Greqi, shkrihen “Alpha” dhe Eurobank”

Aug 29, 2011 | 11:50

Dy nga bankat më të mëdha në Greqi, “Alpha Bank” dhe “Eurobank”, do të njoftojnë sot shkrirjen e tyre për të konsoliduar financat. Procesi i konsideruar miqësor përfshin dy bankat private me mbështetje nga shteti i Gjirit, Katari dhe konsiderohet si lëvizja e parë në një konsolidim të pritur prej kohësh në sektorin e financave të vendit, që po lufton çdo ditë kundër borxhit. “Eurobank EFG” dhe “Alpha Bank”, huadhënësit e dytë dhe tretë, do të njoftojnë sot shkrirjen e të gjitha aksioneve, një proces që do të ndiqet nga injeksioni i 500 milionë eurove kapital nga qeveria e Katarit, sipas personave të afërt me marrëveshjen. Burimet për “Financial Times” kanë raportuar se “Kjo është pjesa e parë e lajmeve të mira për ekonominë greke në një vit. Është një zgjidhje e vërtetë për sektorin privat”, është shprehur një menaxher fondesh. Entiteti i shkrirjes me asete prej 150 miliardë eurosh dhe prani në 10 vende të Europës Juglindore, përfshirë edhe Shqipërinë, do të bëhet një prej tri bankave më të mëdha në rajon. “Marrëveshja, e cila pritet të finalizohet në dhjetor, do të ndiqet nga 1.25 miliardë euro në çështje të të drejtave, si pjesë e një mesatareje prej 3.5 miliardë euro për forcimin e kapitalit”, është shprehur një burim i FT, i afërt me marrëveshjen. Lidhja mes tyre zhduk frikën se “Alpha” apo “Eurobank” mund t’i kthehen ndihmës së Greqisë për stabilitetin e bankave, prej 10 miliardë eurosh për rikapitalizimin, një lëvizje që do të çonte në nacionalizëm. Evangelos Venizelos, ministri grek i Financave, ka njoftuar javën e kaluar se qeveria do të ofronte aksione në këmbim të injeksioneve të kapitalit nga ndihma, e cila mbështetet nga FMN-ja. Si “Alpha”, edhe “Eurobank” kanë pasur bisedime të mëparshme për shkrije, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme me “Bankën Kombëtare të Greqisë”, banka më e madhe në këtë vend.

© Panorama.al

Te lidhura