VLORE- Gruaja 59-vjeçare, që u arrestua me 700 gramë kokainë, “dekonspiron” rrjetin e trafikut të drogës drejt Italisë. Të paktën kështu besohet nga Policia e Vlorës deri në verifikimin një pas një të emrave të dhënë nga Lizheta Zharra. Sipas dëshmisë së dhënë para grupit të hetimit, drogën që e kishte fshehur në trup, në korse, ia kishin dhënë në Vlorë të njohur të saj dhe do ta çonte po te disa të njohur të tjerë të saj në shtetin italian. Burime nga Policia bënë të ditur se 59- vjeçarja ka pranuar të bashkëpunojë dhe të tregojë të gjithë emrat e përfshirë në trafikun e sasisë së lëndës narkotike, si në Vlorë, ashtu edhe në Itali. Tashmë pritet të bëhet verifikimi i identiteteve të dhëna, dhe më pas, nëse emrat e tyre rezultojnë të saktë, Policia e Vlorës do të organizojë një operacion të gjerë për arrestimin e tyre për trafik ndërkombëtar të kokainës. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se janë duke punuar për të kryer verifikimet e sakta në skemën që funksionin në këtë trafik, si dhe personat që janë të përfshirë në të dyja vendet. Gjithashtu do t’i kërkohet bashkëpunim edhe palës italiane, për të kryer verifikimet e nevojshme të emrave të dhëna nga 59-vjeçarja Zharra. Nuk është konfirmuar nëse gruaja ka pranuar të bashkëpunojë dhe të flasë me emra konkretë me qëllim për të përfituar një dënim më të ulët. Por momentalisht do të verifikohet dëshmia e saj. Lizheta Zharra u arrestua dy ditë më parë në Portin e Vlorës me 700 gr kokainë, në momentin që ishte duke u imbarkuar në traget drejt Portit të Brindisit. Mësohet se Policia ka shoqëruar edhe dy djemtë e 59-vjeçares, të cilët janë marrë në pyetje rreth veprimtarisë së nënës së tyre. Por blutë nuk kanë siguruar dot të dhëna për një bashkëpunim të mundshëm të djemve me të ëmën, ndaj, pasi janë marrë në pyetje, u lanë të lirë. q.b











