiptarë në aktivitete ndërkombëtare, që janë një mundësi e madhe për ta, por mbi të gjitha krijimin e hapësirave legjislative, që favorizojnë krijimtarinë artistike. Ka një mungesë të theksuar ligjshmërie për mbrojtjen e artistit. Ndërkohë që është domosdoshmëri krijimi i hapësirave për ekspozim.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura