Greqi, arrihet marrëveshja për reformat e kursimit

Feb 9, 2012 | 17:59

Liderët politikë në Greqi kanë arritur marrëveshje për reformat e kërkuara për të siguruar pakon madhore ndërkombëtare të ndihmës për parandalimin e vendit nga falimentimi.

Në deklaratën e kryeministrit grek, Lukas Papadhimos, thuhet se partitë në koalicionin qeverisës të Greqisë kanë arritur “marrëveshjen e përgjithshme” për masa shtesë të kursimit, që kërkohen nga kreditorët ndërkombëtarë në shkëmbim për dhënien e ndihmës financiare.

Bisedimet për reforma janë zvarritur për disa ditë, duke e shtyrë Bashkimin Evropian ta tërheq vërejtjen se koha po kalonte për Greqinë.

Pa ndihmën prej 130 miliardë eurove nga BE-ja, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane, Greqia mund të falimentojë nga mesi i muajit të ardhshëm.

Dy sindikatat më të mëdha publike dhe private tashmë kanë bërë thirrje për grevë të përgjithshme për nesër dhe pasnesër, për ta shprehur mospajtimin me masat e propozuara të kursimit.(rel)

© Panorama.al

Te lidhura