Greqia në kaos, Samaras dështon, dorëzon mandatin

May 8, 2012 | 15:28
Nga festimet e ultranacionalisteve te “Agimit te arte” te dielen pas paraprakeve

“Syriza” e të pavarurit refuzojnë koalicionin me Demokracinë e Re.

Greqia është në kaos politik, asnjë parti nuk ka fuqinë të formojë koalicion qeverisës me një palë të dytë, por i duhen shumë krahë për të mbledhur numrin e nevojshëm për shumicën qeverisëse.
Edhe në këtë rast nuk do ishte një shumicë e besueshme, me kaq shumë palë që pretendojnë të zbatohen synimet e tyre (që jo domosdoshmërish përputhen), prandaj kreditorëve ndërkombëtarë duket se sërish u kanë hyrë “ethet greke”. Komisioni Europian kujtoi se vendi duhet të zbatojë obligimet e tij. “Komisioni shpreson dhe pret që qeveria e ardhshme greke të respektojë angazhimet të cilat ka marrë përsipër Greqia”, tha zëdhënësja e KE-së, Pia Ahrenkilde Hansen, para gazetarëve. Partia e parë në zgjedhje u rendit konservatorja Demokracia e Re me liderin e saj Antonis Samaras, që mori dje mandatin te Presidenti Karolos Papulias, për të tentuar i pari të formojë qeverinë. Ai ka tri ditë kohë. Por e dorëzoi mandatin vetëm pas 6 orësh, duke e parë të pamundur formimin e një koalicioni. Mandati i kalon sot koalicionit të majtë “Syriza” ku përfshihen edhe parti komuniste. Demokracia e Re mori vetëm 19 për qind të votave, 108 ulëse në Parlamentin me 300 vende dhe nuk mund të qeverisë e vetme. PASOK, në katër dekadat e fundit forca e parë apo e dytë politike në vend, tashmë u rendit e treta, si ndëshkim për masat jopopullore të kursimit. Edhe nëse Demokracia e Re bashkohej me PASOK, nuk mund të formonte një koalicion të fortë qeverisës për arsyen e thjeshtë se nuk i bën dot votat e nevojshme për të, 50 për qind. Pas takimit me Presidentin Papulias, Samaras takoi liderin e koalicionit të majtë, “Syriza”, Alexis Tsipras, për të diskutuar formimin e një koalicioni. Por Tsipras refuzoi prerë. Në një deklaratë të nxjerrë dje, ai tha se nuk do hyjë në një qeveri uniteti kombëtar me Demokracinë e Re. Tsipras i quajti rezultatet “një mesazh i një revolucioni paqësor”. “Lidershipi europian e veçanërisht kancelaria Angela Merkel duhet ta kuptojnë se politikat e shtrëngimit kanë pësuar humbje”, tha Tsipras. Pas takimit, kreu i “Syriza” deklaroi se “Pozicionet programatike të Samaras janë antitezë e planit alternativ të së majtës. Gjëja më e rëndësishme është se Demokracia e Re ka nënshkruar një memorandum të dytë dhe, në këto kushte, nuk mund të ketë qeveri të shpëtimit kombëtar”.
Lideri i PASOK, Evangelos Venizelos, pas takimit me Samaras shprehu dashamirësinë e tij për të hyrë në koalicion, por me kushtin që qeveria e re të ketë pikëpamje miqësore drejt Europës, pasi Kryeministri i ri (Samaras, nëse formon koalicionin) pritet të kërkojë rinegocimin e kushteve të huas me KE. Partia e Venizelos fitoi 41 vende në Parlament, nga 160 që kishte në zgjedhjet e mëparshme. Kreu i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, tha se “Nuk punojmë me tradhtarë dhe kolaboracionistë. Partitë e së kaluarës tani janë pakicë. Ne nuk marrim urdhra nga Schauble dhe Foushter, si dhe Samaras e Venizelos”, duke dhënë një shenjë të qartë refuzimi. Më pas Samaras takoi kreun e së majtës demokratike, Fotis Kouvelis, i cili gjithashtu e refuzoi kërkesën e Samaras. Me këtë takim u mbyllën bisedimet zyrtare për ditën e djeshme. Nga partitë që kanë fituar një numër të konsiderueshëm mbështetësish, Samaras nuk ka takuar Partinë Komuniste dhe Grekët e pavarur. Politikanët grekë kanë kohë deri më 17 maj për të formuar një aleancë ose, nëse nuk arrijnë, të vendosin një datë për një raund të ri zgjedhjesh. Nëse koalicioni formohet, Samaras tha se dy prioritetet e tij do të ishin të mbetet në eurozonë dhe të ndryshojë politikat ekzistuese, përfshirë masat e ashpra shtrënguese, për të “arritur zhvillim dhe për t’iu ofruar njerëzve lehtësim”.

