
Degjeneron në dhunë dita e dytë e protestës së minatorëve të Bulqizës. Çdo negociatë ka dështuar mes minatorëve dhe firmës “ACR” që në pikën e nisjes, pasi nuk bihet dakord për vendin e takimit, ndërsa sot mbushen plot 19 ditë që 13 grevistë janë ngujuar në thellësitë e minierës. Ka qenë ora 08:30 kur është shënuar përplasja mes banorëve të Bulqizës me efektivat e policisë së qarkut Dibër dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhura nga Tirana e Shkodra. Drejtori i Policisë në Dibër, Artan Hasanaj dhe zyrtarë të tjerë të policisë janë përpjekur t’i bindin protestuesit se ata nuk duhet të bllokonin rrugën nacionale, mirëpo turma e minatorëve dhe qytetarëve që i mbështesin prej ditësh kanë marshuar nga qendra e qytetit në drejtim të Qafë-Buallit. Në krye qëndronin gratë e minatorëve të ngujuar në galeri, ndërsa i mbështesnin qindra banorë të qytetit. Te vendi i quajtur “Kthesa e 41-shit” është regjistruar përplasja e parë fizike mes turmës dhe policisë, madje ka pasur konfrontime të forta. Burra që shtriheshin përtokë për të bllokuar aksin nacional Peshkopi-Tiranë dhe gra që kacafyteshin me efektivë të policisë së rendit të ardhur nga Dibra, Mati e Bulqiza, si dhe me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Për minuta të tërë nuk janë ndalur përplasjet fizike, kërcënimet e fyerjet drejtuar firmës “ACR”.
Një ditë më parë policia njoftoi nëpërmjet një komunikate për shtyp se kishte marrë në ndjekje penale Luan Nikën, kryetar i komisionit të grevës së urisë dhe Sadik Kamishin e Bajram Dukën, anëtar të komisionit të grevës së urisë. Po ashtu, procedimi penal ka filluar edhe ndaj 27 shtetasve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këtë organizim të paligjshëm. Pas përplasjes me policinë, protestuesit kanë qëndruar për disa orë përpara Bashkisë së Bulqizës, të ulur mbi asfalt. Në këtë rast policia nuk ka ndërhyrë, derisa protestuesit janë shpërndarë paqësisht.
Dështon takimi i radhës

Organizatorët e grevës dhe përfaqësues të minatorëve janë njoftuar mbrëmjen e së martës se përfaqësuesit e ACR-së do t’i presin në takim minatorët në qytetin e Peshkopisë. Giga Bedineishvili thuhet se ka udhëtuar nga Tirana drejt Peshkopisë nëpërmjet shtetit maqedonas, pa kaluar në Bulqizë, aty ku ACR ka marrë me koncesion minierën e kromit. Që në orët e para të mëngjesit ka udhëtuar drejt Peshkopisë dhe kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta, i cili u ka bërë disa telefonata drejtuesve të këshillit sindikal të minatorëve që të respektonin këtë takim. Mirëpo, mesnatën e të martës, 13 grevistët e urisë dhe komisioni i grevës kanë vendosur të mos jenë të pranishëm në këtë takim. Luan Nika, kryetari i komisionit të grevës së urisë, tha për “Panoramën” se grevistët e urisë dhe këshilli sindikal i minatorëve nuk janë dakord të marrin pjesë në këtë takim. “Firma ‘ACR’ e ka pronën e saj në Bulqizë dhe jo në Dibër. Së dyti, në atë takim janë thirrur dy persona, gjoja përfaqësues të Sindikatës së Pavarur, ndërkohë që minatorët e Bulqizës janë të anëtarësuar në Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë dhe ata kanë lidhur kontratën e punës me firmën e huaj. Ky është takim i trukuar dhe nuk i zgjidh kërkesat tona. Në qoftë se deri sot në mbrëmje (dje) nuk do të zhvillohet takimi me minatorët në Bulqizë, në prani të presidentit të Konfederatës Kol Nikollaj e presidentit të Konfederatës së Industrisë, Taf Koleci, ne deklarojmë se nuk do të marrim pjesë në takimet ku i pranishëm do të jetë përfaqësuesi i ACR-së, Giga Bedineishvili, por do të pranojmë të takohemi vetëm me pronarin e Albanian Chrom”, deklaroi Nika.
