
Ministria e Kulturës rishikon regjistrat e çmimeve.
“Skandaloze që kryeveprat të kenë një vlerë më të ulët se në tregun e brendshëm”
Duhet të vidhej një galeri në Korçë, që shteti të kujtohej për të vënë në lëvizje rrotën e ndryshkur të burokracisë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të ngrejë një Komision për Rivlerësimin e veprave të trashëgimisë kulturore. Këtë e bën të ditur zv/ministri Abaz Hado, i cili thotë se do të jetë vetë në krye të këtij Komisioni, duke qenë vetë një njeri i artit. Jo vetëm si zëvendësministër i Kulturës, por edhe si piktor, Hado thotë se kryeveprat duhet të trajtohen si të tilla dhe se është skandaloze që vlera zyrtare monetare e tyre është jo vetëm shumë larg vlerave në tregun real ndërkombëtar, por janë shumë më të ulëta edhe se ato në tregun e brendshëm. Sa i përket sigurisë dhe mbarëvajtjes së punëve në galeritë dhe muzetë e qyteteve të tjera, ai thotë se duhet riparë kuadri ligjor, në mënyrë që MTKRS të survejojë mbi to, pasi sipas tij detyra e MTKRS-së është të sigurojë që institucionet artistike t’i ofrojnë publikun një prodhim sa më cilësor. Kështu që me sa duket galeritë dhe muzetë në varësi të bashkive do të duhet të presin edhe ca.
U bënë vite tashmë që përmes mediave, specialistët e trashëgimisë kulturore kanë ngritur problemin e rivlerësimit të kësaj trashëgimie, çka kërkon një vullnet politik. Cili është qëndrimi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve?
Në lidhje me këtë problem, ka pasur një lloj lëvizjeje, çmimet janë rritur disi, por duke parë tarifat e tregut, shohim se jemi shumë larg tyre. Në mënyrë kategorike i qëndroj mendimit se disa nga veprat më me vlerë të artit tonë të vlerësohen me “çmime fantastike”. Kur them kështu, sigurisht kam parasysh çmime brenda një logjike, e cila është ajo e tregut të sotëm perëndimor. Është e papranueshme që kryeveprat e vendit tonë të kenë një vlerë monetare më të ulët, krahasuar me ato në tregun e brendshëm, për të mos folur pastaj se janë në një raport skandaloz me ato të tregut ndërkombëtar.
Si do të procedohet?
Do të kryejmë rivlerësimin e tyre, i cili bëhet nga ekspertët. Së shpejti do të ngrihet një Komision, për të cilin kam dhënë urdhër dhe do të merrem vetë, personalisht, pasi i përkas fushës së arteve pamore dhe shumë shpejt ne do të kemi një përcaktim tjetër, bazuar në ligjet shqiptare, për të caktuar çmimet reale dhe afër tregut, jo vetëm të brendshëm, por edhe rajonal e perëndimor. Nëse në Galerinë Kombëtare kemi kryevepra, ato duhet të trajtohen si të tilla, të vlerësohen e të çmohen si të tilla.
Me vjedhjen e galerisë së Korçës, vihemi përballë një fakti tjetër, atij të sigurisë…

Në galeritë dhe muzeumet kombëtare siguria është e garantuar. Është një kordon i tërë sigurie, që bën të mundur paprekshmërinë e këtyre veprave.
Po flasim për galeritë dhe muzetë e rretheve, është e vërtetë që ato janë në varësi të bashkive, por a nuk do të duhej që edhe Ministria e Kulturës të mbajë pjesën e vet të përgjegjësisë?
Kjo që ndodhi, na ka vënë para një fakti që Ministria duhet të jetë më supervizore, jo vetëm sa u përket galerive, por edhe teatrit, pasi e dimë shumë mirë që vihen pjesë të dobëta dhe janë emëruar aktorë, të cilët nuk i përballojnë dot nivelet e larta. Detyra e Ministrisë është të vëzhgojë dhe të ruajë nivelin e lartë dhe për t’i ofruar publikut një produkt sa më cilësor.
Si do mund të arrihet konkretisht?
E gjitha lidhet me bazën ligjore, sepse në momentin që galeritë dhe institucionet kulturore janë në varësi të bashkive, ata janë financuesit, nga ana metodike ne t’i kontrollojmë. Fatkeqësisht në disa galeri ne nuk i kemi kushtet e favorshme për ruajtjen e veprave, mungon klimatizimi dhe temperaturat e nxehta avancojnë në dëmtimin e veprave. Përkundër tyre, galeria Kombëtare ka pasur mundësi të restaurojë disa vepra, si në rastin e “Motrës Tone”, ka pasur një marrëveshje me Muzeun e Firences, të cilin edhe mund ta ripërsërisim, një marrëveshje me Muzeun e Pekinit, për shkëmbimin e specialistëve të restaurimit.
Gjithnjë do t’i mbajmë sytë nga të huajt?
Tashmë ne kemi një shkollë restaurimi, e cila është një lloj vlerësimi që shteti shqiptar i bën kësaj çështjeje dhe po shihet mundësia që ajo të jenë në nivel rajonal. Tashmë janë ndarë diplomat e para dhe nga viti në vit po shtohet numri i restauratorëve dhe shumë shpejt mund të ngrihet një qendër kombëtare, qoftë kjo edhe private, që mirëmban sipas modeleve ndërkombëtare vlerat e artit.
Në shtator nis puna në Qendrën Albanologjike
Duket se ujërat po lëvizin edhe në Qendrën Studimore Albanologjike. Mësohet se në muajin shtator, një grup specialistësh, etnografë e arkeologë do të nisin punën për rivlerësimin e vlerave të të gjitha objekteve që ruhen në fondet e kësaj qendre. Bëhet fjalë për fondet e Muzeut të Arkeologjisë dhe të Institutit të Kulturës Popullore, që janë në varësi të QSA-së. U bënë vite tashmë që QSA-ja ka kërkuar rivlerësimin e fondeve të saj, duke kërkuar ngritjen e një grupe pune nga ana e MTKRS-së, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe asaj të Punës dhe Çështjeve Sociale. Por prej vitit 2008 që është bërë kjo kërkesë, kanë kaluar 4 vjet dhe asgjë nuk ka ndodhur. “Vlera reale e objekteve nuk është ajo që figuron në regjistra, të cilat i përkasin periudhës së para viteve ’90. Duke dalë nga izolimi, në këtë botë globale ne duhet të futemi dhe me garancinë që ajo nuk na gllabëron. Një nga këto garanci është edhe përcaktimi i saktë i vlerës së këtyre objekteve”, është shprehur pak kohë më parë, në një intervistë për “Panoramën”, kreu i QSA-së, Ardian Marashi.
ALMA MILE
© Panorama.al











