
Sot është dita e 22-të e grevës së urisë, ndërkohë që ende nuk ka asnjë zgjidhje.Vendin e protestave në rrugë, sheshe e mjediset e ACR-së e kanë zënë deklaratat e shumta të palëve dhe prononcimet e pakta mediatike të politikanëve, kryesisht deputetëve të qarkut Dibër, Qemal Minxhozi, Bedri Hoxha e Selami Xhepa. Ajo që duhet theksuar është fakti se minatorët janë në udhëkryq dhe Bulqiza është aktualisht një qytet kaotik, pasi të gjithë e kanë mendjen te 14 minatorët e ngujuar në thellësitë e minierës dhe te fati i 700 minatorëve që kanë ndalur punën që në fillim të muajit korrik. Dita e djeshme nisi si ditët e tjera, por pa protesta, fjalime apo vizita te grevistët. Një grup minatorësh dhe familjarë të tyre u ngjitën lart, mbi qytet, te “galeria e vdekjes”, për të mësuar rreth shëndetit të minatorëve të ngujuar. Bashkë me ta edhe drejtuesit e Konfederatës dhe komisionit të grevës së urisë. Mësohet se minatorët mbështetës të grevës kanë kërkuar që të mblidhen strukturat sindikaliste dhe të mendohet për veprime të tjera sindikaliste, pasi firma e huaj dhe METE nuk po reagojnë ndaj kërkesave të minatorëve. “Minatorët po ngrenë aktualisht një shqetësim shumë të madh, atë të perspektivës së minierës, e cila po shkon drejt degradimit total për shkak të mungesës së investimeve të premtuara. Duke parë se jo të gjithë politikanët dhe drejtuesit vendorë janë në mbrojtje të interesave të minatorëve, këshilli sindikal ka vendosur që kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, të mos jetë më tej pjesë e negociatave mes minatorëve dhe ACR-së. Keta gabimisht doli kundër qytetarëve që e kanë votuar”, u shpreh kreu i Konfederatës së Industrisë, Taf Koleci. Dje, paradite grevistët e urisë janë vizituar nga presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Minatorëve, Kol Nikollaj. Pas takimit me 14 grevistët, Nikollaj u shpreh se gjendja e tyre shëndetësore është mjaft e rëndë dhe se kërkohet ndërhyrje e firmës ACR, Ministrisë së Ekonomisë, kryeministrit Berisha dhe ambasadorëve për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve. “14 minatorët grevistë janë të vendosur të vazhdojnë grevën e urisë deri në nënshkrimin e marrëveshjes me firmën e huaj. Megjithëse janë në kushte mjaft të rënda, ata u shprehën se do të vetëflijohen deri në plotësimin e të gjitha kërkesave. Ata kërkuan që minatorët e sipërfaqes dhe banorët e qytetit të protestojnë dhe t’i mbështesin grevistët”. Nikollaj theksoi se dita e djeshme ka shërbyer më shumë si ditë e konsolidimit të lëvizjeve të reja sindikaliste. Sot, paradite do të zhvillohet një mbledhje e komisionit të grevës së urisë dhe Këshillit Sindikal të minierës, në prani të drejtuesve të lartë të Konfederatës së Sindikatave. “Në këtë mbledhje ne do të përcaktojmë hapat që do të ndjekim deri në plotësimin e kërkesave të minatorëve. Ende nuk është vendosur çfarë do të bëjmë, por që herët do të dalim me një deklaratë për mediat dhe publikun”, nënvizoi Nikollaj. Edhe dje ai u bëri thirrje kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë të mundësojnë një vizitë në këtë qytet, për të parë se si shkelen të drejtat e njeriut në Shqipëri. Po sot pritet që deputetët e qarkut të Dibrës të jenë pranë minatorëve të Bulqizës, pasi shumica e tyre u kanë dhënë të drejtë minatorëve, madje deputeti Bedri Hoxha kërkoi publikisht heqjen e licencës për firmën austriake ACR.
Afishet në qytet
Në mjedise publike të qytetit drejtuesit e Këshillit Sindikal kanë vendosur afishe ku u bëhet thirrje qytetarëve të vihen në mbështetje të grevistëve dhe 700 minatorëve. Me anë të kësaj thirrjeje synohet një sensibilizim më i madh i banorëve të qytetit të minatorëve, të cilët flenë dhe zgjohen me protesta dhe grevën e urisë. Që prej 4 korrikut, sindikalistët ndodhen pranë minatorëve në përpjekje për të zgjidhur kërkesat e tyre; rritje të pagës, kryerjen e investimeve, përmirësimin e kushteve të punës, largimin e drejtorit të minierës etj.
Kol Nikollaj, thirrje nga “Facebook” për grevën
Në rrjetin “Facebook”, duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, Kol Nikollaj, president i KSSH-së, komenton kështu: “Të dashur lexues dhe ju argëtues. Unë jam personazhi real që i njoh shumë mirë dhe i kam të gjithë miq ata minatorë. Ata janë shumë njerëz të mirë, të zgjuar, fisnikë, të dashur e të respektuar, por shumë të varfër dhe të braktisur. Shteti ka luajtur me ata për vite me radhë duke i shfrytëzuar barbarisht dhe keqpërdorur politikisht për korrupsion, trafik kromi e influencash politike. Ata s’kanë deputetë, as prefekt, as pozitë, as opozitë, s’ka kush t’i mbështesë. Të gjithë duan që ata të ulin kokën dhe të robtohen e mbi gjakun dhe djersën e tyre këta të pasurohen e të lumturohen. E kjo s’ka për të ndodhur më kurrë. Ata janë të betuar të luftojnë deri në fund me çdo mjet demokratik e me çdo çmim ekonomik e fizik. Për t’i thënë NDAL këtij turpi dhe maskarallëku që administratorë të papërgjegjshëm të ACR kanë flirtuar me pushtetarë të korruptuar dhe fatkeqësisht janë ngjizur e kanë mbetur shtatzënë, siç thotë populli, me njëri-tjetrin e nuk ndahen dot”.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











