TIRANE – Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni dhe vëllai i kryetarit të Njësisë Bashkiake Nr. 3 në Tiranë, denoncuan njëri-tjetrin për ushtrim dhune pas një sherri që patën mes tyre lidhur me numërimin e votave në KQZ. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:30, kur deputeti i PS, Ilir Gjoni, është paraqitur në Komisariatin Nr. 4 të Policisë dhe ka denoncuar shtetasin Arjan Kokona me akuzën e goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës. Burime nga Komisariati Nr. 4 i Policisë së Tiranës thanë mbrëmë se të njëjtin kallëzim kanë marrë edhe nga shtetasi Arjan Kokona, i cili ka pretenduar se është qëlluar e dhunuar nga deputeti i PS, Ilir Gjoni. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Xhamllikut në kryeqytet dhe shkak ka pasur batutat për situatën politike në vend. Deputeti Ilir Gjoni dhe kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 3, Ilir Kokona, mësohet se i kanë zyrat e tyre elektorale në afërsi të njëri-tjetrit në zonën e Xhamllikut në kryeqytet. Mbrëmë, deputeti i PS, Ilir Gjoni, është ballafaquar me shtetasin Arjan Kokona, vëllai i kryetarit të Njësisë Bashkiake Nr.3. Aty ka pasur një shkëmbim batutash politike mes dy protagonistëve të ngjarjes, të cilët më pas janë përleshur. Më vonë, palët bënë denoncimet përkatëse në Komisariatin Nr. 4. Policia tha mbrëmë se do ta dorëzojë dosjen për vlerësim në prokurori, ku do të kryhen edhe ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore për deputetin e PS dhe shtetasin tjetër të përfshirë në ngjarje. Ndërkohë, deputeti socialist, Ilir Gjoni, tregoi për “Panoramën” incidentin me vëllain e kreut të Njësisë Bashkiake Nr. 3, Ilir Kokona. “Sapo dola nga zyra elektorale, që ndodhet në sheshin ‘Shtraus’, Arjan Kokona dhe një tjetër po i bënte presion një komisioneri të PS që të firmoste një dokument zgjedhor, të cilit i kishin ndryshuar përmbajtjen. Sapo më panë nisën të shanin duke thënë: ‘Ky by…të urdhëroi të mos firmosësh?’. Unë i kërkova të mbajë gojën, ndërsa Arjani më goditi. Pranë tij u afrua dhe vëllai i tij, Ilir Kokona, të cilët, edhe pas ndërhyrjes së dëshmitarëve, vazhdonin të shanin dhe ofendonin. I shokuar nga kjo sjellje, i kërkova drejtorit të Policisë së Tiranës të sjellë forcat e policisë. Nuk vonuan dhe mbërritën forcat e Komisariatit Nr. 4, por dhe shumë qytetarë, ndërsa unë bëra denoncimin”, u shpreh deputeti socialist Ilir Gjoni.











