Greqia ekstradon të kërkuarin për tragjedinë e Butrintit

Feb 14, 2012 | 12:07
Brahim Madhi

SARANDE – Ekstradohet nga Greqia një prej organizatorëve të “Tragjedisë së Butrintit”. Policia bëri të ditur se është arrestuar dhe ekstraduar 27-vjeçari nga Fieri, Brahim Madhi, një nga 4 të dënuarit nga Gjykata si pjesëmarrës në “Tragjedinë e Butrintit”. Në nëntor të vitit 2010, ai u dënua në mungesë me 16 vjet burg dhe 8 milionë lekë gjobë për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi në bashkëpunim, me pasojë vdekje”. Madhi akuzohet se në bashkëpunim me dy fierakët Albert Gega dhe Hyqmet Sollaku, si dhe Dashamir Mane nga Saranda kanë organizuar kalimin e paligjshëm të 22 shtetasve, kryesisht nga Fieri e Lushnja, për në Greqi. Më 19 tetor 2008, ata kanë marrë varkën e shtetasit A.B., duke tentuar të kalojnë liqenin e Butrintit për të dalë në fshatin Xarrë, më tej në Konispol e më pas në Greqi. Trafikantët, bashkë me 22 klandestinët, janë futur në Butrint dhe kanë organizuar nisjen nga vendi i quajtur “Porta e Luanit” për në Xarrë. Varka e parë me 10 shtetas ka kaluar në bregun tjetër. Në rrugën e dytë kanë hipur 12 klandestinë, bashkë me organizatorët Brahim Madhi, Albert Gega e Hyqmet Sollaku. Varkën e drejtonte Dashamir Mane. Sipas dëshmisë së të mbijetuarve, në një moment, pasi kishin përshkuar gati çerekun e rrugës, foshnja 3-muajshe Klara Jaho ka nisur të qajë. Madhi ka urdhëruar Hyqmet Sollakun të shkonte në fund të varkës për të pushuar foshnjën që mbahej nga prindërit e saj, Dritan e Elvira Jaho, nga Lapardhaja e Beratit. Lëvizja e Hyqmet Sollakut ka shkaktuar disbalancë në varkë dhe e ka anuar atë duke shkaktuar tragjedinë. Elvira Jaho 23-vjeçe, Klara Jaho 3-muajshe, Ndriçim Myftari 17 vjeç, Festim Hoxha 23 vjeç dhe Amarildo Kuka 22 vjeç u mbytën. Policia arrestoi organizatorët Hyqmet Sollaku dhe Dashamir Mane, pronar i varkës A.B., si dhe Bashkim Senën nga Cërriku. Ndërkohë që Albert Gega dhe Brahim Madhi u shpallën në kërkim. Pas një maratone seancash, gjykata dënoi më 3 nëntor 2010 4 të pandehurit” Hyqmet Sollaku, 21 vjet burg, 8 mln lekë gjobë; Dashamir Mane, 17 vjet burg, 8 mln lekë gjobë; Brahim Madhi, 16 vjet burg, 8 mln lekë gjobë (në mungesë) dhe Albert Gega, 5 vjet burg, 6 mln lekë gjobë (në mungesë). Ky i fundit është ende në arrati.                                  sh.d

© Panorama.al

Te lidhura