Greqi, arratiset shqiptari

Aug 21, 2012 | 14:54
Shqiptari i arratisur

Një tjetër shqiptar sfidon sigurinë e burgjeve dhe policinë greke duke u arratisur. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në orën 11:00, ndërsa shtetasi shqiptar ka dalë nga duart e policisë dhe ka humbur gjurmët.

Shtetasi shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është arratisur dhe ka humbur gjurmët pasi kishte dalë nga burgu i Nafplis. I gjithë skenari i arratisjes së shqiptarit është vënë në jetë sikur disa persona e kanë rrëmbyer atë. I burgosuri për dënimin me 20 vjet heqje lirie, ka qenë duke u transferuar nga burgu për në një spital të afërt, kur ndodhi arratisja. Dy persona të armatosur kanë ndërhyrë kur personi po shoqërohej në spital për të ndërruar një fashë të plagës që kishte në dorë. Policia ka thënë për median greke se arratisja e shqiptarit ka ndodhur në avllinë e spitalit të qytetit të Nafplios. Disa persona të armatosur kanë ndërhyrë në momentin kur shtetasi shqiptar po dilte nga spitali, i shoqëruar nga dy policë. Dy personat e armatosur, që mendohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të shqiptarit, kanë qëlluar në ajër dhe kanë kërcënuar policët me jetën. Personat në fjalë kanë “rrëmbyer” 40-vjeçarin shqiptar dhe janë larguar me një makinë tip “Audi”.

SHQIPTARI

Personi i arratisur dje nga burgu në Greqi ishte një 40-vjeçar nga Shqipëria. Ai ishte dënuar për një sërë vepra penale të rënda dhe gjykatat e kishin ndëshkuar me 20 vjet heqje lirie. Menjëherë pas arratisjes së shqiptarit, policia greke ka nisur një aksion për gjetjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm në kryerjen e arratisjes. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit. Një hetim paralel ka nisur për masat e mangëta të sigurisë në shoqërimin e personit për në spital, pa marrë parasysh faktin se ai konsiderohej person me rrezikshmëri për masën e dënimit të dhënë ndaj tij, si dhe për veprat penale që kishte kryer. Me gjithë ngjarjen e bujshme të ndodhur paraditen e djeshme, mediat në Greqi e kanë pasqyruar ngjarjen në mënyrë të reduktuar, pa i dhënë rëndësinë që mori pak vite më parë arratisja e Alket Rizait. Sistemi i burgjeve në Greqi, gjatë viteve të fundit, është duke vuajtur pasojat e krizës ekonomike që ka përfshirë vendin. Për shkak të problemeve financiare, Greqia nuk ka investuar më në kushtet e sigurisë në burgje, ndërsa edhe personeli policor është reduktuar ndejshëm, pasi janë bërë shkurtime në organikën e punonjësve.

© Panorama.al

Te lidhura