Gruaja e bashkiakut humb foshnjën, zbulohet klinika

Jun 2, 2011 | 10:05
ELVIS ROSHI, KRYETARI I SAPOZGJEDHUR I BASHKISE SE KAVAJES, GRUAJA E TE CILIT DJE DENONCOI RREMBIMIN DHE HUMBJEN E FOSHNJES

Denoncimi i Griselda Zaimit (Roshi) ka tronditur mesditën e djeshme  opinionin publik. Dëshmia për rrëmbim nga tre persona të panjohur dhe lindje të detyrueshme në një ambient privat, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Policinë. Çfarë deklaroi 27-vjeçarja para autoriteteve dhe kontradiktat në dëshmi. Në mbrëmje, Policia zbulon taksistin që dërgoi gruan e kryebashkiakut të Kavajës në një “klinikë” pranë Maternitetit të Ri të
Tiranës, ku dyshohet të jetë kryer ndërhyrja. Mister fati i foshnjes.  Bashkëshorti ndodhej në Itali në momentin e “rrëmbimit”. Gruas iu kërkua që të bënte një ekspertizë mjeko-ligjore, por ajo kundërshtoi, duke pretenduar se ishte e  rënduar psikologjikisht. Çfarë thonë gjinekologët për një rast të tillë, ç’ndodhte dje në Kavajë dhe vizita e Ramës dhe deputetëve të PS

Rrëmbimi, kontradiktat në dëshmi

Gruaja e Elvis Roshit heq fëmijën në një “klinikë” në Tiranë

Vendi ku pretendohet se është hedhur 27-vjeçarja

Gruaja e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Griselda Zaimi (Rro-shi), që ndodhej në muajin e nëntë të shtatzënisë, pretendoi dje se është rrëmbyer mbrëmjen e së martës në Tiranë nga persona që e detyruan të lindë fëmijën e më pas e hodhën në një rrugë në Kavajë.E tronditur nga ngjarja, por edhe me kontradikta në thëniet e saj, bashkëshortja e kryebashkiakut Elvis Rroshi ka rrëfyer para prokurorëve ngjarjen e rëndë, që sipas saj ka nisur të martën rreth orës 19:30, në afërsi të qendrës “Kristal” dhe është mbyllur rreth orës 03:30 të mëngjesit të djeshëm. Gruaja 27-vjeçare ka treguar për grupin hetimor se të martën ka dalë nga dyqani i bashkëshortit të saj, në qendrën “Kristal” në Tiranë. Sapo ka dalë në rrugë, është përballur me një makinë me xhama të zinj, nga e cila kanë zbritur dhe e kanë rrëmbyer tre persona të armatosur. Sipas gruas, rrëmbyesit e kanë goditur me një objekt të fortë pas koke dhe e kanë hipur në një fuoristradë me xhama të zinj. Ajo nuk ka arritur t’i shohë apo t’i njohë personat që e kanë rrëmbyer, por gjatë rrugës që udhëtonte me makinë, nga ku nuk mund të shihte asgjë, nga lëkundjet e automjetit ka pasur një ndjesi që po lëvizte në një terren me gropa. Më pas, Griselda Zaimi ka shpjeguar se personat që e rrëmbyen e kanë goditur sërish gjatë udhëtimit me makinë.
LINDJA E FEMIJES

Banesa e kryetarit te bashkise se kavajes

Pas disa minutash udhëtim, Griselda Zaimi ka pretenduar se ka parë veten në një ambient, që nuk e njihte dhe nuk e dinte se ku ndodhej. Ajo është shprehur se nuk arrinte të shihte njëri në dhomën ku ndodhej apo ndonjë person të veshur me rroba të bardha, që të ngjasonte me ndonjë mjek, edhe pse sipas saj, për një moment ka dëgjuar fjalët “doktori, doktori…”. Ajo nuk është në gjendje të kujtojë shumë detaje, por pak momente para se të humbiste ndjenjat, ka fiksuar se i kanë bërë një serum ose diçka të ngjashme, që sipas saj ka bërë të mundur lindjen e parakohshme të fëmijës. Ndërsa në lidhje me foshnjën, që sipas saj duhej të linde të paktën edhe për dy ditë, ajo nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë asgjë. Momenti i fundit që ajo mban mend nga rrëmbimi, është mëngjesi i ditës së djeshme, rreth orës 03:00, kur është hedhur nga makina në një rrugë pranë shtëpisë së saj, në lagjen “Zguraj”, në Kavajë. Nga aty dhe deri në shtëpi, përreth 70 metra, ajo ka treguar se ka shkuar zvarrë, e vetme dhe pa u ndihmuar nga njeri.
Kontradiktat
Historia e pazakontë është treguar dje nga Griselda Zaimi, gruaja e kryebashkiakut të Kavajës. Gjatë ditës së djeshme deri në darkë, versioni i rrëmbimit kriminal është shpjeguar nga vetë gruaja për prokurorët, të afërmit e familjarët e saj, por edhe për deputetët e PS që shkuan dje në banesën e Elvis Roshit në Kavajë. Por, në gjithë këtë rrëfim ka disa kontradikta. Një taksist deklaron se e ka shoqëruar 27-vjeçaren në një klinikë, kur ajo thotë se është rrëmbyer nga njerëz të armatosur. Më pas, kur mbërrin në klinikë, njëherë thotë se ka dëgjuar fjalën mjek, pastaj ka parë disa gra si mami dhe më tej shton se është goditur me tytë armë dhe më pas i kanë dhënë një ilaç nxitës për lindje.

