
Liderët europianë i kanë dhënë kohë vetëm një javë Greqisë për të arritur reformat dhe marrëveshjet që i duhen për të fituar paketën e dytë të huas nga kreditorët e mëdhenj. Çështja e huas greke duhej të diskutohej në samitin e së hënës, por ajo nuk u prek fare, pasi Greqia nuk kishte arritur asnjë nga objektivat që kërkoheshin nga europianët e tjerë, për të merituar paketën prej 130 miliardë eurosh. Gjithçka u pengua nga mosarritja e marrëveshjes me kreditorët privatë, të cilët sipas një vendimi të Samitit të BE-së në tetor 2011 duhet të falin me vullnetin e tyre, pas negociatave me qeverinë greke, rreth 50 për qind të borxhit që ajo u detyrohet. Tani Greqia është në pritje të arritjes së kësaj marrëveshjeje, e cila duket se do të finalizohet në ditët e ardhshme, për t’u paraqitur kryelartë në samitin e ardhshëm special, ku ajo do të jetë epiqendra e diskutimeve. Kryeministri grek, Lukas Papademos, njoftoi dje, pas kthimit nga Brukseli, se liderët e BE kërkojnë që brenda javës të përfundojnë negociatat me kreditorët privatë për çështjen e reduktimit të borxhit grek dhe ato me trojkën për programin e ri të mbështetjes për Greqinë. Ndërkohë, edhe bisedimet me trojkën janë shtyrë për shkak të “vështirësive teknike”, siç njoftuan zyrtarët grekë, pa specifikuar këto vështirësi. Takimi me trojkën kishte si tema diskutimi uljet e pagave, pensioneve dhe papunësinë në Greqi.
Ulet deficiti
Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri grek tha se në Greqi deficiti primar fiskal është zvogëluar në 2.4 për qind të GDP-së (prodhimit të brendshëm bruto) në vitin 2011. Ai u shpreh optimist se përparimi do të vazhdojë, pasi në këtë periudhë dyvjeçare ekonomia greke rifitoi një të tretën e konkurrencës që kishte humbur kundrejt partnerëve në eurozonë, dhe gjysmën e asaj që kishte humbur kundrejt gjithë partnerëve tregtarë.
© Panorama.alKameron “heq” veton
Kryeministri britanik, David Kameron, u përball dje me revoltë brenda kabinetit të tij, pasi zbuti kundërshtimin për traktatin e BE-së, të cilit ai më parë i kishte vënë veton sepse shkelte interesat britanikë. Me sa duket, Kameron, pas samitit të Brukselit të hënën, për ndonjë arsye ka ndërruar mendje për veton që kishte vendosur. Kryeministri britanik u sulmua edhe nga lideri i laburistëve, Ed Miliband në Parlament, menjëherë pasi ai mori fjalën për të shpjeguar pse i kishte dhënë dritën jeshile vendeve të eurozonës, për të përdorur Gjykatën Europiane të Drejtësisë për kompaktin e ri fiskal.











