Guvernatori i BSH takim me delegacionin nga Moody’s Analytics! Sejko: Shqipëria gëzon rritje ekonomike solide dhe inflacion të ulët

Sep 3, 2024 | 15:47
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me një delegacion nga Moody’s Analytics, të kryesuar nga Domenico Piscitelli, Drejtor i Kërkimeve dhe Politikave për Evropën pranë Moody’s.

DSC_9729_498x332_28164 (2)

Në fokus të takimit ishte prezantimi dhe analizimi i situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe diskutimi i mundësive të bashkëpunimit midis dy institucioneve.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive, pavarësisht sfidave të shumta dhe serioze me të cilat është përballur gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se Shqipëria gëzon një rritje ekonomike solide, inflacion të ulët dhe nën kontroll, si dhe përmirësim të ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Më tej, Guvernatori nënvizoi se përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë do të vijojë edhe në të ardhmen.

“Më konkretisht, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit 2025”, është shprehur ai.

Në vijim, Sejko shtoi se normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.

Më tej, ai ka informuar përfaqësuesit e Moody’s mbi qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë.

Guvernatori theksoi se ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve.

“Banka e Shqipërisë është e angazhuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar, nëpërmjet garantimit të një rregullimi dhe mbikëqyrjeje të kujdesshme të tij. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ofron gjithë mbështetjen e saj për integrimin evropian dhe ndjekjen me rigorozitet të reformave që imponon ky proces”, është shprehur Sejko.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Moody’s vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, si në terma të rritjes ekonomike, ashtu edhe në terma të forcimit të parametrave të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit. Ata nënvizuan se ky progres dëshmon forcimin e kapaciteteve institucionale të vendit në drejtim të hartimit e zbatimit të politikave efektive makroekonomike, por edhe të mbikëqyrjes dhe rregullimit të kujdesshëm të sistemit të saj financiar.

Ata theksuan se integrimi i mëtejshëm i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në sistemin evropian të pagesave do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme, por edhe një sërë sfidash në përmirësimin e politikëbërjes, hartimit dhe zbatimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura