Ivan Gvozdenoviç është i pari që do të rinovojë kontratën e tij me bardheblutë. Serbi para dy ditësh u kthye në Shqipëri dhe gjatë orëve të para të paradites është takuar kokë më kokë me presidentin Refik Halili. Pas kësaj bisede duket se lojtari ka mbyllur çdo lloj hesapi me Tiranën, të paktën në aspektin financiar. Në këtë takim, kreu i klubit, pasi ka likuiduar Ivanin për paratë e prapambetura, por, gjithashtu, i ka ofruar rinovimin e kontratës edhe për një sezon. Mirëpo, lojtari e ka shtyrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij, për një javë më vonë. Pasi paraprakisht, duhet të kthehej në Beograd, pranë familjes së tij. “Kam ardhur vetëm dje (pardje) në Tiranë dhe sot (dje) paradite u takova me kreun e klubit, Halili. Kam zgjidhur çdo problem me të, në aspektin financiar, teksa presidenti më likuidoi totalisht. E falënderoj sinqerisht, pasi më kishte thënë që në datë 10 të kthehesha dhe të mbyllim çdo gjë, dhe kështu ndodhi”, tha lojtari.











