
Pep Guardiola duket se është dorëzuar nga sfida për titullin kampion në Primera Divizion dhe është totalisht i përqendruar në Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Mbretit. Pas 5 vitesh të mbushura me suksese, trajneri spanjoll do përfundojë në skadencë kontrate këtë verë dhe për më shumë nuk ka vendosur ende të rinovojë, madje ftesën e presidentit Sandro Rosell e ka shtyrë disa herë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, sa vijnë e bëhen gjithmonë e më të besueshëm zërat për një transferim të sigurt të Guardiolës tek Interi në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, pardje vjen një tjetër fakt që të bën të mendosh se Guardiola-Inter nuk është thjesht një thashethem. Edhe pse pak vetë mund ta kenë vënë re, në ndeshjen kundër Leverkusenit spanjolli mbante nën xhaketën e tij një shall zikaltër. Edhe pse nuk mbante logon zyrtare të Interit, ai pranoi se ngjyrat simbolizonin pak a shumë këtë ekip. I pyetur dje mbi këtë temë nga media spanjolle, Pep Guardiola nuk ka dribluar më shumë seç duhej këto fakte. “Tifozët e Interit mund të ëndërrojnë tani? Mirë, e lëmë edhe kështu, por dua të theksoj se ky shall është një dhuratë e një mikut tim. Nëse unë do shkoj tek Interi një ditë, kjo është ende për t’u parë, sepse për momentin unë stërvis ekipin më fantastik që ekziston në botë”. Mbase, për herë të parë në këto vite, fjalët e Guardiolës nuk mohojnë kontaktet e mundshme me Interin…