Protestat e minatorëve që prej 4 korrikut
Më 4 korrik, 700 minatorë të Bulqizës ndalën punën në minierën e kromit të Bulqizës, pas shumë paralajmërimeve për plotësimin e disa kërkesave ekonomike, si: rritja e pagës, kryerja e investimeve të premtuara dhe largimi i subjekteve të palicencuara nga territori i ACR-së. 18 ditë më parë, 20 minatorë vendosën të ngujohen 1400 metra nën tokë, në nivelin e 14-të. Kanë kaluar 38 ditë nga ndërprerja e punës në minierën më të madhe në vend dhe ende nuk ka një marrëveshje mes kompanisë koncesionare “Albanian Chrom” dhe minatorëve. Ajo që të çudit është fakti se drejtuesit e firmës austriake prej javësh nuk guxojnë t’i takojnë minatorët në qytetin e Bulqizës. Nga ana e tyre, minatorët kanë protestuar paqësisht. Kanë demonstruar pranë zyrave të ACR-së në Bulqizë e Tiranë, në sheshin “Minatori” në Bulqizë dhe në kryeqytet. Kanë kërkuar vazhdimisht takime me zyrtarë të ACR-së. Mirëpo ndodhi ajo që nuk pritej. Firma nisi t’i akuzojë drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, duke shkuar deri në akuza të rënda. Ndërkaq, përfaqësuesit e ACR-së nuk i ndalën reagimet e tyre ndaj Sindikatës së Minatorëve. Ajo që nuk po zbardhet ende janë kërcënimet e shumta të minatorëve me fletushka që nuk mbajnë vulën e ACR-së, por ka ndodhur që mbi to të ketë vula të institucioneve të tjera. Kur gjithçka mbeti pezull e jeta e minatorëve grevistë po vihet në rrezik, minatorët dhe familjarët e tyre vendosën të bllokojnë rrugën nacionale.
RISHM: “Policia të nxjerrë me forcë minatorët grevistë”
“Policia të nxjerrë me forcë minatorët grevistë nga miniera”. Kjo ishte deklarata e drejtorit të Repartit të Shpëtim Minierave, Sajmir Zekaj. “Heqja e ujërave është kryer nga grevistët, ndërsa mirëmbajtja e punimeve nuk është duke u kryer nga askush. Nga matja e ajrimit, e kryer në nivelin e 14-të u konstatua se sasitë e ajrit që hyjnë në këtë nivel janë poshtë normave të parashikuara në projektin e ajrimit. Niveli i oksigjenit në punimet kryesore dhe në afërsi të vendit ku zhvillohet greva është në kufijtë minimalë, të lejuar”, është një fakt i njohur tashmë nga minatorët e Bulqizës. Zekaj tha gjithashtu se punimet e nënkateve në nivelin e 15-16 kanë filluar shembjen e armatimit prej druri në segmente të veçanta. Kjo ka ardhur si rezultat i ndërprerjes së punimeve dhe mungesës së kontrollit për një kohë të gjatë nga specialistët përkatës”. Minatorët thanë se RISHM-i e ka ditur më parë gjendjen e minierës. Zekaj i bëri thirrje policisë së shtetit të ndërhyjë “urgjentisht për evakuimin e njerëzve që ndodhen në minierë, për të bërë të mundur sigurimin e jetës së tyre si dhe të vetë minierës që është pasuri kombëtare”. Ndërsa nga ana e grevistëve është kundërshtuar me forcë kjo deklaratë.
Koleci: Në bisedime vetëm minatorët
“Situata në qytetin e minatorëve ka agravuar keq. Fëmijë, burra e gra zgjohen që herët në mëngjes dhe vetorganizohen për të protestuar në mënyra të ndryshme. Janë familjarët e minatorëve të ngujuar prej 18 ditësh që janë vënë në krye të protestave popullore”, tha Taf Koleci, kreu i Sindikatave. “Herë pas here thirremi në polici, por asgjë tani nuk varet nga Konfederata e Sindikatave. Rëndimi i gjendjes shëndetësore të grevistëve ka shtuar reagimin e komunitetit dhe pasojat nuk dihen”, tha numri një i Konfederatës. Sipas tij, gracka e ngritur nga ACR-ja për t’u ulur në bisedime me persona që nuk kanë lidhje me sindikatën e minatorëve, por persona të rekrutuar nga Gëzim Kalaja, do të ketë të tjera pasoja për firmën austriake.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











