Greqi/ Olimpiakos Volos pezullohet nga Europa

Aug 11, 2011 | 13:35

Federata greke, konkretisht Komisioni i Disiplinës në bashkëpunim me UEFA-n, kanë vepruar me dorë të hekurt për dy ekipet, Olimpiakos Volos e Kavalla, dhe për presidentët e tyre. Dy skuadrat kanë mundur të fitojnë bastin me gjykatën duke qëndruar në Ligën 1, por ato duhet ta nisin kampionatin me -10 Volos dhe Kavala me -8 pikë. Ndërkohë, dy presidentët respektivë, Arqileas Beos dhe Makis Psomiadhis, janë pezulluar përjetësisht nga aktivitetet sportive. Ata janë gjobitur me 90 mijë euro dhe nuk duhet të marrin pjesë as në stadiume. Ndërkohë, një vendim i dyfishtë është marrë për Olimpiakos Volos, skuadër e cila ka kaluar me sukses eliminatoret në Ligën e Europës dhe në fazën e radhës “play-off” duhet të ndeshen me PSG-në. Por, aventura e tyre në Ligën e Europës përfundon këtu, pasi kjo skuadër është pezulluar nga ky kompeticion për shkak të aferave dhe manipulimeve. UEFA do vendosë këto ditë nëse PSG-ja do të jetë automatikisht e kualifikuar në fazën në grupe.

© Panorama.al

Te lidhura