Greva greke bllokon qarkullimin në pikën kufitare të Kapshticës. Për 48 orë, duke nisur nga mëngjesi i djeshëm, asnjë mjet nuk mund të depërtojë në tokën helene apo anasjelltas.Punonjësit e pikës greke të kufirit i janë bashkuar protestës duke mbyllur sportelet për kontrollin e makinave. Kjo ka qenë e papritur për udhëtarët, të cilët prej orës 06:00 të mëngjesit e deri në orët e mesditës së djeshme nuk dinin se çfarë po ndodhte. Gjatë kësaj kohe, 3 korsi ishin krijuar nga radhët e qindra mjeteve dhe autobusëve të mbushur me udhëtarë që shkojnë me pushime ose kanë lënë punën në shtetin fqinj. Udhëtarët që e kanë pasur të detyrueshme të kalonin në anën tjetër të kufirit e kanë bërë këtë në këmbë. Pasi janë njoftuar nga pala shqiptare për grevën 48-orëshe që pritet të mbahet nga ana e sindikatës së punëtorëve grekë, ata kanë bërë zgjidhjen duke u kthyer thuajse të gjithë pas. Në pikën kufitare ka pasur udhëtarë nga zona të ndryshme të vendit, një pjesë e madhe e të cilëve me familje dhe që duhet të ishin brenda ditës së djeshme në Greqi. Ata janë kthyer pas për të gjetur mënyra të tjera, siç ishte dhe pika e Kakavijës në Gjirokastër, e cila ka funksionuar normalisht dhe e pacenuar nga greva. Autoritetet e Policisë Kufitare shqiptare në Kapshticë kanë kontaktuar me palën greke dhe janë njoftuar se të paktën deri në orën 05:00 të së enjtes nuk do të kryhet asnjë lloj veprimi për qarkullimin ndërkufitar për shkak të grevës së përgjithshme në Greqi, që ka përfshirë edhe këtë doganë. Nga burime të Policisë Kufitare në Kapshticë mësohet se vetëm një numër i pakët udhëtarësh që kanë lëvizur si këmbësorë kanë mundur të kalojnë në shtetin fqinj gjatë ditës së djeshme. Bllokimi i doganës së Kapshticës ka ardhur pas një dite të ngarkuar me lëvizje ndërkufitare, nga ardhjet dhe largimet e udhëtarëve në Greqi. Sipas të dhënave të Policisë Kufitare në Kapshticë, në ditët e fundit janë regjistruar mesatarisht 6 mijë hyrje dhe dalje në të dyja anët e kufirit nga sezoni i verës, që sjell lëvizje të shumta për pushuesit në të dyja drejtimet. Edhe kjo lëvizje udhëtarësh ka shkaktuar më parë rëndim të qarkullimit ndërkufitar në Kapshticë, por kjo doganë është bllokuar thuajse tërësisht nga puna e ndërprerë prej palës greke gjatë ditës së martë.
Kakavija
Dogana e Kakavijës në Gjirokastër shpëtoi dje nga greva e përgjithshme greke. Nuk dihen arsyet, por udhëtarët në këtë pikë kufitare, më e madhja tokësore në Jug, kanë qarkulluar normalisht bashkë me mjetet e tyre. Aktualisht në këtë pikë ka fluks, pasi një pjesë e mirë e emigrantëve kanë nisur të kthehen për pushimet e verës në atdhe, ndërsa liberalizimi i vizave ka favorizuar dhe ikjet në masë të shqiptarëve drejt Greqisë.
KAPSHTICE/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











