Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka dënuar me burg të penduarin e drejtësisë, Artan Tafani dhe Kristi Bixhekun, pjesë e grupit të Laert Haxhiut.
Togat e zeza dënuan me 3 vite e 6 muaj burg Kristi Bixhekun, dënim i cili zbret në 2 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar.
Në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë gjykata e Posaçme e dënoi përfundimisht me 2 vite e 4 muaj.
Dy të pandehurit u gjykuan me procedurë të shkurtuar për kryerjen e veprave penale “shkatërrim i pronës me eksploziv” , “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, “grup i strukturuar kriminal”.
Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme nga provat e mbledhura doli në konkluzionin se Kristi Bixheku në bashkëpunim me Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Erisiano Abedini vendosën sasi tritoli në dy raste në dëm të Bujar Turkut, një episod i regjistruar në 1.11.2022 dhe tjetri ne 31.12.2022 në Lushnjë.
Për episodin që lidhet me sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e Genci Hidës, në Lushnjë, në periudhën Prill-Maj 2023, GJKKO e shpalli të pafajshëm Bixhekun.
Ndërsa Artan Tafani akuzohet se në bashkëveprim me Laert Haxhiu dhe Fatjon Veliun, siguroi kushtet dhe mjetet për vrasjen e Rexhep Ginës, në Lushnjë, më datë 6 korrik 2022, rreth orës 21:00.
Bazuar në aktet e hetimit u arrit në konkluzionin se aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar u shtri nga muaji prill i vitit 2021 deri në muajin maj të vitit 2023, ku drejtuesi dhe organizatori i tij ishte Laert Haxhiu.
© Panorama.al












