Grekët ndëshkojnë partitë e mëdha

May 7, 2012 | 14:54

Antonis Samaras para mbështetësve të tij në Athinë

Radikalët e majtë grekë kapërcejnë socialistët e PASOK, për herë të parë në histori.

Zgjedhjet, pa fitues. Pak shpresë për koalicione pro-europiane.

Në zgjedhjet parlamentare greke, dy partitë kryesore kanë pësuar humbje dramatike.
Zgjedhjet kanë dalë pa fitues, asnjëra parti nuk mund të udhëheqë, madje as bashkimi i dy forcave të mëdha politike që ishin në koalicion, PASOK dhe Demokracia e Re, nuk i arrjnë votat për të qeverisur.  Analistët e kishin parashikuar humbjen e mbështetjes së tyre, por jo kaq thellë. Ndëshkimin më të madh për masat e ashpra ekonomike e mori partia deri tani në pushtet, PASSOK, e cila u rendit e treta. Ky ishte rezultati më i dobët i regjistruar për dy forcat më të mëdha historike politike në Greqi, prej rreth 40 vitesh. Humbja e votave për ta ka shkuar në favor të ekstremistëve. Rezultatet e para të pjesshme zyrtare të zgjedhjeve në Greqi, po ashtu edhe Exit Poll-et, tregojnë se deri tani 7 parti sigurojnë hyrjen në Parlament. E para është  Demokracia e Re, e dyta “Syriza”, e treta PASOK, e katërta Grekët e Pavarur e më pas Partia Komuniste, Agimi i Arte, E Majta Demokratike. E dëmtuar nga masat e vazhdueshme të kursimit, Greqia mbajti zgjedhjet parlamentare, që ishin thelbësore për tërheqjen e saj nga një krizë e thellë ekonomike e financiare, që e ka rrezikuar pozicionin e saj në eurozonë. 32 parti garuan në zgjedhjet greke, me rreth 10 milionë njerëz, që kishin të drejtë votimi. Exit Poll-et, të paraqitura kudo nëpër ekrane në Greqi, nxjerrin të parën partinë e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, me 17-20 për qind të votave. “Syriza”, një koalicion i partive të krahut të majtë, është renditur e dyta, ndërsa PASOK e qendrës së majtë, e treta. PASOK dhe Demokracia e Re kanë qenë në koalicionin drejtues që në nëntor 2011, dhe pritej ta humbisnin mbështetjen nga kandidatët kundër masave të kursimit.
Në të gjithë Greqinë masat e ashpra të kursimit janë pritur me zemërim, por ato ishin të detyrueshme për qeverinë greke në këmbim të huave ndërkombëtare. “Syriza” i kundërshton masat e kursimit të qeverisë. Exit poll-et, të transmetuara në të gjithë vendin, kanë treguar se: Demokracia e re ka 17-20 për qind; “Syriza”, 15.5-18.5 për qind dhe PASOK në vendin e tretë, me 14-17 për qind. Demokracia e Re ka marrë 33.5 për qind në zgjedhjet e fundit në 2009. PASOK ka shënuar 43.9 për qind në 2009. Partia neonaziste “Agimi i Artë” hyri në Parlament për herë të parë.
Koalicionet
Nëse asnjë parti nuk fiton deri në fund vota të mjaftueshme për të formuar një qeveri, siç janë gjasat, partia që ka marrë më shumë vota mund të kërkojë një koalicion me rivalët, dhe ai duhet të formohet brenda tri ditëve. Nëse dështojnë për të formuar koalicionin, partia e renditur e dyta ka të drejtën për të kërkuar një koalicion të ri dhe nëse sërish përpjekja rezulton e pasuksesshme, atëherë mandati për të kërkuar formimin e qeverisë i kalon palës së tretë. Nëse nuk formohet asnjë koalicion, Greqia duhet t’u drejtohet sërish zgjedhjeve, një hap që do të alarmonte kreditorët ndërkombëtarë.

Parlamenti grek, parapraket
Demokracia e Re
19.18%        109 vende
SYRIZA 16.3%          50 vende
PASOK 13.63%         42 vende
Grekët e Pavarur 10.5%            32 vende
Partia Komuniste 8.46%                 26 vende
Agimi i Artë 7.8%,                 22 vende
E majta demokratike 6%                    19 vende
LAOS 2.9%
Ekologet 2.9%

Antonis Samaras
I përballur me një rezultat tejet të ulët të mbështetjes, edhe pse u rendit i pari, lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, u zotua se do të bëjë gjithçka për të mos e lënë vendin të paqeverisur. “Nuk do ta le Greqinë të paqeverisur. U bëj thirrje forcave me orientim pro-europian se duhet një qeveri e shpëtimit kombëtar me 2 akse kryesore: qëndrimin e vendit në Euro dhe zbatimi i politikave të Memorandumit”, theksoi ai i përballur me presionin e fitores së koalicionit të majtë, Syriza, që është kundër masave të kursimit dhe “Agimit të Artë”, e për më tepër kërkon revolucion. Liderët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se nëse qeveria e re greke nuk përmbush programin e kursimit, (siç pretendojnë disa nga partitë fituese), atëherë nuk ka më këste nga paketa e huas, dhe kjo do të ishte falimentim i sigurt i Greqisë.

