Ivan Gvozdenoviç paralajmëron se do të hedhë në gjyq Tiranën.
Mbrojtësi serb, i cili sezonin e fundit e mbylli te bardheblutë, pretendon se klubi i detyrohet 12 mijë euro. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama”,
ai shprehet i indinjuar për mënyrën se si e larguan nga skuadra, të cilën e cilëson aspak korrekte. Duke u nisur nga kjo, Gvozdenoviç pohon se do t’i
hedhë kryeqytetasit në gjyq. Megjithatë, para se të ndërmarrë këtë hap, ai ka ndërmend të dërgojë një letër në adresë të klubit, ku do të bëjë me dije
ankesën që ka. Në rast se bardheblutë nuk reagojnë pozitivisht ndaj kërkesës së tij, atëherë ai do t’i drejtohet FIFA-s për të marrë paratë që pretendon se i
takojnë. “Nuk më vjen mirë për mënyrën se si ika nga Tirana. Askush nuk më tha gjysmë fjale. Madje vetë presidenti Halili më kishte premtuar se do
të më kontaktonte për të biseduar për të ardhmen time dhe për të mbyllur çdo detyrim financiar. Një gjë e tillë nuk ndodhi, përkundrazi mësova se
nuk isha më në planet e Tiranës vetëm nga persona të tretë ose e thënë ndryshe, pas një deklarate të dhënë në një televizion të kreut të klubit. Kjo nuk është aspak korrekte, kur nga krahu tjetër unë jam treguar
më shumë se korrekt me këtë ekip dhe drejtuesit gjithashtu”, tha paraprakisht mbrojtësi, i cili për një sezon ka mbrojtur ngjyrat e 24 herë kampionëve
të vendit. Lojtari shpjegon se përpara se ta çojë çështjen e tij në FIFA, do t’u dërgojë një letër drejtuesve të klubit kryeqytetas, për t’i vënë në dijeni për
gjithçka. Në rast se nga ana e bardhebluve nuk jepet një zgjidhje, atëherë ai deklaron se nuk do t’i mbetet opsion tjetër, veçse t’u drejtohet instancave
më të larta të futbollit ndërkombëtar. “Ditën e hënë do t’u dërgoj një letër drejtuesve të klubit të Tiranës, ku do të pasqyroj tërë problematikën. Në
rast se nuk më jepet një zgjidhje prej tyre, që do të thotë nuk likuidohem totalisht për pjesën që ata më detyrohen, atëherë do t’i padis në FIFA. Nuk është gjithçka te paratë, sesa te mënyra se si unë u përjashtova
nga kjo skuadër, pa m’u thënë gjysmë fjale. Nuk është e drejtë që ta mësoj të ardhmen time nga një deklaratë e dhënë në media nga presidenti. Uroj
që gjërat të zgjidhen thjesht, pa kaluar në instanca gjyqësore”, nënvizoi Ivan Gvozdenoviç.