Denoncimi i ngjarjes me telefon nga Italia

Prokuroria dhe Policia janë vënë në dijeni të rrëmbimit të Griselda Zaimit në orët e para të paradites së djeshme dhe denoncimi i parë është bërë nga bashkëshorti i saj, Elvis Rroshi, i cili ndodhej në Itali dhe u kthye dje në mesditë. Rroshi, i njoftuar nga të afërmit e tij për ngjarjen, ka lajmëruar me celular një inspektor policie të Kavajës, i cili ishte i afërm i tij, të cilit i ka kërkuar që t’i drejtohej Prokurorisë për atë çfarë kishte ndodhur. Menjëherë pas kësaj telefonate, denoncimi është bërë fillimisht në Prokurorinë e Kavajës, që më pas i është përcjellë Prokurorisë për Krime të Rënda, me akuzën “heqje e paligjshme e lirisë”. Ndërsa më vonë, denoncimi është kryer edhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në Sektorin e Krimeve të Rënda. Mësohet se, pavarësisht urdhrit të prokurorit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, Griselda Zaimi ende nuk e ka kryer këtë ekspertizë.

Taksisti: 27-vjeçaren e çova unë në “klinikë”

Zbulohet “klinika” ku është hequr nga barku i nënës foshnja e Griselda Roshit, gruas së Elvis Roshit, kryetar i Bashkisë së Kavajës.Pas një hetimi të shpejtë disa orësh, Policia e Tiranës ka gjetur dje në mbrëmje ambientin ku është kryer lindja e fëmijës së 27-vjeçares Griselda Zaimi (Roshi). “Klinika” në fjalë ndodhet në zonën e “Brrylit” në Tiranë, pranë maternitetit të ri. Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një klinikë të mirëfilltë të licencuar apo një ambient ilegal ku bëhen aborte. “Kemi gjetur ambientin ku është hequr fëmija, në vend-ngjarje grupi i hetimit ka gjetur edhe provat përkatëse që po ekzaminohen, kemi prova dhe dëshmi së tregojnë se shtetasja Griselda Roshi është mbajtur në atë ambient sa kohë nuk ka qenë në banesë”, kanë thënë dje burime të Policisë. Gjetja e një “klinike” të tillë është konfirmuar mbrëmë edhe nga burime të Prokurorisë, të cilat kanë kërkuar gjithsesi të jenë të rezervuara në dhënien e informacionit. Hetuesit ndërkohë theksojnë se klinika në fjalë ndodhet në të njëjtën lagje ku banojnë edhe prindërit e Griselda Roshit, gruas së kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi, e cila tronditi dje opinionin publik me ngjarjen e saj. Në ambientin në fjalë, që nuk konfirmohet nëse është hotel, banesë private apo klinikë legale apo ilegale, thuhet se janë gjetur elementë që përkojnë me ngjarjen e ndodhur Griselda Roshit, konkretisht rroba dhe gjurmë gjaku si dhe mostra të tjera të vlefshme për ekspertim.
Taksisti
Krahas gjetjes së klinikës ku është bërë heqja e foshnjës nga barku i nënës, policia mbrëmë shoqëroi fillimisht dy taksistë duke mbajtur më pas më gjatë në dhomat e hetimit njërin prej tyre. Ka qenë pikërisht taksisti që tregoi se e kishte transportuar Griselda Roshin nga zona ku ajo pretendoi se ishte rrëmbyer për në klinikën ku ka ndodhur aborti i fëmijës. Konfirmimi i këtij taksisti se i kishte shërbyer 27-vjeçares për ta dërguar tek klinika në fjalë, ka hedhur poshtë variantin e dhënë nga vetë protagonistja e ngjarjes dje gjatë ditës, kur theksoi se ishte marrë peng nga persona të armatosur me një makinë me xhama të zinj dhe ishte çuar në ambientin ku ndodhi aborti. Në dëshminë e saj të parë, gruaja e kryebashkiakut të Kavajës ka pretenduar se është rrëmbyer tek zona e Tiranës së Re, pikërisht në kohën kur po i afrohej vendqëndrimit të taksive për të shkuar më pas në banesën e prindërve të saj në Tiranë.
Hetimi në dy pista
Pak orë pas denoncimit të bërë dje në Prokurorinë e Kavajës e më pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga shtetasja Griselda Roshi, Prokuroria regjistroi procedim penal për rrëmbim personi me pasoja të rënda. Krahas kësaj vepre penale, së cilës i është referuar hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, burimet nga ky institucion kanë pohuar se nuk përjashtojnë edhe pistën e një ngjarje të simuluar në rrethanat e saj të panjohura më parë jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Menjëherë pas denoncimit të bërë dje për ngjarje, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në banesën e kryebashkiakut Elvis Roshi në Kavajë, zv.drejtuesin e saj dhe një prokuror për kryerjen e veprimeve procedurale ndërkohë që në orët e mbrëmjes, në hetimin e kësaj çështje është angazhuar edhe një prokuror i tretë. Grupi hetimor pas fakteve të zbuluara dje në mbrëmje duket se ka anuar më shumë nga një ngjarje kontradiktore dhe me shumë gjasa e simuluar në shumë pjesë të saj.

