Greqi, arrestohet shqiptari falsifikator

Aug 30, 2011 | 19:36

Një shqiptar, kreu i një organizate kriminale me qendër në Atikë, është kapur dje nga policia greke. Grupi kriminal operonte në zonën e Atikës në Greqi prej 3 vitesh. Policia nuk jep asnjë të dhënë për identitetin e tij, por mediat elektronike të Janinës, pohojnë se ai është nga qyteti i Memaliajt në Tepelenë dhe i përket moshës 34- vjeçare, I identifikuar me emrin J. Muçi.

I arrestuari konsiderohet si një ndër personat më të inkriminuar përsa i përket fallsifikimit të dokumenteve të ndryshme shtetërore si dhe kartmonedhave euro. Ka qenë një aksion i befasishëm i ndërmarrë mbrëmjen e të hënës nga ana e policisë greke të Atikës i cili u kurorëzua me sukses, në kapjen e personit më të synuar për t’u vënë në pranga.

Gjatë arrestimit, ai ka qenë krejtësisht i vetëm dhe i pambrojtur nga persona të tjerë. Në kontrollin që është kryer në zonën ku strehohej përkohësisht, policia greke, ka arritur të gjejë 40 kartmonedha të prerjes 50 euro të falsifikuara, një kartmonedhë të prerjes 20 euro të falsifikuar, 330 euro origjinale, një pasaportë rumune e falsifikuar, 38 qese të mbushura me marijuanë me peshë totale 2.3 kg, dy qese me 0.7 kg kokainë si dhe një thikë dhe dy telefona celularë.

Piro NASE

© Panorama.al

Te lidhura