
Presidenti Papulias, takime për krijimin e qeverisë së unitetit.
Presidenti pret përgjigje deri më 17 maj, ose zgjedhje të reja.
Presidenti grek, Karolos Papulias, gjatë gjithë ditës së djeshme po bën përpjekje të shumta për të bindur liderët e kaheve të ndryshme politike dhe platformave të kundërta, për të rënë dakord në krijimin e një qeverie uniteti në të mirë të vendit.
Nga takimet e mëngjesit të së dielës me tre liderët kryesorë politike, Antonis Samaras i Demokracisë së Re, Aleksis Tsipras i Syriza dhe Evangelos Venizelos i PASOK, kreu i Syriza ka refuzuar të bashkohet në një trup qeverisës me dy liderët që miratuan masat e ashpra të kursimit, duke këmbëngulur se politikat e tij nuk do të ndryshojnë. Ai tha se Samaras dhe Venizelos kishin rënë dakord të bashkoheshin me partinë e Kuvelis për të qeverisur, por ky i fundit i refuzoi këto deklarata duke i cilësuar si shpifje. Gjatë pasdites, Presidenti grek zhvilloi takime me forcat më të vogla politike. Ai takoi Panos Kamenos të Grekëve të pavarur, komunisten Aleka Papariga, kreun e neonazistëve të “Agimi i Artë”, Niko Mihaloliakos, dhe kreun e së Majtës së bashkuar, Fotis Kuvelis.
Kryetarja e Partisë Komuniste, Papariga, deklaroi se “çfarëdo ndryshimi që të bëhet, nuk është i lidhur me përmirësimin e jetës së njerëzve. Në Parlamentin e ardhshëm do të sjellim një projektligj për shfuqizimin e memorandumit”.
Në takimin me Panos Kamenos (Grekët e Pavarur), ky i fundit deklaroi se dialogu i fragmentuar nuk e ndihmon transparencën, duke komentuar takimet e veçanta të Papulias me liderët më të vegjël politikë. Ai këmbënguli se kushti i tij thelbësor është mosangazhimi në zbatimin e kërkesave të trojkës dhe paraqiti shtatë kushtet e tij për pjesëmarrjen në qeveri, ku mes të tjerash janë kontrolli i Bankës Qendrore, kontrolli i pakteve me BE dhe kontroll mbi pasurinë dhe lëvizjet e zyrtarëve të lartë të vendit që nga viti 1974. Takimi mes Papulias dhe Nikolaos Mihaloliakos i “Agimi i Artë” kaloi pa deklarata, por ky i fundit ritheksoi angazhimin e tij kundër memorandumeve europiane.
Sondazhet sugjerojnë rritjen e popullaritetit të Syriza, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 6 majit për shkak të fushatës anti-memorandum. Një votim i ri mund t’i bëjë ata partinë më të madhe në një koalicion anti-memorandum, i cili sipas analistëve mund të kërcënojë anëtarësimin e Greqisë në euro. Madje, sondazhet kanë parashikuar 128 vende në Parlament.
Agjencia e vlerësimit “Fitch” shkruan në raportin e saj se “Në rastin e daljes së Greqisë nga euro për shkak të krizës politike ose në një fazë të mëvonshme, Fitch ndoshta do të vërë për gjithë zonën euro vlerësimin negativ. Siç raportohet, ndikimi i daljes së Greqisë nga zona e euros nuk mund të përcaktohet, pasi varet se si do të ndodhë dhe se si do të reagojë Europa.
© Panorama.alPangalos: Edhe 6 javë
Sipas ish-zv.kryeministrit grek, Teodoros Pangalos, Greqisë i kanë mbetur pará edhe për gjashtë javë. “Nëse Greqia nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara me partnerët, atëherë paratë do të përfundonin në 6 javët e ardhshme dhe vendi do të hyjë nën një falimentim të egër dhe të pakontrollueshëm”, tha Pangalos në britaniken “Telegraph”. Ai tha se votuesit kanë shkuar në votime në konfuzion të plotë dhe, për këtë arsye, të dyja palët ekstreme morën mbështetje të madhe. Ai e krahasoi Aleksis Tsipras, kreun e Syriza, me Presidentin e Venezuelës, Hugo Chavez.