Mjekët: Lindja s’ndodh pa ndihmën e gruas

TIRANE – Mjekët pohojnë se lindja e fëmijës në kushte normale në rrethanat që pretendohet se kanë ndodhur me bashkëshorten e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, është thuajse e pamundur.  Sipas mjekëve, veçanërisht në rastet kur gruaja ka lindjen e parë, është tepër e vështirë dhe e rrezikshme që lindja të ndodhë në kushte rrethanore. Sipas mjekëve të fushës, kushtet ambulatore në fjalë edhe të shoqëruara me preparatet nxitës të lindjes, është e vështirë ta ndihmojnë realizimin e këtij procesi që mund të zgjasë me orë. Duke iu referuar pretendimeve për lindjen e foshnjës dhe rrëmbimin e saj në një ambient privat apo “të fshehtë”, mjekët thonë se është e pamundur që kjo të ndodhë. “Nëse gruaja është qëlluar e ka humbur ndjenjat, lindja e fëmijës pa ndihmën dhe bashkëpunimin e nënës është e pamundur dhe realizohet vetëm me vdekjen e foshnjes”, thane mjekët. Duke marrë në analizë gjendjen shëndetësore të 27-vjeçares ditën e djeshme, e cila me përjashtim të tronditjes nuk ka pasur probleme të tjera, sipas mjekëve është e pamundur që lindja të ketë qenë në kushte ambulatore dhe pa praninë e personelit mjekësor.

Kavajë, vendi ku u hodh gruaja kishte dëshmitarë: S’e kemi parë

TIRANE – Vendi ku Griselda Zaimi (Rroshi) pretendon se është hedhur nga personat që e kanë rrëmbyer, ndodhet në një rrugicë në lagjen “Zguraj” në Kavajë, pranë një shkolle. Ky vend ndodhet 5-6 metra nga rruga kryesore, në rrugën “Mehmet Ballamishta” dhe rreth 70 metra larg banesës ku jeton familja e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. Fare pranë zonës ku dyshohet se është hedhur gruaja 27-vjeçare, rreth orës 03:30 të mëngjesit të djeshëm, ndodhet një qendër interneti, e cila në këtë orë, por edhe më vonë, rezulton të ketë qenë e hapur. Të paktën disa punonjës të kësaj pike, të cilët treguan dje se kanë qenë në punë në atë orë, treguan se nuk kanë parë asgjë të dyshimte në atë zonë. Madje ata treguan se qendra e internetit ka qenë vazhdimisht e hapur deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa ata vazhdimisht dilnin e pinin cigare jashtë. Distanca mjaft e vogël, vetëm prej disa metrash, me një fushëpamje të lirë deri në vendin ku pretendohet se është hedhur gruaja e Elvis Rroshit, nuk i pengonte personat që ndodheshin pranë qendrës së internetit që të shihnin dhe të dëgjonin çdo gjë të dyshimtë. Por ata mohojnë të ketë pasur lëvizje makinash apo edhe këmbësorësh në atë zonë rreth orës që përflitet, por edhe më vonë, për aq kohë sa ata kanë qenë aty. Përgjatë gjithë pasdites së djeshme, përreth banesës së familjes Rroshi qëndronin persona të ndryshëm, të afërm, fqinjë, por edhe kureshtarë, të cilët prisnin për të mësuar diçka se çfarë kishte ndodhur. Fqinjë të afërt të familjes Rroshi, treguan dje se i njohin pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes, por Griseldën, bashkëshorten e kryebashkiakut, nuk e kishin parë shpesh dhe pothuajse nuk e njihnin.

