Gruaja e Masakruar: Dëshmia e 84-vjeçarit: E vrava se më tradhtonte

Aug 14, 2011 | 10:41

Gaqo Dumka, i arrestuar nga policia per vrasjen e 42-vjeçares (majtas) viktima Liljana Arapi

Policia, kontrolle në çdo shtëpi për femra të zhdukura, të padenoncuara

Gjymtyrët e poshtme të gruas që u gjet e masakruar në Korçë ndihmuan policinë për identifikimin e kufomës e më pas dhe për arrestimin e autorit. Gjatë këqyrjes së gjymtyrëve nga ekspertët mjekoligjorë dhe kriminalistë, u zbuluan disa shenja të ndryshme në gjymtyrët e gruas, që sipas policisë, flisnin për një femër të rritur në fshat dhe që kishte punuar në bujqësi për shumë vite.Ishin pikërisht këto shenja në këmbët e gruas së gjymtuar që i drejtuan forcat e policisë nëpër të gjitha fshatrat e Korçës. Efektiva policie u shpërndanë në terren duke vizituar shtëpi më shtëpi persona të ndryshëm, të cilët i pyesnin për persona të familjes (femra) që mund të ishin larguar me dëshirë apo zhdukur. Burime nga Policia e Korçës thanë se ky lloj veprimi u krye pasi ekzistonte ndonjë mundësi që gruaja të ishte larguar nga shtëpia me dëshirën e saj dhe dijeninë e të afërmve, për këtë arsye nuk kishte një denoncim në polici për humbje. Shenjat në këmbët e gruas së vrarë në mënyrë makabre, por edhe disa nishane në pjesë të ndryshme të trupit, bënë të mundur zbulimin e familjes së saj në Bilisht.
PRINDERIT E VIKTIMES
Një oficer i Policisë së Korçës, që ishte ngarkuar me detyrë për kontrolle në zonën e Bilishtit, pasi ka vizituar pothuajse çdo shtëpi duke marrë në pyetje familjarët, ka zbuluar prindërit e gruas së vrarë. Sipas burimeve nga policia, mësohet se oficeri ka biseduar me të zotët e shtëpisë, bashkëshortët Albert dhe Margarita Arapi, të cilët e kanë adresuar policinë drejt vendndodhjes së mundshme të vajzës së tyre. Sipas tyre, ata kishin një vajzë që quhej Liljana Arapi, ishte 42 vjeçe, por ishte larguar nga shtëpia prej shumë vitesh. Ata kanë treguar se vajza e tyre nuk kishte qenë e martuar asnjëherë dhe me mirëkuptim kishte vendosur që të largohej nga shtëpia në Bilisht për të jetuar në Korçë, pasi aty do të kishte mundësi edhe të gjente ndonjë punë. Por ata janë shprehur për policinë se flisnin shumë rrallë me vajzën që prej kohës kur ajo ishte larguar, pasi nuk kishin shumë marrëdhënie të mira. Gjithashtu ata kanë njohur edhe disa shenja që oficeri i policisë u ka treguar dhe që i përkisnin kufomës së gjetur. Pasi ka marrë të dhënat nga dy prindërit, oficeri është nisur drejt Korçës, për të verifikuar adresat ku mund të kishte qëndruar Liljana Arapi.
IDENTIFIKIMI

Policia në vendin ku u gjet trupi i copëtuar i gruas së paidentifikuar

Duke mbledhur të dhëna në terren për emrin Liljana Arapi, mosha 42 vjeç dhe me një fotografi të siguruar nga familja e saj në Bilisht, policia ka rënë në gjurmët e viktimës. Një person, mashkull, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia, ka mundur të japë informacione mjaft të rëndësishme për policinë, që më pas çuan edhe në emrin e autorit të krimit. Personi i pyetur ka treguar se para disa kohësh kishte pasur marrëdhënie me 42-vjeçaren Arapi, pasi e kishte si të dashur, por ishte ndarë me të pasi ajo kishte nisur një lidhje intime me një të moshuar. I moshuari ishte pikërisht 84-vjeçari Gaqo Dumka, që tashmë është arrestuar. Policia është drejtuar menjëherë drejt një banese private ku jetonte me qira i moshuari dhe ka gjetur prova më se të mjaftueshme që e fajësonin atë për krimin makabër. Për këtë arsye ai është shoqëruar fillimisht në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen dhe më pas ka pranuar se ishte pikërisht ai që kishte kryer krimin për motive xhelozie.

