
Pasardhësit e njërës prej familjeve më të persekutuara në vend tregojnë pas shumë vitesh jetesën në errësirë për gati gjysmë shekulli. Si nisi vargu i pushkatimeve të pjesëtarëve të familjes Miri që pas largimit nga Shqipëria të nacionalistëve, Abaz Kupi, Hasan Dosti e Mit’hat Frashëri, e si vijoi me burgosje e internime e gjithë pjesa e mbetur, deri në shenjat e para të demokracisë, kur për herë të parë nuk e ndjenë më dhimbjen e urisë…
Kur dëgjon të treguar historinë e të pushkatuarve, të burgosurve në Spaç, e të internuarve, nga vetë pasardhësit e familjarëve, përmes lotëve që ende nuk u janë tharë edhe 22 vite më pas, arrin të shohësh edhe pa ndihmën e historisë jetën e zvarritur që kanë bërë fëmijët e tyre. Varfërinë, urinë e gjithë brengat e një fëmije që asokohe nuk mundej as të fliste me të tjerë. Nuk mund të kuptonte pse babai qëndronte pas hekurave, pse nëna kalonte gjithë kohën e ngrysur, e pafuqishme për të ushqyer fëmijët, pse shokët i përbuznin, e sa e sa “pse” të pafundme që ende edhe sot kanë mbetur pa përgjigje. Gjyste Miri nuk i pat parashikuar të gjitha të zezat që do ta përndiqnin për 45 vite kur shkoi nuse në atë familje. Me gjithë pushkatimet që ishin bërë në familjet e të shoqit, pati menduar se kishte marrë fund fati i keq i mbiemrit. Në mos do të kishte një jetë të lulëzuar, do të kishte të paktën jetesën normale që mund të të dhuronte sistemi, pa ditët ekstremisht të këqija, të cilat mund t’i mendoje edhe si të fundit. Sot, Gjystja e ka të vështirë të tregojë, sepse nuk do të shohë më në errësirën e atyre viteve të gjata. Pas arrestimit që i bënë të shoqit, Pal Mirit dhe gjithë vëllezërve të tij, ajo dhe nuset e tjera të familjes ngelën krejt të vetme, me fëmijët e vegjël për të ushqyer, degdisur, në vendet ku i internonin. “Të gjitha ato 45 vite kanë qenë luftë ekstreme për ekzistencë. Të gjithë e dinë që ushqimet nuk kanë qenë për askënd me bollëk, por dinë gjithashtu se ka pasur edhe persekutime të skajshme, ku nuk kishte fare ç’të haje. Mund të duronim vetë, por nuk mund të shihnim fëmijët e vegjël që qanin nga uria pse kishin 3-4 ditë pa futur asgjë në gojë”. Rroga e kooperativës që i mbeti Gjystes pas burgosjes së të shoqit në Spaç, nuk mund t’i mjaftonte për të mbajtur 1 muaj 6 fëmijë me bukë. “Për më tepër që shpenzimet tona nuk ishin vetëm këto, duhet të shkoja te im shoq të paktën një herë në muaj për ta parë, donte të shihte edhe ndonjërin nga fëmijët. Por, rruga kushtonte, makinat që mund të kalonin nuk na merrnin, këpucët na linin në baltë gjatë ecjes e megjithatë duhet t’i tërhiqnim zvarrë e t’i rikthenin në shtëpi, të shkrinim plastikën e t’i modifikonim për t’i veshur sërish, përndryshe do të ecnim zbathur”. Në të njëjtat kushte si të sajat, ishin të 13 fëmijët që iu kishin marrë baballarët. Më të mëdhenjtë (të mëdhenj quheshin edhe ata 12 apo 13-vjeçarë) ndihmonin sa mundeshin për të futur një kile krunde në shtëpi, në rastin më të mirë, që t’i trazonin me ujë e të shtynin një ditë të gjatë urie. 1 Maji dhe festa e Vitit të Ri ishin ditët më të lumtura të vitit, sepse mund të jepej ndonjë lëmoshë edhe për ta, sa për t’i mbajtur në ëndërrime deri në po ato data të vitit tjetër. Në ato dy ditët që zgjaste rruga për të shkuar në Spaç, fëmijët luftonin edhe me urinë, për të prekur sa më parë kënaqësinë e takimit me babain. “Në udhëtimet drejt tij nuk kishin ndjesi të tjera përveç padurimit për ta parë e prekur. Harronin edhe dhimbjen e këmbëve që u vinte nga të ecurit zbathur në rrugë e pa rrugë. Sandalet e llastikut këputeshin në mes të rrugës e duhet t’i mbaje me vete për t’i ngjitur sërish duke i shkrirë me nxehtësi. E mes gjithë kësaj situate, të dëgjoje edhe