Greqia sërish në rrezik, Venizelos nuk merr mbështetjen e Syriza

May 12, 2012 | 14:14
Nga takimi Samaras-Venizelos

Greqia po lufton për krijimin e një qeverie për të mos shkruar sërish drejt zgjedhjeve të reja, që përsëri nuk do të ofronin   asnjë garanci për përmirësimin e situatës. Mandati është në duart e kreut të PASOK, Evangelos Venizelos, pas dështimit të dy forcave të para politike pas zgjedhjeve të 6 majit, “Demokracia e Re” dhe Syriza. Lideri i “Demokracia e Re”, Antonis Samaras, ka dhënë dje deklarata optimiste pas takimit me Venizelos, se ka ende shpresa për të krijuar një qeveri uniteti. “Situata politike e bën të vështirë krijimin e një qeverie të qëndrueshme, por ne po luftojmë për të dhe ka ende shpresë”, tha Samaras. Ai theksoi edhe një herë dy politikat kryesore të partisë së tij: Greqia në Euro dhe rinegociimi i Memorandumit.  Venizelos deri tani ka mbështetjen e të majtëve të pavarur, të Fotis Kuvelis për koalicionin, ndërsa kryetari i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, nuk iu përgjigj ftesës së tij as për të hyrë në bisedime. Pamenos ka deklaruar më parë se nuk do të hyjë në koalicion as me Demokracinë e Re dhe as me PASOK që kanë mbështetur masat e kursimit, e bën këtë vetëm nëse ata kthejnë pas memorandumin europian. Më pas, Venizelos u takua me kreun e Syriza, Aleksis Tsipras. Ky i fundit ka kthyer përgjigje negative për pjesëmarrjen në koalicionin me forcat proeuropiane që mbështesin masat e ashpra të kursimit. Nëse Venizelos dështon për krijimin enjë qeverie të qëndrueshme uniteti kombëtar, Presidenti grek Karolos Papulias do të përpiqet të krijojë një qeveri gjithëpërfshirëse. Për ta bërë këtë ai duhet të ftojë në bisedime (duke nisur nga e hëna nëse Venizelos dështon) të gjithë krerët e partisë që kanë hyrë në Parlament, përfshirë edhe kreun e partisë neonaziste “Agimi i Artë”, i cili në zgjedhjet e fundit jo vetëm që arriti të hynte në Parlament, por edhe të fitonte 21 deputetë. Nëse as bisedimet e Presidentit nuk bëjnë punë, atëherë Greqia u drejtohet zgjedhjeve të reja. Sipas sondazheve që tashmë janë organizuar për këtë plan B, në rast të përsëritjes së zgjedhjeve, forca politike më e votuar do të jetë Syriza, që fiton 128 deputetë. Pas saj renditen “Demokracia e Re” me 57 deputetë dhe PASOK me 36 deputetë.

Takimi Papulias-Papademos
Kryeministri i qeverisë së përkohshme greke, Lukas Papademos, ka takuar dje Presidentin Karolos Papulias. Pas kërcënimeve nga BE-ja mbi shtyrjen e këstit të huas dhe daljen e Greqisë nga eurozona, Papademos e ka informuar Presidentin për çështje të politikave financiare, si ajo e shlyerjes së këstit të borxhit deri më 15 maj dhe çështje të tjera të politikave të jashtme, si përfaqësimi në samitin e NATO-s në 23 maj.

Eurozona
Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, ka deklaruar dje se “Greqia mund të jetë e detyruar të largohet nga euro, nëse nuk u përmbahet angazhimeve të saj”. Ai shtoi se “kam respekt të madh për demokracinë greke dhe Parlamentin grek, i cili e miratoi vetë marrëveshjen e borxhit. Nëse marrëveshjet nuk respektohen, do të thotë se nuk janë kushtet për të vazhduar me një vend, që nuk i respekton ato”. Ndërsa ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, tha se “Eurozona mund ta përballojë daljen e Greqisë nga zona e euros. Kemi mësuar shumë këto dy vitet e fundit dhe kemi zhvilluar mekanizma mbrojtës. Rreziqet janë bërë më të vogla dhe eurozona në tërësi është bërë më elastike”.

© Panorama.al

Te lidhura