Parlamenti me 300 ulëse
Demokracia e Re
19 për qind (108 deputetë)

Koalicioni i majtë, Syriza
16.7 për qind  (51 deputetë)

PASOK
13.4 për qind (41 deputetë)

Të pavarurit (krahu i majtë)
10.6 për qind  (33 deputetë)

Partia Komuniste Greke (KKE)
8.5 për qind (26 deputetë)

Agimi i Artë (ekstrem i djathtë)
7 për qind (21 deputetë)

Parti të tjera që arritën pragun 3 për qind
Gjithsej 24.3 për qind  (20 deputetë)

Rezultatet surprizë
“Syriza” fitoi 16.7 për qind të votave, që do të thotë 51 ulëse në Parlament. Grekët e Pavarur, të renditur të katërtit, janë parti e dalë nga një anëtar i ikur nga Demokracia e Re në shkurt, Panos Kamenos. Me 10.6 për qind mbështetje kjo parti e krahut të djathtë që kundërshton marrëveshjet e Greqisë me BE dhe FMN-në, do të ketë 33 ulëse në Parlament. Partia Komuniste, e cila kërkon që Greqia të dalë nga eurozona, fitoi 8.5 për qind mbështetje, me 26 deputetë. Ndërsa “Agimi i Artë”, që mori 0.3 për qind mbështetje në zgjedhjet e kaluara, kësaj radhe arriri të marrë 7 për qind dhe, nga 0, fitoi 21 ulëse në Parlament.

“Agimi i Artë”
Të konsideruar si parti neonaziste, edhe pse e mohojnë këtë, “Agimi i Artë” i cili kërkon detyrimin e emigrantëve të punojnë në kampe pune dhe mbjelljen e minave të tokës në kufirin grek, ka fituar sukses të paprecedentë në Greqi. Anëtarët e kësaj partie i kanë quajtur gazetarët gënjeshtarë që i kanë cilësuar “neonazostë”, edhe pse ata përshëndesin si nazistët dhe logoja e tyre ngjan me atë të kryqit të thyer. Por ky grup ka fituar mbështetje me një imazh bamirësish në disa lagje të Athinës, duke u dërguar ushqim familjeve në nevojë dhe duke shoqëruar të moshuarit në bankomate.

Alarmimi i PE
Kryetari i Parlamentit Europian, Martin Shulz, duke parë rezultatet kaotike të zgjedhjeve në Greqi, tha se “Objektiv i negociatave politike në Greqi do të duhet të jetë krijimi i një qeverie bashkëpunimi, që do të garantojë respektimin e angazhimeve të Greqisë kundrejt Bashkimit Europian”. Në një deklaratë me shkrim, Schulz thekson se situata në Greqi dhe në vende të tjera dëshmon nevojën e adoptimit në BE, të një pakete tërësore për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Ai kërkoi mbështetjen e liderëve europianë për këto masa, kur të diskutohen në samitin e qershorit. Shulz theksoi se mund të vizitojë Athinën, me qëllim që të vazhdojë dialogun me të gjitha forcat demokratike dhe konstruktive të vendit.

© Panorama.al

Te lidhura