Greqia në panik nga falimentimi, thirrje për dorëzimin e ndihmave

Aug 23, 2011 | 11:36

Greqisë i është pezulluar dhënia e kësteve të paketës së re të shpëtimit, pasi Finlanda ka shprehur rezervat e veta për të mbështetur këtë masë. Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, i bëri thirrje dje Bashkimit Europian që të zbatojë menjëherë dhe tërësisht marrëveshjen e arritur muajin e kaluar për paketën e re të ndihmës me vlerë 109 miliardë euro. Ai i ka shkruar Presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Zhan Klod Trishet dhe komisionerit të BE-së për ekonominë, Olli Rehn, si dhe ministrave të Financave të eurozonës. Disa anëtarë të eurozonës i bllokuan marrëveshjen të nxitur nga Finlanda, e cila kërkon garanci nga Greqia për pjesën e saj të paketës. Kësaj kërkese iu shtuan Holanda, Sllovenia, Austria dhe Sllovakia. Ndërkohë, vendi u zhyt në dëshpërim më të thellë pas vlerësimit nga agjencitë e mëdha kreditore se Greqia do të falimentojë deri në vitin 2012, për shkak të programit të gabuar të qeverisë për deficitin buxhetor, i cili duket se do ta çojë këtë vend, sipas tyre, në borxhe më të thella.

© Panorama.al

Te lidhura