Foto e vilës, e vendosur dje në Facebook nga gruaja e Klosit, me njoftimin “FOR SALE MY HOUSE IN TIRANA”
Jutta Benzeberg, bashkëshortja e publicistit të ndjerë, tre muaj pas vdekjes, njofton shitjen në Facebook.
Del në shitje shtëpia e Ardian Klosit, vila pranë Liqenit të Thatë në Sauk të Tiranës, ku ai bëri dy tentativa për vetë-vrasje dhe të tretën e kreu. Bashkëshortja e publicistit të ndjerë, Jutta Benzenberg, publikoi dje në profilin e saj personal në Facebook foton e shtëpisë luksoze, duke e shoqëruar me njoftimin në anglisht: “FOR SALE MY HOUSE IN TIRANA. Photo Jutta Benzenberg” (Për shitje, shtëpia ime në Tiranë. Fotografia Jutta Benzenberg). Pas këtij lajmërimi që u shfaq dje pasdite rreth orës 18:00, tre miq të Jutta Benzenberg komentuan në gjermanisht, por çmimi i vilës nuk u arrit të kuptohej. Jo vetëm për shkak të gjuhës së huaj, por edhe se bashkëshortja e të ndjerit Klosi e hoqi shumë shpejt njoftimin. Rreth orës 21:00 të mbrëmjes ajo fshiu foton e shtëpisë, së bashku me komentet shoqëruese.
Vila gjendet në periferi të Tiranës, në krahun juglindor të Liqenit të Thatë të Tiranës, që tashmë është shndërruar në një zonë luksoze. E rrethuar me një mur gjigant, shtëpia është me 3 kate dhe bodrum, ndërsa oborri është komplet me
Jutta Benzenberg
lulishte dhe pemë. Për ndërtimin e saj, në një intervistë dhënë për gazetën “Panorama”, motra e madhe e publicistit, Emira Smokthina, deklaroi se Klosi shumë objekte i kishte ndërtuar me duart e tij. “Dani kishte pasion të punonte drurin dhe të rregullonte gjërat e vjetra. I pëlqente të luante rolin e marangozit. Madje, kishte blerë të gjitha veglat e duhura në shtëpinë e tij. Dyert e shtëpisë dhe shumë orendi të tjera prej druri i kishte punuar vetë, me një pasion të paparë. Po ashtu, shumë objekte antike i meremetonte dhe i kuronte, duke i risjellë në stilin e vjetër, por me punim të ri”, tha motra e Klosit, një ditë pasi i vëllai i ndërroi jetë. Tashmë, ende pa u mbushur 3 muaj nga funerali i shkrimtarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit të njohur Ardian Klosi, shtëpia e tij është nxjerrë në shitje nga bashkëshortja e tij gjermane, Jutta Benzenberg. Mbetet e paqartë nëse vila shitet për shkak të vesë i nevojiten para pas vdekjes së Klosit, apo se ajo mund t’i ngjallë kujtime të hidhura, për shkak se në dhomën e gjumit, në mesnatën e 26 prillit, bashkëshorti iu vetëflijua. Nga raportimet e Policisë, u mësua se ka qenë Benzenberg që e ka gjetur Klosin të varur në litar. Pavarësisht ndihmës së parë që i është dhënë nga ajo, ai nuk ka pasur më shenja jete.
Vajzat e publicistit Pas vdekjes së Klosit, mësohet se Jutta Benzenberg, së bashku me dy vajzat Hanna dhe Katarina, po jetojnë në të njëjtën vilë. E madhja, Hanna, edhe pse kishte nisur të jetonte në Paris për shkak të studimeve, duket se i ka lënë ato në mes, pasi po qëndron në Tiranë pranë nënës dhe motrës më të vogël, Katerina gjimnaziste.
Shkarkimi nga puna i Klosit
Ardian Klosi
Përkthyesi, publicisti, njeriu i letrave në përgjithësi, i cili ndërroi jetë më datën 26 prill, mbajti për 8 vite pozicionin e drejtorit ekzekutiv pranë shoqatës kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”, u pezullua krejt papritur në janar. Në ditët e para të fillimvitit ai bëri tentativën e parë të vetëvrasjes dhe u shtrua për 3-4 ditë në spital për kujdes mjekësor. Por, pas daljes që andej, ai u përball me shkarkimin pa paralajmërimin.
Kozara Kati
Publicisti Ardian Klosi e kishte menduar aktin vetëvrasës prej muajsh. Fiks gjashtë muaj, kohë në të cilën iu qasën tri probleme njëkohësisht. Humbi nënën në nëntor, u pushua pas 8 vitesh kontribut nga puna në institutin “Goethe” në janar dhe sakaq, jeta private duket se nuk i eci dhe aq mirë. Për këtë të fundit, Kozara Kati, mikja e tij e fëmijërisë, por edhe e kauzave të përbashkëta, nuk dha detaje gjatë intervistës së saj për gazetën “Panorama”. “Bisedat për Jutën janë krejt private, shumë konfidenciale, dhe nuk mundem dot që t’i tregoj. Më pati thënë që ka pasur probleme në familje, por për këto askush më mirë sesa Juta nuk i di. Ndaj, kur pyetjet përmbajnë emrin e saj, duhet pyetur ajo dhe jo unë”, tha Kati.
Rudina Xhunga
Mes lotëve dhe pendimit u përcoll Klosi për në banesën e fundit, më 28 prill, ku miqtë bënë homazhe me lule në duar, por edhe e pranuan hapur: Të kishim bërë më shumë për Danin. Siç ishte rasti i gazetares Rudina Xhunga, që ishte edhe e zgjedhura e familjes për të mbajtur fjalimin. “Sot, tek jam në takimin e fundit, nuk arrij të kuptoj pse i bija aq larg edhe gjatë. Pse nuk e ndaloja kur e ndeshja në shëtitjen liqenit, dhe thjesht ta pyesja. Pse bëja sikur nuk e shikoja, kur ai vinte përballë meje me biçikletë dhe unë me kapele e syze ulja kokën. Ishte kaq e thjeshtë. Unë e ndërlikoja, duke dashur t’i dërgoja mesazhe në hapësirë, kur ai ishte dy hapa afër, çdo pasdite nga liqeni. Mund ta kisha pyetur çdonjërën prej atyre ditëve: “Si je Dan? Bëj dot gjë për ty?” “Sot është vonë…”.