Katër shtetas shqiptarë kanë mbetur dje të plagosur pas një përleshjeje në një sektor të burgut të Lamias në Greqi. Ngjarja ka ndodhur në orët e drekës, kur 4 të dënuar shqiptarë u plagosën, njëri prej të cilëve në gjendje më të rëndë. Televizioni “News 24” njoftoi dje se ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë një përleshjeje në burgun e Dokomos, në Lamia të Greqisë. Sipas të dhënave nga mediat greke, incidenti i dhunshëm ndodhi në sektorin ku mbahen të burgosur dhe të paraburgosur shqiptarë. Gjithçka ka nisur nga një rrahje për arsye të panjohura dhe më pas të burgosurit janë përfshirë në sherr mbi bazën e njohjeve dhe lidhjeve shoqërore të krijuara mes tyre. Sherri degjeneroi në përleshje masive, ku u përfshinë rreth 60 të dënuar shqiptarë. Policia e regjimit të brendshëm të burgut ka thënë se personat e përfshirë në përleshje përdorën armë të ftohta dhe të improvizuara, si copa hekurash, këmbë karrigesh etj. Përleshja e dhunshme mësohet se ka vazhduar për rreth 30 minuta dhe, para se zyrtarët e burgut të ndërhynin për të vendosur rendin e qetësinë në burg, është njoftuar se katër shqiptarë ishin plagosur. Të burgosurit u përleshën me njëri-tjetrin dhe, pasi morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit, u dërguan për mjekime. Sipas mediave greke, tre nga shqiptarët e lënduar u dërguan në spitalin e Lamias. Disa orë më vonë, mjekët vendosën që njëri prej shqiptarëve të dërgohet me urgjencë në Athinë, pasi kishte marrë plagë të rënda thike dhe jeta e tij ishte në rrezik për shkak të gjakderdhjes. Policia greke ka thënë dje se ka nisur hetimet për mënyrën si filloi konflikti, si dhe për skenarin që kanë ndjekur sendet e paligjshme si thikat për të hyrë në burg. Pas raportimit të ngjarjes së ndodhur në sektorin ku mbahen shqiptarët në burgun e Lamias, është bërë një kontroll i përgjithshëm në të gjitha qelitë në fjalë. Policia ka marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të parë dinamikën e ngjarjes.