Policia ofroi 10 mijë euro shpërblim

Për të përshpejtuar zbardhjen e ngjarjes së rëndë të vrasjes dhe të copëtimit të Liljana Arapit, fillimisht të paidentifikuar, policia vuri një shpërblim 10 mijë euro për çdo informacion të mundshëm rreth saj. Shuma u bë e ditur zyrtarisht nga Policia e Korçës ditën e premte, vetëm pak orë pasi persona që kërkonin kanoçe në vendgrumbullimin e mbeturinave të Korçës, pranë fshatit Ravonik, lajmëruan policinë se kishin gjetur një trup të copëtuar. Shpërblimi i policisë nuk u përftua nga asnjë person, pasi ngjarja u zbardh në sajë të hetimeve të shpejta dhe punës së policisë. Pak orë para zbardhjes së ngjarjes së rëndë, policia publikoi një foto me veshjet që viktima mbante të veshura momentin e masakrimit të saj. Veshjet me njolla gjaku janë bllokuar në cilësinë e provës nga ana e policisë së Korçës, bashkë me sende të tjera që komprometojnë autorin 84-vjeçar. Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes u gjet një sëpatë dhe 2 thika me të cilat dyshohet se u realizua krimi; dy aparate celularë që i përkisnin autorit të ngjarjes dhe viktimës, si dhe janë fotografuar njollat gjaku në ambientet e brendshme dhe të jashtme të banesës.

Liljana Arapi

Askush nga familja e Liljana Arapit nuk është interesuar për viktimën 42-vjeçare në polici, edhe pse prej kohësh ajo nuk jetonte në banesën e saj në Devoll. E lindur në vitin 1969, Arapi nuk ishte martuar ndonjëherë. Ajo ishte vajzë e vetme dhe kishte 2 vëllezër. Prindërit e saj kanë pohuar dje për policinë se prej kohësh nuk dinin gjë për të bijën, e cila ishte larguar nga Devolli për të jetuar në qytetin e Korçës. Viktima mësohet se nuk kishte një banesë të sajën, por bashkëjetonte me të moshuarin në një shtëpi me qira, në Lagjen  Nr. 4 të Korçës.

Gaqo Dumka

I lindur në fshatin Dardhë të Korçës në vitin 1927, Gaqo Dumka do të përballet me akuzën e vrasjes makabre të Liljana Arapit. I moshuari ishte prej vitesh i ve. Babai i një djali, ai jetonte i ndarë në një shtëpi me qira në Lagjen 4 të Korçës. I gjithë opinioni është tronditur jo vetëm nga masakra e kryer ndaj gruas, por dhe kur kanë mësuar nga të dhënat e policisë se autori ishte 84-vjeçari Dumka. Ai ka pranuar autorësinë e ngjarjes horror, e cila dyshohet se është kryer nga xhelozia ndaj gruas, e cila ishte jo pak, por plot sa gjysma e viteve të tij. Etleva Delia

