Greqi, vritet me 8 plumba shqiptari, plagoset ukrainasja

Sep 1, 2012 | 11:48
Vendi ku ndodhi vrasja në Greqi

ATHINE – Tetë goditje me armë zjarri i kanë marrë jetën dje, në orët e para të mëngjesit, një shqiptari në Athinë të Greqisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit ku, sipas mediave greke, viktimë ka mbetur një emigrant nga Shqipëria në moshën 40 vjeç. Bashkë me shqiptarin ka mbetur e plagosur rëndë edhe një shtetase ukrainase. Atentati me armë zjarri ndodhi në lagjen “Kalithea”, rreth orës 03:00 të mëngjesit. Policia ka thënë se kanë qenë dy persona autorët e krimit. Sipas dëshmitarëve, ata u afruan te makina e 40-vjeçarit shqiptar dhe filluan të qëllojnë me armë. Nga plumbat mbeti i vdekur emigranti nga Shqipëria, ndërsa u plagos mikesha e tij 30-vjeçare nga Ukraina. Krimi ka ndodhur jo shumë larg vendbanimit të shqiptarit, ndërsa policia ka thënë se vrasësit, me sa duket e prisnin emigrantin te shtëpia. Sapo shqiptari ka arritur te parkingu me makinën e tij, autorët që e prisnin në të majtë, kanë dalë nga vendi ku ishin fshehur dhe me armë në duar janë drejtuar për te 40-vjeçari. Policia ka thënë se mbi makinën e emigrantit janë shkrehur dhjetëra goditje me armë, por tetë plumba e kanë marrë në trup 40-vjeçarin, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Gjithçka rreth vendngjarjes u shkatërrua. Xhamat e makinës u thyen, madje u dëmtuan edhe disa automjete rrotull vendit ku ndodhi vrasja e shqiptarit. Plumbat prekën edhe një shtetase ukrainase, e cila ndodhej në makinë me shtetasin shqiptar. Mbrëmjen e djeshme, mediat shkruanin se shtetasja nga Ukraina është jashtë rrezikut, ndërsa besohet se ajo ka qenë shkak i ngjarjes.

© Panorama.al

Te lidhura