Greqia afër koalicionit, Venizelos bind Kuvelis

May 11, 2012 | 12:53

Evangelos Venizelos

Kreu i PASOK sot takon Samaras e Tsipras, zbutet gjuha kundër memorandumit.

Lideri i PASOK, Evangelos Venizelos, mori dje mandatin për të formuar qeverinë e re, mes presionit të BE-së, si dhe situatës së rënduar të monedhës së përbashkët në bursa për shkak të Greqisë. Mundësia e formimit të një koalicioni u pa më e afërt dje dhe tregjet reaguan mjaft mirë, pas takimit të Venizelos dhe shefit të së majtës demokratike, Fotis Kuvelis. Pas bisedës që zhvilluan, të dy liderët u shprehën se janë të kënaqur me rrugën që ka marrë diskutimi i tyre dhe se Kuvelis ra dakord të marrë pjesë në koalicion. Gjuha e Kuvelis mbi paktet europiane u zbut, megjithatë ai kërkoi ndryshimin e masave, jo më refuzimin total të tyre. “Momenti i së vërtetës po afrohet për të gjithë. Unë propozoj formimin e një qeverie uniteti të përbërë nga figura politike të besueshme, që do të reflektojë dhe respektojë mesazhin nga zgjedhjet”, tha Kuvelis. Ai ka sugjeruar formimin e një qeverie që do të punojë për qëndrimin e vendit në euro, si dhe për ndryshimin e memorandumit të masave të kursimit. Edhe Venizelos e mirëpriti këtë propozim, mbi formimin e një qeverie uniteti për të mbajtur vendin në eurozonë. Deklarata e Kuvelis për liderë politikë të besueshëm iu drejtua liderit të Syriza-s, Aleksis Tsipras, si dhe kreut të Demokracisë së Re, Antonis Samaras, për të formuar qeverinë e unitetit. Edhe Tsipras, i cili më parë u dërgoi mesazh liderëve europianë se duhet ta harrojnë memorandumin e masave të kursimit, dje zbuti gjuhën e tij dukë u kërkuar vetëm disa ndryshime në përmbajtjen e tij. Sot Venizelos do të takohet me Samaras dhe Tsipras. Aleanca me kreun e Demokracisë së Re është pothuajse e sigurt, dhe nëse zyrtarizohet, bashkë me votat e Kuvelis, ata e formojnë numrin e duhur për qeverinë. Por kërkojnë të bindin edhe koalicionin e Tsipras, tashmë forca e dytë politike në vend, që qeveria e unitetit të ketë mbështetje të gjerë dhe të jetë më e besueshme edhe nga populli. Kuvelis, emri i të cilit është folur për postin e Kryeministrit në çdo opsion për qeverinë e unitetit, tha se partia e tij nuk kishte ambicie pushteti, por dëshironte vetëm të shpëtonte vendin dhe lehtësonte popullin.

Merkel: S’ka alternativë ndaj kursimeve
Kancelarja gjermane ka paralajmëruar politikanët grekë se ata e dinë ç’do të ndodhë nëse vendi tërhiqet nga masat e kursimit.  Angela Merkel i ka refuzuar thirrjet për një alternativë ndaj këtyre masave. Që pas zgjedhjes së socialistit Fransua Holande si President i Francës të dielën, kancelarja gjermane është vënë nën presion për të lehtësuar politikat e saj të ashpra mbi uljen e borxhit. Merkel tha se masat për shkurtimin e deficitit që u janë kërkuar vendeve si Greqia në këmbim të huave, ishin jetësore për të siguruar kthimin e tyre në një rritje të qëndrueshme ekonomike. Kancelarja gjermane tha në Parlamentin e vendit të saj, Bundestag, se ulja e borxhit dhe inkurajimi i zhvillimit janë shtyllat binjake të politikës europiane, në vend të rrugëve të tjera alternative. “Duhet të pranojmë se kapërcimi i krizës është një proces i gjatë dhe i mundimshëm që do të ketë sukses vetëm nëse ne sulmojmë shkaqet e kësaj krize, që janë borxhi i tmerrshëm dhe mungesa e konkurrencës në disa shtete të eurozonës”, tha Merkel në Bundestag.

© Panorama.al

Te lidhura