Greqi, shtyhet takimi i treshes politike

Feb 6, 2012 | 10:53

Papademos, Karaxhaferis e Papandreu mbrëmë gjatë takimit

Liderët e eurozonës: Durimi ka sosur, masat ose falimentimin.

Në prag falimentimi, dështojnë bisedimet për masat e reja të kursimit.

Liderët e partive që mbështesin koalicionin e qeverisë teknokrate në Greqi, i kanë shtyrë bisedimet super të ndjeshme për masat e  reja të kursimit në këmbim të ndihmës së BE-së për të hënën. Afati fillimisht ishte mbrëmjen e së dielës, por dështimi në arritjen e një marrëveshjeje dhe deklarata e liderëve të eurozonës se, “nëse kjo marrëveshje nuk arrihet, atëherë ata nuk do të japin më asnjë cent për Greqinë dhe ajo muajin tjetër duhet të bëhet gati të shpallë falimentimin”, e detyruan Kryeministrin grek, Papademos, që të shtyjë edhe për një ditë bisedimet për të fituar kohë. Vendimi për të mbajtur edhe njq takim tjetër mes liderëve të politikës në koalicionin qeveritar në Greqisë u mor pas pesë orësh diskutime, që nuk dolën në asnjë shteg. Vetë qëndrimet e liderëve në Greqi janë tërësisht të kundërta dhe nuk janë në një plan me kërkesat nga kreditorët dhe BE-së. Greqisë i duhet të finalizojë reformat që i nevojiten për të arritur marrjen e paketës së re të ndihmës prej 130 miliardë eurosh, pa të cilën në mars falimenton.
Zgjedhja
Lukas Papademos i vuri mbrëmjen e së dielës liderët e tjerë të partive politike në qeverinë e unitetit kombëtar para një zgjedhjeje: të pranonin një valë masash të reja kursimi të propozuara nga kreditorët, ose të shpallnin falimentimin. Bisedimet me tre liderët e qeverisë së unitetit kombëtar erdhën pasi qeveria s’mundi të bindë përfaqësuesit e trojkës (nga KE, BQE dhe FMN) për të lehtësuar kushtet mbi marrjen e paketës së dytë të shpëtimit. Kreu i “Demokracia e Re”, Antonis Samaras, i cili synon të bëhet kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, ka kërcënuar t’i vendosë veton paketës nëse nuk bëhen koncesione në pagat e sektorit privat, duke deklaruar se shkurtimet do të zgjasnin recesionin edhe për një vit. Ndërsa Jorgo Karaxhaferis, i cili drejton partinë e vogël të krahut të djathtë, LAOS, po ashtu e kundërshton idenë për masa të reja kursimi.
Propozimet
Palët nuk bien dakord për shkurtimet e projektuara të mëtejshme të pagave prej 25 për qind në sektorin privat, 35 për qind në pensionet suplementare dhe mbylljen e rreth 100 organizatave të kontrolluara nga shteti, nga të cilat do të mbesnin të papunë mijëra njerëz.
Fundi i durimit
Gjatë një konference të shtunën në mbrëmje, ministrat e Financës së eurozonës i kërkuan Athinës që të mbajë premtimet e saj dhe të bjerë dakord mbi reformat ose të përballet me falimentimin muajin e ardhshëm. Sipas tyre, durimit të kreditorëve i ka ardhur fundi. Zyrtarët e eurozonës kanë refuzuar t’i lejojnë Greqisë marrjen e paketës së re të huas pa masa të reja kursimi, pasi sipas tyre rreziku i falimentimit është shumë i lartë.

© Panorama.al

Te lidhura