Alexis Tsipras
Lideri i Syriza-s, Alexis Tsipras, një inxhinier 37-vjeçar, nuk mbështet domosdoshmërish kthimin e Greqisë në monedhën e vjetër, dhrahminë, por për të masat e vendosura që vendi të qëndrojë në euro janë të papranueshme dhe e kthejnë atë në koloni, protektorat. “Nuk është zgjedhja jonë që të lëmë euron, por sakrificat e bëra nga populli grek nuk janë për euron, ato janë për oligarkë, plutokratë, kapitalin e madh”, është shprehur ai në një intervistë pak ditë më parë. Tsipras para zgjedhjeve u kishte bërë thirrje të gjitha partive të krahut të majtë të bashkoheshin në një dhe të deklaronin fitoren, por ftesa e tij nuk u mbështet. Aleanca “Syriza” tha për pas zgjedhjeve, se mbështetja për të tregonte një rrugëdalje për popullin grek.

Venizelos
Lideri i socialistëve në Greqi, Evangelos Venizelos, ka bërë thirrje për një qeveri uniteti kombëtar të të gjitha partive pro marrjes së huas me kushtet e saj, por paralajmëroi se formimi i një koalicioni të tillë do të jetë i vështirë. Në komentet e tij, të parat publike që pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën, Venizelos tha se partia e tij, PASOK, e ka paguar çmimin për manovrimin me krizën e borxhit sovran të vendit. “Për ne të PASOK-ut, kjo ditë është ekstremisht e dhimbshme”, tha ai duke shtuar: “Ne e dinim se çmimi do të ishte i lartë, por ne pranuam  ta paguanim atë. Ne zemëruam popullin për të mbrojtur të ardhmen e kombit”. Venizelos shtoi se “duhet parë mundësia e formimit të qeverisë së unitetit kombëtar”.

“Agimi i Artë” kërkon revolucion
Lideri i ekstremit të djathtë, partisë së anti-emigracionit, i cili fitoi rreth 7 për qind në zgjedhjet parlamentare në Greqi, Nikolaos Mikaloliakos, ka thirrur kundër të gjithë atyre që ai i quajti “tradhtarë” e përgjegjës për krizën financiare të vendit dhe tha se partia e tij do të kërkojë një revolucion. Kjo ishte hera e parë që kjo parti ekstremiste, e cilësuar neonaziste, hyn në Parlament.

Votime edhe në Gjermani, Itali e Armeni
Votuesit në një land verior në Gjermani zgjodhën dje përfaqësuesit e rinj, një test i rëndësishëm popullariteti për kancelaren Angela Merkel dhe koalicionin e saj të qendrës së djathtë. Rreth 2.24 milionë njerëz kishin të drejtë vote në Schleswig-Holstein. Partia e Kancelares gjermane Angela Merkel humbi në këto zgjedhje. Rezultatet paraprake treguan se konservatorët e saj të Unionit Kristian Demokratik nuk fituan mjaftueshëm vota sa për të mbajtur qeverisjen në këtë land. Ndërsa në Itali u mbajtën zgjedhjet e para që kur Kryeministri Mario Monti u caktua për të shpëtuar Italinë nga kriza e borxhit. Sondazhet kanë parë zemërim kundër partive të shumicës, që miratuan masat e kursimit. Votimet do të zgjasin edhe sot, me 9.5 milionë italianë me të drejtë votimi në 942 qytete për këshillat e qyteteve dhe kryetarët e bashkive. Votime kishte dje edhe në Armeni. Rreth 2.5 milionë armenë kishin të drejtë të votonin në zgjedhjet e reja të përgjithshme, ku Presidenti Serge Sarkisian shpreson që të ketë edhe shumicën legjislative. Partia Republikane e Presidentit Sarkisian pritet të fitojë, por “lufta e tyre” ishte për të marrë të 131 ulëset e shumicës në Parlament, për të evituar formimin e një koalicioni.

© Panorama.al

Te lidhura