
Greqia po u drejtohet zgjedhjeve të reja të përgjithshme, mes kaosit politik të krijuar në vend nga mungesa e koalicioneve bindëse qeverisëse, si dhe tensionit të krijuar në eurozonë nga rënia e vazhdueshme e euros për shkak të paqëndrueshmërisë e saj.
E drejta për të formuar qeverinë deri sot në orën 13:00 i mbetet liderit të Syriza-s, Aleksis Tsipras, i cili arriti të gjejë edhe një tjetër mbështetje për formimin e koalicionit qeverisës dje, me liderin e Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, por sërish pa arritur numrin e nevojshëm të deputetëve. Një ditë më parë, ai mori edhe garancinë e Fotis Kuvelis nga E Majta Demokratike, për një qeveri, e cila nuk duhet t’i pranojë masat e kursimit të nxitura nga BE-ja. Gjithsej ai ka siguruar 111 vota. Pas përfundimit të takimit Aleksis Tsipras me Panos Kamenos, ky i fundit pranoi se “Syriza-Grekët e Pavarur-E majta Demokratike, me numrat e deputetëve që kanë, nuk bëjnë dot qeveri”. Ai kërkoi edhe një herë nga “Demokracia e Re” dhe PASOK që të refuzojnë paktin e BE-së e të bëhen pjesë e qeverisë.
Por lideri i “Demokracia e Re”, Antonis Samaras, ka reaguar ashpër me këtë thirrje duke i kujtuar Tsipras se partia e tij është europiane dhe nuk do të mbështesë asnjë frymë populizmi. Ndërsa pas takimit me kreun e PASOK, Evangelos Venizelos, nuk pati asnjë marrëveshje. “Ne nuk mundëm të gjejmë një zgjidhje. Është radha ime të përdor mandatin që do më japë Presidenti i Republikës për qeverinë e re”, tha kreu i PASOK, pas takimit me Tsipras. Venizelos deklaroi se edhe kreu i Syriza-s besonte se vendit i duhet stabilitet dhe jo zgjedhje të reja. Kushti kryesor i Venizelos ishte qëndrimi i vendit në euro. “I sugjerova Tsipras të marrë pjesë në një qeveri të unitetit kombëtar me forca proeuropiane, ose, përndryshe, në qoftë se ai e konsideron se mund të qeverisë me Grekët e Pavarur, Të majtën Demokratike apo parti të tjera, do ta ketë votën e PASOK me kushtin që vendi të mbetet euro dhe situata të bëhet më mirë. Vendi nuk ka kohë për të humbur”, tha Venizelos. Ndërsa pas takimit me liderin e Syriza-s, Antonis Samaras i Demokracisë së Re tha se “Kushtet e vendosura nga Tsipras e çojnë vendin në falimentim”.
Jashtë eurozonës
Ndërsa më parë edhe Gjermania e ka gjykuar si shenjë dobësie largimin e Greqisë nga eurozona, tashmë janë vetë politikanët gjermanë që po bëjnë thirrje për një lëvizje të tillë. “Ne duhet t’i bëjmë Greqisë ofertën për të dalë nga eurozona në mënyrë të rregullt, pa e lënë Bashkimin Europian”, tha Klaus-Peter Uillsh, eksperti i buxhetit në partinë CDU të Kancelares Merkel. Ai deklaroi të mërkurën për të përditshmen e biznesit, “Handelsblatt” se “Dogma se asnjë vend nuk mund të largohet nga eurozona i ka shkaktuar tashmë shumë dëme politike Europës”. Mikael Meister, zv.kryetar i CDU në Parlament, tha se “Është e qartë se qeveria e re greke, përkundër pritjeve tona, nuk do t’i përmbahet kontratës, dhe nëse kjo ndodh, duhet të pranojë pasojat që i janë thënë”. Me tej, Frank Shafler, ekspert finance në koalicionin e Merkel, tha se “Duhet të përgatiten. Qeveria duhet të ketë gati një plan B”, duke iu referuar largimit nga eurozona.
Artikulli i “Der Spiegel”
Një nga revistat më në zë në Gjermani, “Der Spiegel”, në kryeartikullin e saj referuar Greqisë shkruante “Mirë se vini në Ueimar!”, në një ese ku Greqia krahasohej me një republikë të post Luftës I Botërore në Gjermani, e cila falimentoi nën borxhet e vazhdueshme të provokuara nga “Depresioni i Madh” dhe ra në duar të nazistëve. Media gjermane kujtoi se tashmë qeveria ka mbetur në dorë të radikalit të majtë të Syriza-s, Alexis Tzipras dhe se neonazistët “Agimi i Artë” janë tashmë një pjesë e konsiderueshme e Parlamentit.
Deklarata e Kameron
Kryeministri britanik, David Kameron, ka deklaruar se Greqia është në një pozitë shumë të vështirë duke lënë të kuptohet qartë se Athina duhet të dalë nga euro dhe t’i kthehet dhrahmisë. Duke iu referuar Britanisë, si një shembull që duhet të marrë Greqia, Kameron tha se “Ne përzgjodhëm të qëndrojmë jashtë euros. Ne duam që vendet europiane të zgjidhin problemet e tyre, duam të jemi në tregun e përbashkët dhe bashkëpunimin me Europën, por nuk duam të jemi në euro”, tha Kameron. Sipas Kameron, kthimi i dhrahmisë do t’i jepte mundësinë vendit të pakësonte normat e interesit.
© Panorama.alLetër FMN, KE, BQE
Kryetari i së Majtës Radikale, Syriza, Aleksis Tsipras i dërgoi nga një letër Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane, ku thekson se angazhimet e ndërmarra nga qeveria e mëparshme për masa kursimi nuk do të aplikohen. “Populli grek me votën e tij tregoi se politikat e kursimit kanë marrë fund”, tha ai. Mes kërkesave të Tsipras janë:
anulimi i ligjeve për prerjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve; anulimi i ligjeve që eliminojnë të drejtat e punëtorëve; kontrolli i sistemit bankar në vend dhe jo jashtë tij; ngritja e një komisioni ndërkombëtar auditimi për të hetuar masën e borxhit publik grek; dhe promovimi i ndryshimeve në sistemin politik për të thelluar demokracinë. Tsipras theksoi se vendimi popullor i 6 majit zhvlerësoi memorandumin.Kësti i radhës
Zyrtarët e eurozonës debatuan mbi vonimin e një kësti prej 5.2 miliardë eurosh për Greqinë, për shkak të paqartësisë politike dhe thirrjeve për të dalë nga euro në këtë vend. Në Bordin e Lehtësimit dhe Stabilitetit Financiar Europian debatuan nëse do ta jepnin këstin apo jo, por procedura do të vazhdojë normalisht”, tha një zëdhënës i presidentit të eurogrupit, Zhan Klod Xhunker. Pagesa e cila do t’i shërbejë Greqisë të japë këstin e borxhit në BQE prej 3.3 miliardë eurosh, është pjesë e programit të dytë të huas prej 130 miliardë eurosh. Por Gjermania dhe Finlanda janë treguar skeptike. Por edhe pse disa qeveri duan ta vonojnë pagesën, provimi i programit të mëparshëm në eurozonë nuk i lë shumë hapësira për këtë nga ana ligjore. Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, tha se BE nuk e ka autoritetin ta detyrojë Greqinë që të qëndrojë në eurozonë.