për torturat nëpër të cilat u kishte kaluar i ati, ishte dëshpëruese. Për mua që i shihja të qanin e për ata vetë që nuk mundeshin as t’i flisnin. Kush mund ta dijë se ç’ka ndodhur në ato mendimet e tyre të vogla për gjithë ato vite. Janë dëmtime të pariparueshme”. Në ’82-shin, Pali iu lirua prangave falë një amnistie. Një rreze drite u kishte hyrë në shtëpi, jo vetëm për rikthimin e njeriut të dashur, por mbi të gjitha sepse edhe ai tashmë do të kontribuonte në ekonominë e familjes. Punonin sa mundnin të gjithë, fëmijët e vegjël më pak, ata më të rriturit pak më shumë bashkë me dy prindërit, që të paktën të mos vuanin urie. Deri në vitet ’90, kur për njerëz me të tilla histori, atëherë niste jeta, panorama e familjes ishte krejt e njëjtë. Po si nisi kalvari i vuajtjeve të këtij mbiemri? Ç’gjëmë të pashlyeshme kishin bërë të parët aq sa për të groposur gjithë burrat e shtëpisë, e për të prangosur pjesën e mbetur?! Historia daton përpara komunizmit, kur Mark Miri, dashur pa dashur shkroi gjithë fatin e familjes së tij. Gjystja, me ndihmën e fëmijëve, që së paku sot jetojnë mirë, na rrëfen fillesat e atij terrori.
Si nisi karvani i vuajtjeve

Pjesa jugore e derdhjes së lumit Mat ka qenë e populluar përgjithësisht me fshatarët e ardhur nga Malësia e Madhe. Një nga ato familje e fshatit Gurëz ka qenë ajo e Mirajve. Të parët e këtij mbiemri kanë qenë shoqëruesit e Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit. Mark Miri, ish-oficer në Ushtrinë kombëtare të komanduar nga Spiro Moisiu përpara luftës, në gusht të ’43-shit, mori pjesë si shoqërues i Abaz Kupit në mbledhjen e Mukjes. Vëllai i Markut, Deda, një nga krerët kryesorë të Legalitetit, kishte mbaruar shkollën ushtarake në Itali; vritet në 1944-n në luftimet e Shijakut. Frano Miri me të vëllanë, Gjekën, të dy partizanë të Brigadës 23, refuzojnë të marrin pjesë në luftën vëllavrasëse kundër forcave të Preng Calit që ishte daja i tyre. Kështu që u detyruan të largohen nga radhët partizane, por pa i lëshuar pushkët dhe bashkohen me antikomunistët e tjerë, që vepronin në malet e Kurbinit. Në tetor të ’44-s, Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi (Pas mbledhjes së Mukjes, tetor ’44 nacionalistët atdhetarë si Abaz Kupi, Hasan Dosti, Abaz Germenji, Mithat Frashëri etj., po largoheshin nga Shqipëria për t’iu shmangur gjakderdhjes vëllavrasëse të përgatitur nga Enver Hoxha, Mugosha e Popoviç) dhe gjithë nacionalistët e tjerë që do të largoheshin nga Shqipëria, natën e fundit të qëndrimit strehohen te Mirajt, të pritur në besë nga Mark Miri, i cili i përcolli të nesërmen të gjithë këta patriotë deri në bregun e detit, ku hipën në anije. Pas çlirimit të vendit, në 1944, Mark Miri, falë reputacionit që kishte në gjithë rrethin e Krujës, bëhet krahu i djathtë i Rexhë Deliut, partizanit të vjetër, ish- komandant i batalionit partizan Krujë-Ishëm. Babë Rexha

dhe Mark Miri morën të dy përsipër barrën e rëndë të pajtimit të gjakrave, duke pajtuar kështu gjithë ato familje që prej vitesh ishin në hasmëri. Ama popullariteti i Mark Mirit nuk po shihej me sy të mirë nga regjimi komunist, duke parë edhe të kaluarën e familjes së tij si nacionalist, arratisjen në mal të dy vëllezërve të tij, Fran dhe Gjek Miri, si dhe miqësinë e ngushtë me komandantin e komandës së vendit, Rexh Deliut. Por shumë shpejt do të vihej në zbatim plani që ishte organizuar për ta. Në ’46-n, Sigurimi i Shtetit kishte gati skenarin për vrasjen e Rexh Deliut. Me vrasjen e këtij të fundit regjimi mendonte se do të nënshtronte Mirajt, e duke nënshtruar ata, kishte për vete gjithë malësorët e zonës. Plani nuk vonoi shumë të zbatohej. Më 26 gusht të po atij viti, u bë eliminimi i tij.
