
Fituesi i vërtetë i zgjedhjeve italiane, komediani Bepe Grillo, i ka thyer një përgjigje fyese ftesës së kreut të koalicionit të qendrës së majtë, Pier Luixhi Bersani, duke e quajtur atë “të vdekur që flet”. “Bersani është një ngacmues politik, prej ditësh po bezdis. Lëvizjen 5 Yjet me propozime të pavenda në vend që të japë dorëheqjen, siç do të bënte gjithkush tjetër në vendin e tij. Ka arritur madje të humbasë duke fituar”, shkruan lideri i “Lëvizjes 5 yjet” në një koment me titullin “Bersani, i vdekur që flet”. “I ka kaluar muajt e fundit duke formuluar gjykime tërësisht politike”, shton Grillo, duke renditur të gjithë sulmet e marra në fushatë elektorale nga sekretari i PD-së. Që nga “autokrat leckash” e deri te “do të ma çojë në shkatërrim”. “Tani ky dështak ka arrogancën të kërkojë mbështetjen tonë (…) Por M5S (Lëvizja 5 yjet) nuk do t’i japë asnjë votëbesim PD-së (as të tjerëve). Do të votojë në sallë vetëm ligjet që respektojnë programin e saj, cilido qoftë ai që e propozon. Nëse Bersani dëshiron të propozojë anulimin e kontributeve për partitë që nga zgjedhjet e fundit do ta votojmë menjëherë (Lëvizja 5 Yjet ka refuzuar 100 milionë eurot që i takonin për fushatën), nëse do të vendosë në kalendar të ardhurat e qytetarëve, do ta votojmë me pasion”, ka shkruar ai.
Reagimi i Bersanit
Replika e lideri të PD-së ka qenë shumë e shpejtë: “Atë që duhet të më thotë Grillo, përfshirë edhe fyerjet, dua ta dëgjoj në Parlament. Dhe atje gjithkush do të marrë përgjegjësitë e veta”. Në mëngjes, gjatë mbërritjes në selinë e partisë së tij, PD, Bersani ka thirrur këshillin nacional të partisë për të martën e ardhshme. Ai ka konfirmuar pozicionin e tij: jo qeverisë së gjerë me PDL, përpjekje për të hapur dialog me “Lëvizjen 5 yjet”.
Protesta në blog
Ndërkohë në blogun e Grillos, pas përgjigjes së “Lëvizjes 5 yjet” për ofertën e Bersanit, qindra komente i kanë kërkuar atij të jetë pragmatist. “Mund të bëjmë konflikt interesash, ligj antikorrupsion, të ulim numrin e parave dhënë parlamentarëve, ligj elektoral. Dhe lideri fiksohet me fyerje për Bersanin?”, ishte një prej komenteve. Ndërsa një tjetër shkruante se “vendin mund ta ndryshojmë duke arsyetuar me të tjerët”.
© Panorama.al“Kujdes me tregjet”
Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve italiane, ka theksuar se paqartësia rrezikon të minojë tregjet e eurozonës. “Këtë e pamë një vit më parë me zgjedhjet në Greqi. Pasiguria politike lëkundi tregjet dhe kjo ndikoi edhe në vende të tjera”, tha Shaubëll për “Reuters”.Napolitano: Na respektoni
Presidenti italian, Xhorxho Napolitano, gjatë vizitës në Gjermani ka anuluar takimin me kandidatin socialdemokrat për Kancelarinë, Peer Steinbrueck, pasi ai deklaroi se ishte e pavend fitorja e dy palaçove, duke iu referuar Berluskonit dhe Grillos. “E respektojmë Gjermaninë, por edhe kërkojmë respekt”, tha Napolitano.