Ekspertiza
Ditën e sotme në orën 09:00, shtetasja Griselda Roshi pritet të paraqitet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore. Realizimi i një ekspertize të tillë nuk ka qenë i mundur dje, për shkak se gruaja nuk ka pranuar t’i nënshtrohej kontrollit. Ndërkohë, mbrëmë vonë grupi i hetimit pohoi se kishte rënë në marrëveshje dhe ka marrë miratimin e 27-vjeçares për t’u paraqitur sot në ora 09:00 për ekspertizën mjekoligjore. Është kjo ekspertizë e cila do të përcaktojë në mënyrë përfundimtare, nëse lindja e fëmijës ka qenë e shëndetshme, e nxitur nga faktorë të jashtëm apo nga shkaqe të tjera.

Rama me bashkëshorten Linda në familjen e Elvis Roshit

Kreu socialist, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda, ishte dje në familjen e Elvis dhe Griselda Roshit në Kavajë. Mbrëmë rreth orës 21:00, Rama ka mbërritur në Kavajë në banesën e kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, Elvis Roshi, i kandiduar nga Partia Socialiste në 8 maj. I shoqëruar nga bashkëshortja dhe miku i tij Erion Veliaj, Rama ka qëndruar për rreth gjysmë ore në shtëpinë e Roshit, aty ku familjarë dhe miq të tij ishin mbledhur për të marrë vesh rrethanat se si është zhvilluar ngjarja. Rama nuk ka preferuar të bëjë asnjë koment, ndërsa është njohur nga Roshi rreth ngjarjes. Dje pasdite, kryesocialisti anuloi sipas Partisë Socialiste një konferencë shtypi në selinë rozë, për të qenë pranë mandatarit të PS për Bashkinë e Kavajës. Por më parë në Kavajë kishin mbërritur një grup deputetësh socialistë, rreth 20, të cilët qëndruan deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Paulin Sterkaj, Dashamir Peza, Artan Gaçi, Ledi Shamku, Damian Gjiknuri, Vasilika Hysi, Eduard Shalsi, Ditmir Bushati etj. Ishin dje pranë kryetarit të Bashkisë së Kavajës në formë solidariteti dhe mbështetje për të kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe çuarjen para drejtësisë të autorëve. Gjatë gjithë mbrëmjes deputetë socialistë, qytetarë, të afërm dhe komshinj të kryetarit të Bashkisë së Kavajës kanë populluar oborrin dhe rrugën përpara pallatit ku banon familja Roshi. Të kontaktuar në telefon, deputetë socialistë nuk dhanë asnjë version rreth ngjarjes apo pistë të drejtësisë, por e konsideruan këtë një ngjarje të paprecedentë dhe kriminale. Pritet që sot të ketë deklarata zyrtare rreth kësaj ngjarje edhe nga ana e Partisë Socialiste.

Hetim mjekeve të klinikës

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia e Tiranës kanë shoqëruar mbrëmë 25 persona për ti marrë në pyetje në lidhje me abortin e gruas së kryebashkiakut të Kavajës. Mes të shoqëruarve mësohet se veç dy taksistëve janë edhe disa persona që pretendohet se janë mjekë dhe staf i klinikës ku dyshohet se është kryer heqja e foshnjës nga barku i nënës. Hetimet kryesore janë përqendruar mbi këta persona me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Elvis Roshi u zgjodh me 880 vota plus

Kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi u zgjodh në zgjedhjet e 8 majit me një diferencë prej 800 votash ndaj kandidatit demokrat, duke marrë në total 6008 vota. Në një dalje publike me kreun e PS-së Edi Rama, Roshi tha se do të jetë bashkiaku i të gjithë qytetarëve të Kavajës. “Do jem një kryetar bashkie që do i shërbej qytetin tim. Do jem një kryetar që do i shërbej si demokratëve dhe socialistëve. Do realizoj angazhimet e mia që kam marrë para bashkëqytetarëve të mi. Ju them të gjithë komisionerëve, mos u trembni ruajini votën siç e ruajta unë deri në fund, sepse jemi fitues në të gjithë Shqipërinë. Ju lutem mos nënvlerësoni, ruajeni votën deri në fund”, tha Roshi.

 

ETLEVA DELIA

 

© Panorama.al

Te lidhura