Pas vrasjes nisën edhe arrestimet masive në Gurëz, i pari i prekur ishte Marku. Po ky ishte vetëm fillimi i historisë së tij fatkeqe. Nga arrestimi te vrasja e tij s’kaloi fare pak. Veglat e Sigurimit mblodhën gjithë fshatin për t’i pasur dëshmitarë të terrorizimeve që do t’u demonstronin, me 10 jetët që do të merrnin.
Ky operacion i kurdisur nga Mehmet Shehu në Tiranë dhe i zbatuar me përpikëri nga të nënshtruarit e tyre në Krujë, përfundoi në favor të tyre, por nuk kishte marrë fund me kaq. Historia e persekutimit të Mirajve, për shkak edhe të nipit të Mirit, Franes, që vazhdonte të ishte i arratisur në mal, do të vijonte për vite të tëra ndër breza.
Persekutimet e pafundme të Mirajve

Në vitin 1948, i prerë në besë, rrethohet dhe vritet Frano Miri bashkë me Zef Ded Përvukën. Pas vrasjes, kufomat e tyre çohen në Gurëz për të frikësuar popullin e zonës e madje u varrosën në bregore, jo në varrezat e fshatit, ku megjithatë, fshatarët e tjerë nuk nguronin të vinin natën lule e kurora. Për këto veprime u lajmërua kryetari i Degës së Brendshme në Krujë, Nuri Luçi, i cili urdhëron të nxirren kufomat nga varret dhe të hidhen në breg të lumit Mat. Ashtu u bë! Natën, policët zhvarrosën kufomat dhe i çojnë në një gropë në breg të lumit prej nga eshtrat e tyre nuk do të gjendeshin më kurrë. Po në vitin 1948 vritet në rrethana të panjohura një kapter i forcave të mbrojtjes territoriale. Për këtë vrasje arrestohen tre veta, e si gjithnjë, duke filluar nga Mirajt. Llesh Miri, ish-mjek partizan që kishte mbaruar Akademinë në Modena, ishte i pari i prekur. Lidhur me këtë ngjarje, të moshuarit e fshatit, dëshmitarët okularë treguan se e gjitha kjo ishte një lojë e Sigurimit të Shtetit. Kapteri që u vra ishte njëri nga ata që kishte zbatuar skenarin e famshëm të vrasjes së Rexh Deliut dhe Sigurimi e eliminoi vetë për të humbur gjurmët e krimit. Edhe pse kishin kaluar disa vite, në ’58-n, diktatura komuniste nuk ishte ngopur me nënshtrimin e Gurëzit, asaj vatre antikomuniste. Arrestohen po në këtë vit 10 veta nën akuza të ndryshme të përmbledhura në nenin famëkeq 55. Drejtimin e këtij operacioni e mori në dorë vetë Tirana me shefin e zhdukjes së krimeve, Nevzat Haznedari. Në krye të të akuzuarve, janë si gjithnjë Mirajt. Këtë herë, radhën e kishte Pjetri, vëllai i Franit, Luigj dhe Marie Miri. Ju nënshtruan gjyqit ushtarak që u zhvillua me dyer të mbyllura në Tiranë nën drejtimin e kryetarit të gjykatës, Mitat Kosovës. I gjithë grupi u dënua me burgim nga 14 deri në 25 vite, përveç Pjetër Mirit, i cili u dënua me pushkatim e megjithatë kur ia komunikuan urdhrin buzëqeshi duke thënë “Kjo është rruga ime zotërinj, unë nuk kam ardhur rastësisht këtu”. Por nuk ishte as ky i fundit i flijuar i familjes së tij. Ngjarjet e stisura për t’i dhënë fund me pushkatim vijuan deri sa morën 12 jetë të kësaj familjeje e duke e lënë pjesën tjetër të vuante përgjithnjë, deri sa erërat ndryshuan në vitet ’90.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











