
Liderët e partive politike në Greqi kanë rënë dakord për masat e reja të kursimit, pas tetë orësh bisedime në mbrëmjen e së mërkurës dhe finalizimit të pikave për shkurtimet pensioneve mëngjesin e së enjtes. Shkurtimet e pensioneve do të çojnë në një kursim prej 300 milionë eurosh në buxhetin e vendit për këtë vit. Pas dy vjetësh me politika kursimi, marrëveshja do të ulte shpenzimet me më shumë se 3 miliardë euro dhe do të ulë pagat minimale me 22 për qind. Ekonomia greke ka hyrë në vitin e saj të pestë të recesionit. Papunësia ka arritur në 20 për qind dhe taksat janë rritur. Tashmë Greqisë i duhet t’i japë fund punëve të përhershme në kompanitë shtetërore dhe të shkurtojë 150 000 vende pune në sektorin publik deri në vitin 2015. Zv.ministri i Punës në Greqi, Janis Koutsoukos, nga radhët e socialistëve, ka dhënë dorëheqjen për të protestuar ndaj masave të reja të kursimit. Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, ministrat e Financave të eurozonës u takuan në Bruksel mbi paketën e re të huas për Greqinë. Ministri gjerman, Volfgang Shaubëll, tha se marrëveshja mes liderëve të partive grekë nuk i përmbush ende të gjitha kushtet për marrjen e paketës së ndihmës prej 130 miliardë eurosh. Ai shtoi se kushtet përfshijnë zbritjen e nivelit të borxhit nën 120 për qind të GDP-së deri në 2020 dhe aprovimin e Parlamentit grek. Edhe FMN i kërkoi Greqisë të zbatojë një sërë politikash ekonomike, përpara se të kontribuojë në zgjerimin e programit të huas për Athinën. FMN-ja kërkon garanci nga liderët politikë në Athinë se çdo potencial ndryshimi në politikë nuk do t’i ndryshojë kushtet e programit.











