Greqia, paketa e dytë nuk mjafton, edhe 15 miliardë euro për shpëtimin

Feb 3, 2012 | 12:24
Kryeministri grek, Papademos me ministrin e Financave, Venizelos

Inspektorët ndërkombëtarë të borxhit të Greqisë kanë zbuluar se vendi i mbytur në borxhe ka ende nevojë për 15 miliardë euro të tjera shtesë në paketën e dytë të huas prej 130 miliardësh euro, si dhe çlirimin nga një pjesë e borxhit të kreditorëve privatë, një shumë prej 100 miliardë eurosh. Komisioni Europian, ekzekutivi i Bashkimit Europian i ka kërkuar pjesës tjetër të 17-vendeve anëtare të eurozonës për të ndihmuar mbledhjen e 15 miliardë eurove, që sipas tyre mungojnë për të shpëtuar Greqinë nga falimentimi. Sipas një zyrtari të BE-së për Reuters, përllogaritjet janë bërë duke përfshirë të gjitha të ardhurat që mund të kursehen nga paketat e kursimit në Greqi. Ky boshllëk mund të mbushet nga kontributi i vendeve të eurozonës, bankave të tyre qendrore, si dhe banka në pronësi të shteteve, si ajo në Francë, “Caisse de Depots”. Ndërkohë në Greqi pritet të finalizohet marrëveshja midis qeverisë greke dhe kreditorëve privatë për shkëmbimin e bonove, si dhe një marrëveshje tjetër me trojkën (BE-BQE-FMN) për programin e ri të ndihmës së shpëtimit nga falimentimi. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pandelis Kapsis, tha dje se “negociatat me trojkën për kontratën e re dhe ato me kreditorët privatë për përfundimin e programit të shkëmbimit të bonove greke janë pranë përfundimit”. Ai sqaroi se procedurat mund të ndiqen me hapa të shpejtë pasi marrëveshja duhet të jetë e finalizuar për samitin tjetër të BE-së, i cili i kushtohet Greqisë dhe ndihmës ndaj saj, që pritet të mbahet të hënën e javës së ardhshme.

takimi
Marrëveshja me trojkën për kredinë e re të Greqisë do të nënshkruhet pas një takimi mes Kryeministrit grek dhe krerëve të partive që mbështesin qeverinë. Takimi ka si qëllim shqyrtimin e zhvillimeve të reja për reduktimin e borxhit dhe kredinë prej 130 miliardë eurosh.

© Panorama.al

Te lidhura