Greqi, qeveria e Samaras fitoi votëbesimin, tani sfida në Eurogrup

Jul 10, 2012 | 15:07

Qeveria e re e Kryeministrit grek, Antonis Samaras, fitoi në orët e para të së hënës votëbesimin në Parlamentin e vendit, me mbështetjen e 179 deputetëve nga 300 gjithsej. Në votim morën pjesë të gjithë deputetët dhe mbështetjen qeverisë së re ia dhanë 129 deputetët e Demokracisë së Re, 33 deputetët e PASOK dhe 17 të DIMAR. Votuan kundër qeverisë 121 deputetë: 71 të SYRIZA, 20 të Grekëve të Pavarur, 18 të Agimit të Artë dhe 12 deputetë të Partisë Komuniste. Kryeministri Samaras tha në hapjen e bisedimeve se qeveria që ai drejton do të fokusohet në rimëkëmbjen e ekonomisë së goditur rëndë nga kriza, do të vazhdojë me planin e privatizimeve si dhe do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme. Samaras kritikoi liderin e opozitës, Aleksis Tsipras, për deklaratat e tij të ashpra, kur ai akuzoi qeverinë se do ta çojë shoqërinë në ferr dhe vendin në qindarkën e fundit. Ndërsa ministri i Financave, Janis Sturnaras, favorizoi zgjatjen e programit të rregullimit fiskal. Tashmë qeveria greke do të përballet me vendimet e Eurogrupit mbi kërkesat e saj për “tolerime” në ashpërsinë e reformave, ku ligjvënësit europianë dhe përfaqësuesit e kreditorëve e kanë paralajmëruar Greqinë zyrtare se do ta ketë shumë të vështirë negocimin. Ndërkohë Ministri grek i Punës, konservatori Nikos Nikolopulos, paraqiti dorëheqjen duke shprehur keqardhje që qeveria nuk kishte ndërmarrë një rinegocim të menjëhershëm të masave shtrënguese të vendosura në Greqi nga BE dhe FMN.

© Panorama.al

Te lidhura