Grupi i PS: Abstenim për kredinë e rrugës Levan-Vlorë

Jul 11, 2012 | 14:53

Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar socialist nuk i shpëtoi debateve dhe qëndrimeve të ndryshme rreth kredisë shtesë të qeverisë për financimin e segmentit Levan-Vlorë. Ky debat ka marrë dhe kohën më të madhe në mbledhjen e djeshme. Deputetët ishin të ndarë në dy grupe, ku njëra palë mendonte se duhet ta votonte kundër kredinë e re të qeverisë për këtë rrugë dhe pala tjetër mendonte se PS s’duhet të jepte votë kundër për rrugët, nga të cilat përfitojnë shqiptarët. Erjon Braçe, Arben Ahmetaj, Ilit Gjoni dhe të tjerë deputetë, kryesisht anëtarë të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, kanë kërkuar votë kundër nga ana e PS-së, pasi sipas tyre kjo kredi është një barrë e re në kurriz të shqiptarëve, në interes të klientëve të qeverisë. Por, një grup më i moderuar, nisur dhe nga precedenti i rrugës Durrës-Kukës, ishin të mendimit se PS nuk duhet të shprehet me votë kundër veprave të mëdha publike, siç është dhe segmenti Levan-Vlorë. Kreu i PS, Edi Rama, Blendi Klosi, Pandeli Majko, Bashkim Fino kanë kërkuar që qëndrimi i PS-së për këtë kredi të jetë abstenues, duke shprehur dhe qëndrimin kritik ndaj një financimi shtesë, por nuk shprehet kundër një rruge që do t’i shërbejë të gjithë shqiptarëve. Në mbledhjet e djeshme në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Jashtëm, deputetët e opozitës u shfaqën me qëndrime të ndryshme lidhur me marrëveshjen e huas. Gjatë shqyrtimit të draftit te Ligjet, pesë deputetë të opozitës, Majko, Subashi, Hysi, Ligori e Felaj abstenuan, ndërsa Bashkim Fino votoi pro nismës. “Sot ne kemi një kontratë, e cila është realizuar në masën 99% dhe kemi një kosto për kilometër më të ulëtën në Shqipëri dhe më të ulëtën në rajon sa u takon përmasave të një autostrade të tillë. Projekti më i mirë në botë asnjëherë nuk është i përsosur”, u shpreh në mbledhjen e djeshme zv.ministri i Transporteve, Ernest Noka, në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të opozitës. Ndërsa në Komisionin e Jashtëm, nënkryetarja e këtij komisioni, Arta Dade, abstenoi, kurse Namik Dokle votoi kundër.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura