Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, shprehet se ndryshimet kushtetuese të propozuar nga Partia Socialiste mund të prodhojnë një krizë institucionale. Sipas juristit Gumi, ato mund të ishin një kthim pas në politikën shqiptare. “Unë besoj se ndryshimet kushtetuese janë një element madhor, veçanërisht të një shoqërie demokratike. Ndryshimet kushtetuese nuk bëhen për të imponuar kriza, Kushtetuta duhet të jetë mjet për zgjidhjen e krizës e institucioneve. Prandaj, çdo kthim pas për të imponuar nëpërmjet një mjeti kushtetues krizë institucionale, është detyrimisht i destinuar të dështojë”, tha deputeti Gumi për “Tv Klan”. Deputeti Gumi foli edhe për vlerësimin për produktin pozitiv që sollën ndryshimet e vitit 2008. Sipas tij, ato amendamente kishin anën e tyre pozitive. Asaj kohe dy forcat e mëdha politike ranë dakord për çdo germë të ndryshuar në Ligjin themelorë. “Unë besoj se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kishin aspektin e tyre shumë pozitiv, mjafton t’i referohemi në këtë rast edhe opinionit të Komisionit të Venecias për këto ndryshime kushtetuese. Natyrisht që këto ndryshime kushtetuese e kaluan testin e kohës, madje nuk janë aspak antidemokratike”, tha ai. Ideja e hedhur nga PS për ndryshimet e reja kushtetuese parashikon të prekë edhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në 2008-n, PD dhe PS i dhanë fund krizës politike që prodhonte çdo 5 vite zgjedhja e Presidentit, pasi përzgjedhja kërkonte një shumicë të cilësuar prej 84 votash, kurse me ndryshimet e reja, Presidenti zgjidhet në raundin e fundit me 71 vota. Duke mbrojtur variantin e përzgjedhjes së Presidentit sipas ndryshimeve kushtetuese, deputeti Gumi u shpreh se praktika qëndron ndryshe. “Presidenti nuk është aspak kandidat i një partie, përkundrazi praktika ka treguar se tendenca për të ofruar Presidentin nga njëra palë e ka shkatërruar sistemin. Presidenti është përfaqësues i popullit, përfaqëson unitetin kombëtar”, tha Gumi. Deputeti i PD shtoi se Kushtetuta nuk është një ligj i thjeshtë që mund të ndryshohet sipas oreksit politik.