Zbardhet masakra, pranga 84-vjeçarit

Viktima është Liljana Arapi. i moshuari: E vrava se shkonte me të tjerë

Policia e Korçës zbardh vrasjen makabre të gruas që u gjet dy ditë më parë e gjymtuar dhe arreston si të dyshuar për krimin një 84-vjeçar me të cilin bashkëjetonte.Në një kohë rekord, për më pak se 24 orë, policia ka bërë të mundur zbardhjen e krimit makabër që tronditi dy ditë më parë qytetin e Korçës, duke identifikuar kufomën dhe arrestuar autorin e dyshuar. Gruaja, trupi i së cilës u gjet i gjymtuar dhe i futur në thasë në vendgrumbullimin e plehrave të Korçës, në afërsi të fshatit Ravonik, quhet Liljana Arapi dhe është 42 vjeçe. Sipas policisë, gruaja, e cila rezulton beqare në regjistrin e gjendjes civile, është masakruar nga 84-vjeçari Gaqo Dumka, me të cilin bashkëjetonte prej vitesh në një banesë me qira në Lagjen Nr. 4 të Korçës. I moshuari ka pranuar krimin, ndërsa deklaroi se e kishte kryer vrasjen për motive xhelozie pasi viktima kishte zbuluar se gruaja me të cilën bashkëjetonte kryente marrëdhënie seksuale edhe me persona të tjerë. Madje, në këtë formë ai e ka shpjeguar edhe faktin se përse i ka prerë organin gjenital. Sipas burimeve zyrtare nga Policisë, viktima ishte nga Bilishti, prej vitesh ishte larguar nga prindërit e saj dhe banonte në banesën e të moshuarit, në Lagjen Nr. 4 të Korçës.
ARRESTIMI
Policia e Korçës, në një deklaratë për shtyp të dhënë mbrëmë rreth orës 21:00, njoftoi zyrtarisht identifikimin e kufomës së gruas që u gjet dy ditë më parë e masakruar dhe arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes. “Më 13 gusht 2011, rreth orës 15:00, pas një pune intensive të mirorganizuar nga strukturat e Policisë në Drejtorinë e Policisë Korçë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, si dhe me Prokurorinë e Korçë, është bërë i mundur identifikimi i kufomës së gjymtuar të gjetur dy ditë më parë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në afërsi të fshatit Ravonik. Ajo është shtetasja Liljana Arapi, 42 vjeçe, lindur e banuese në qytetin e Bilishtit, e papunë dhe me gjendje civile e pamartuar. Gjithashtu, rreth orës 19:00, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë, i cili është shtetasi Gaqo Dumka, 84 vjeç, lindur në fshatin Dardhë dhe banues në Lagjen Nr. 4 Korçë”, thuhet të deklaratën e Policisë së Korçës. Gjithashtu, Policia sqaroi zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur paraditen e datës 11 gusht 2011, në ambientet e banesës së marrë me qira nga autori në Lagjen Nr. 4 të qytetit të Korçës, i cili jetonte prej disa kohësh me viktimën dhe e prezantonte këtë të fundit si mbesën e tij. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar telefoni celular i autorit dhe ai i viktimës, një sëpatë dhe dy thika, që dyshohen të jetë armët me të cilat është kryer krimi, rroba të viktimës dhe të autorit, si dhe janë fiksuar njolla gjaku në ambientet e brendshme dhe të jashtme të banesës së autorit.
DESHMIA E AUTORIT
Policia sqaroi mbrëmë se fillimisht 84-vjeçari Gaqo Dumka është shoqëruar për t’u marrë në pyetje në rrethanat e personit që ka dijeni për ngjarjen. Por, gjatë kohës që jepte deklarimet e tij para grupit hetimor të oficerëve të krimeve të rënda, i moshuari ka qenë disi i paqëndrueshëm dhe më pas ka pranuar se ka kryer vrasjen. I moshuari është shprehur se vrasjen e ka kryer për motive xhelozie, pasi kishte zbuluar se Liljana Arapi kishte edhe lidhje të tjera paralele dhe kryente marrëdhënie seksuale edhe me persona të tjerë. Ai është shprehur se fillimisht e ka goditur me thikë, duke e vrarë në kuzhinën e shtëpisë, e më pas e ka tërhequr trupin e saj drejt korridorit, duke e gjymtuar me sëpatë. Burimet sqaruan se marrja në pyetje e të dyshuarit ka vazhduar përgjatë gjithë natës, pasi herë pas here ai ndërpriste rrëfimin e tij për shkak të moshës së thyer. Ndërsa detajet e tjera të krimit pritet që të zbulohen gjatë ditës së sotme.

ligji parashikon lehtesi per te moshuarit

Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë në gji, ndaj një personi që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë, ose që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç, ose një personi toksikoman apo të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm.

I moshuari nuk tregon ku e ka fshehur kokën e viktimës

Ndonëse ka pranuar krimin, 84-vjeçari Gaqo Dumka duket sikur do të vazhdojë ta ruajë makabritetin e ngjarjes. I pyetur në polici pas ndalimit ai nuk ka pranuar të rrëfejë se ku e ka fshehur kokën e viktimës Liljana Arapi. Para oficerëve të policisë i moshuari i dyshuar si masakruesi i 42-vjeçares Arapi ka treguar dinamikën e vrasjes dhe të masakrimit të trupit të viktimës, por nuk ka treguar vendndodhjen e kokës. Burime pranë Policisë të Korçës bënë të ditur se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme i moshuari nuk kishte dhënë detaje në lidhje vendin ku është hedhur kjo pjesë e trupit të 42-vjeçares. Po sipas burimeve, marrja në pyetje e 84-vjeçarit për shkak të moshës së tij dhe pamundësisë shëndetësore, është bërë me ndërprerje për t’i krijuar atij mundësi çlodhjeje. Koka e viktimës është e vetmja pjesë e trupit të saj që ende nuk është gjetur nga policia. Pjesët e tjera, ndonëse të gjymtuara, u gjetën në pikën e grumbullimit të plehrave të qytetit, të vendosura në thasë të veçantë. Një nga personat e pranishëm në vendin ku u gjet trupi i viktimës pohoi për gazetën një ditë më parë se fillimisht kishin parë një qese plasmani të zi në plehra një dorë dhe një këmbë njeriu. Mbërritja e policisë në vendngjarje, kërkimet në zonë dhe kërkimet pranë vendit ku u gjet qesja e parë, zbuluan edhe qese të tjera me pjesët e trupit të viktimës Arapi. Në të njëjtin vend policia gjeti edhe rrobat, të cilat dyshohej se i përkisnin viktimës. Rrobat ishin një palë tuta sportive material sintetik me ngjyre blu dhe me shiritat anash roze dhe jeshile, si dhe një kanotiere bojë qielli me mbishkrimin “AC Original”. Korce/ Dhorjela Demkolli

© Panorama.al

Te lidhura