
Syriza refuzoi çdo qeveri që mbështet memorandumin, sot një tjetër takim.
Edhe takimi i mbrëmshëm mes Presidentit grek, Karolos Papulias me disa nga krerët e partive greke përfundoi pa rezultat, duke afruar më shumë vendin me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në takim Presidenti kishte ftuar katër liderë politikë, Antonis Samaras i Demokracia e Re, Aleksis Tsipras i Syriza, Evangelos Venizelos i PASOK dhe Fotis Kuvelis nga Grekët e Pavarur. Siç kishte paralajmëruar, Tsipras nuk mori pjesë në takim, pasi në një konferencë për media ai tha se nuk do të bëhej pjesë e asnjë qeverie ku mbështeten masat e kursimit. “Nuk do ta tradhtoj popullin grek”, tha ai. Takimi i mbrëmshëm mes Papulias dhe treshes Samaras-Venizelos-Kuvelis zgjati vetëm 50 minuta dhe përfundoi pa asnjë rezultat. Venizelos i socialistëve të PASOK tha për gazetarët se formimi i qeverisë së unitetit nuk është një çështje e mbyllur, përpjekjet do të vazhdojnë dhe sot pritet që të ketë një tjetër takim me Presidentin rreth orës 14:00, ku do të jenë të gjithë krerët politikë me përjashtim të kreut të “Agimi i Artë”, të etiketuar si parti neonaziste. Takimi i mbrëmshëm dështoi sepse kreu i Grekëve të Pavarur, Kuvelis, nuk pranoi të marrë pjesë në asnjë koalicion uniteti nëse në të nuk është e përfshirë edhe Syriza.
E reja që solli Presidenti Papulias në këtë takim, ishte propozimi për krijimin e një qeverie me personalitete që të kenë mbështetjen e palëve, si një qeveri e shpëtimit kombëtar. Përpjekjet e Presidentit Papulias për të mos e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme nisën, pasi asnjë nga tri partitë kryesore të vendit nuk arriti të gjejë përkrahje për një qeveri, që të mund të ketë edhe mbështetjen e besueshme në Parlament. Dështimet erdhën njëri pas tjetrit për Samaras, Tsipras e Venizelos. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Greqi treguan kundërshtimin e fortë të popullit grek me politikat e ashpra të kursimit që kanë miratuar, deri diku dy forcat kryesore të vendit, PASOK dhe Demokracia e Re, në këmbim të huave nga kreditorët ndërkombëtarë. Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, siç janë të gjitha gjasat, sondazhet kanë parashikuar se fitues kryesor do të jetë lideri i Syriza, Aleksis Tsipras, i cili kundërshton memorandumet europiane dhe masat e kursimit për popullin grek. Sondazhi i kryer tregonte se Syriza do të fitonte 128 vende në Parlament, në rast të një raundi të ri votimi. Nëse kjo ndodh, atëherë Tsipras do të formojë një qeveri me politika anti-masash europiane dhe Greqia do të humbasë çdo këst huaje që pret nga kreditorët për të evituar falimentimin.
© Panorama.alAleksis Tsipras
Është një inxhinier 37-vjeçar, i cili udhëheq forcën e dytë më të madhe politike në Greqi, që pas zgjedhjeve të 6 majit. Politikat e tij janë konsideruar si populiste dhe në kundërshtim me parimet dhe obligimet europiane. E ardhmja e qeverisë varet nga vendimi i tij, nëse dëshiron që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja apo jo. Nëse ai vendos të lëshojë pe për të krijuar një kompromis të përkohshëm, atëherë vendi nuk shkon në zgjedhje dhe qeveriset në unitet mes të gjitha forcave politike. Nëse jo, zgjedhjet e reja vijojnë në mes të qershorit.Presion i Eurogrup
Ministrat e Financave të Eurogrupit u mblodhën mbrëmë në Bruksel duke i bërë thirrje Greqisë të respektojë angazhimet, dhe duke e konsideruar të padëshirueshme daljen e vendit nga eurozona. “Askush nuk mohon se populli grek po vuan. Por nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për të kapërcyer krizën e Greqisë”, the ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll. Ndërsa ministri belg i Financave, Steven Vanakere, tha se “Ne nuk do të fitonim asgjë nga një dalje e Greqisë nga eurozona”. Ministri i Financave i Luksemburgut, Luk Frinten, theksoi se “Greqia duhet të respektojë paktin e nënshkruar”.











