Identifikohen ekzekutorët e 29-vjeçares Rolanda Kaja nga Kavaja, e cila u gjet një javë më parë në kanalin e rrugës turistike Ishëm-Lalëz, rreth 45 km larg Durrësit.Një person është vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen me dashje të Kajës. Euxhen Muka, 26 vjeç nga Shijaku është arrestuar, ndërsa shoku tij, nga e njëjta zonë, Lefter Keçi është shpallur në kërkim. Policia e Durrësit konfirmon se një konflikt i kthyer më pas në presion mes viktimës dhe Keçit, person me të cilin kishte lidhje, u bë shkak për krimin. Bëhet fjalë për një shumë prej 20 mijë eurosh, e përfituar nga nëna e re në kushtet e prostituimit që ka çuar në ekzekutimin e saj. Kjo shumë mendohet të jetë marrë nga Keçi, duke mos i dhënë atë që i takonte 29-vjeçares, çka mendohet se ka sjellë “bezdisjen” e të dashurit, i cili ka kryer dhe rolin e tutorit. Kundërshtimi për t’i dhënë paratë e fituara nga Kaja, ka shtyrë së paku njërin prej të akuzuarve të marrë vendimin ekstrem, atë të ekzekutimit të vajzës me anë të intoksikimit të fortë ose me injeksion. Kjo pritet të saktësohet nga analizat që po kryhen në Tiranë.
Strukturave të hetimit të krimeve kundër personit u është dashur më pak se 1 javë për të mbyllur dosjen e shtetases Kaja dhe, pasi kanë shoqëruar plot 10 persona në qelitë e Durrësit, kanë mbajtur vetëm njërin prej tyre, shtetasin Euxhen Muka. Ndonëse 26-vjeçari nuk e ka pranuar krimin për të cilën është akuzuar, kjo nuk ka mundur t’i heqë atij hekurat nga duart. Rolanda Kaja, 29-vjeçarja nga Kryevidhi i Kavajës, është gjetur e vdekur në kanalin e rrugës Ishëm-Lalëz në mbrëmjen e 10 qershorit. Identifikimi i kufomës është bërë vetëm dy ditë më pas në Morgun e Tiranës. Policia, menjëherë pasi mësoi emrin e gruas së divorcuar që kishte punuar në lokale të ndryshme në plazhin e Durrësit, nisi të hetojë personin me të cilin ajo shoqërohej më së shumti. Burimet zyrtare të Policisë deklaruan se rasti në fjalë është vdekje natyrale për t’u dhënë mundësi oficerëve të policisë gjyqësore ta kishin më të lehtë mbledhjen e provave. Menjëherë është kërkuar nga gjykata me procedurë të përshpejtuar të krijohen lehtësitë për të përgjuar disa numra telefoni, në mesin e tyre edhe të dy personave të deklaruar si bashkautorë të krimit, Euxhen Muka dhe Lefter Keçi. Zbardhja e tabulateve të telefonisë celularë e kanë shtyrë policinë në ngritjen e akuzës. Burime zyrtare të Policisë së Durrësit thanë se Rolanda Kaja prej një viti ishte e lidhur me 26-vjeçarin Lefter Keçi, të cilit i kishte dhënë edhe një shumë prej 20 mijë eurosh, shumë e fituar me punën e saj të paligjshme. Që prej divorcit, 3 vite më parë, Kaja dyshohet se ka ushtruar aktivitet ilegal duke siguruar edhe shumën e mësipërme. 29-vjeçarja banonte në një apartament të marrë me qira, ndërsa policia ka thënë se Lefter Keçi e ka shfrytëzuar atë në aktivitetin e paligjshëm.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











