SHKUP- Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski pas vizitës së tij disaditëshe në SHBA do të vendose lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni.
Marrëdhëniet midis partnerëve të koalicionit vazhdojnë të jenë të tensionuara dhe me qëndrime të paharmonizuara. Ri-emërtimi i shkollave të Çairit me emra të personaliteteve historike shqiptare ka tensionuar sërish raportet midis VMRO-DPMNE dhe BDI.
Sipas nje zyrtari te larte, kryeministri Gruevski pas kthimit nga vizita në SHBA do të vendose për shpalljen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, apo do të tentojë që të tejkalojë mosmarrëveshjet me partinë shqiptare BDI-në e Ali Ahmetit.
“Kryeministri sigurisht që informohet për këto zhvillime dhe ekzistojnë shqetësime mbi vendime të tilla të njëanshme dhe në kundërshtim me ligjin”, tha zyrtari maqedonas i Qeverisë, duke mos shprehur ndonjë qëndrim zyrtar.
Ndërkohë, në BDI janë të hapur për çdo opsion të ndërmarrë nga Gruevski, duke mos përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme.
Ekipi qeveritar i Maqedonisë, i kryesuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, e vazhdoi vizitën ekonomike-politike në SHBA me prezantimin e mundësive për investim në Maqedoni. (INA)
© Panorama.al











