Gus Hidink është gati t’i japë fund aventurës së tij me Kombëtaren turke për të rimarrë stolin e Çelsit. Trajneri holandez pranoi se nuk do të jetë më në pankinën e një kombëtareje dhe pret të rikthehet në Londër për të drejtuar blutë e Londrës, pas shkarkimit të Ançelotit. 64-vjeçari, i cili për momentin ndodhet në grumbullimin me përfaqësuesen turke, i lëshoi një mesazh të qartë Abramoviçit. “Nuk i kam thënë askujt se dua të vazhdoj punën me Kombëtaren e Turqisë. Ndiej se duhet të bëj më tepër, kështu që një rol në një klub është më i preferueshëm sesa drejtimi i një skuadre kombëtare”, – tha Hidink, një ditë më parë, duke shtuar: “Nuk kam folur me presidentin e Federatës Turke. Por ai është një burrë inteligjent dhe jam i sigurt se i ndjek lajmet në mediat botërore”.











