
Marrëveshje edhe me privatët, do të shkurtohet mbi 53 për qind e borxhit.
Greqia ka fituar paketën e dytë të ndihmës, pas diskutimeve me debate të nxehta mes ministrave të Financës së eurozonës, që nisën pasditen e së hënës dhe zgjatën deri në orën 04:30 të mëngjesit të së martës. Huaja prej 130 miliardë eurosh u mor dhe hë për hë Greqia shpëtoi nga falimentimi. “Makthi mori fund”, kështu u shpreh ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, pasi mori miratimin për paketën e re. Megjithëkëtë, disa analistë besojnë se tani rreziku është më i madh. Sipas tyre, Europa ende po lufton për të evituar rrezikun e falimentimit, pasi investitorët kanë paralajmëruar se Greqia shumë shpejt do të rrezikojë të shkelë kushtet e marrëveshjes së saj të dytë të huas në tre vjet. Shtatë muaj negociata përfunduan me vendimin e orëve të para të mëngjesit të së martës në Bruksel, ku Greqia evitoi falimentimin në mars. Marrëveshja u miratua, edhe pse sipas ministrave mbetën ende disa detaje pa sqaruar. Marrëveshja përfshin huan me vlerë 130 miliardë euro dhe procedurat për prerje të borxhit deri në 53.5 për qind të vlerës nominale të bonove. Ky plan ka si synim uljen e borxhit publik grek në 120.5 për qind të GDP-së deri në vitin 2020. Borxhi i Greqisë ishte 160 për qind dhe vitet e fundit është ulur në 129 për qind të GDP-së.
Pikat kryesore të marrëveshjes janë se bankat, fondet mbrojtëse, dhe investitorëve të tjerë privatë që kanë në pronësi rreth 200 miliardë euro në bono qeveritare greke u është kërkuar të falin 53.5 për qind të vlerës minimale të këtyre bonove. Kjo do ta shkurtojë menjëherë borxhin e Greqisë prej 350 miliardë eurosh me 107 miliardë euro. Shkalla e interesit mbi pjesën e mbetur të borxhit do të jetë në mesatare 3.65 për qind, krahasuar me rreth 4.8 për qind që ishte më parë. Greqia do të ketë kohë 30 vjet për të riparuar këto bono, nga shtatë vjet që kishte në marrëveshjet e mëparshme. Kursimet e përgjithshme do të thellohen në bazë të asaj se sa shumë investitorë do të bien dakord të marrin pjesë. Pa këtë marrëveshje, investitorët privatë rrezikojnë të mos marrin asgjë. Dhe shumë prej këtyre investitorëve kanë borxhe edhe nga vendet e tjera të eurozonës, të cilat rrezikojnë të humbasin vlerën në rastin e ndonjë falimentimi të një vendi anëtar. Sidoqoftë, nëse investitorët privatë refuzojnë të marrin pjesë, Greqia shumë shpejt do të vendosë klauzola të tjera ligjore në bonot e saj, që do t’i detyronte mbajtësit e bonove të merrnin pjesë.
Negociatat e privatëve
Sektori privat ra dakord për të rritur prerjen e vlerës së bonove në 53.5 për qind, e jo 50 për qind sa ishte vendosur në samititn e tetorit të BE-së. Kreditorët privatë pranojnë kështu një humbje edhe më të madhe nga borxhi që u ka Greqia, por qeveria e Athinës do t’u bëjë oferta kreditorëve privatë për këmbimin e bonove.
Trojka “Task Forcë”
Eurogrup ka vendosur të rrisë praninë e përhershme të Task Forcës në Athinë për të mbikëqyrur vendimet dhe lëvizjet financiare. Trojka e ekspertëve të vendeve anëtare do të zgjerohet, duke siguruar koordinim të plotë në kontrollin e zbatimit të programit. Greqia u detyrua të përfshijë në legjislacion prioritetin e shërbimit të borxhit publik.
© Panorama.al“The Independent”: Përgjegjësia e krizës, franko-gjermane
Gazeta britanike “The Independent” fajëson Francën dhe Gjermaninë për krizën greke, në një artikull që i denoncon ato për shitje armatimesh të papërballueshme për Greqinë. “Blerja e sistemeve të armatimit të Francës dhe Gjermanisë nga Greqia shkaktoi krizën, pasi shtetet europiane i bënin presion Athinës për të blerë sisteme që nuk mund t’i paguante”, kështu shkruhet në artikullin me titull “Franca dhe Gjermania janë përgjegjëse për krizën në Greqi”. “Në pjesën më të madhe të dekadës së fundit, Greqia ishte një nga 5 importuesit e parë të armëve në botë, si nëndetëse, tanke dhe avionë luftarakë, që prodhoheshin në Gjermani, Francë dhe Shtetet e Bashkuara”, thuhet në shkrim, ku shtohet se edhe në kohë krize, “në vitin 2010, kur shkalla e katastrofës ekonomike ishte e qartë, Greqia bleu 223 armë kundërajrore dhe një nëndetëse nga Gjermania, me mbi 403 milionë euro”.











