Grekët kthejnë gjyqtarin në kufi

Jun 14, 2011 | 11:38
Kreshnik Spahiu gjatë denoncimit të ngjarjes

Policia greke shënon skandalin e radhës në pikën kufitare të Kakavijës, duke refuzuar hyrjen në shtetin fqinj të një gjyqtari nga Shqipëria, të cilin e ka konsideruar “person të rrezikshëm”.Ngjarja është denoncuar dje nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. “Në cilësinë e zv.kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, jam shumë i shqetësuar për ngjarjet që kanë ndodhur në pikën doganore të Kakavijës”, tha Spahiu. Ai sqaroi se nga informacioni i marrë ka rezultuar se më datë 10 qershor 2011, ora 20:00, Skënder Damini, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, nuk është lejuar të kalojë kufirin nga Shqipëria në Greqi. E gjithë kjo histori, me sa duket, ka të bëjë me qëndrimin e administratës greke ndaj çështjes çame, pasi gjyqtari Skënder Damini ka pasur me vete babanë e tij, të cilit në dokumente, vendi i lindjes i rezulton të jetë një zonë e Çamërisë. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, deklaroi dje se më 10 qershor gjyqtari është penguar të kalojë kufirin me shtetin grek. Ai po udhëtonte me bashkëshorten dhe babanë e tij, shtetasit Lindita dhe Damin Damini, ndërsa policia i ka penguar ata me motivacionin “konsiderohet person i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike” etj.
Reagimi
Në cilësinë e zv.kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucion i cili është organi kushtetues kompetent për mbrojtjen dhe përfaqësimin e gjyqtarëve, Kreshnik Spahiu kërkoi dje nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë që të marrë sqarime tek autoritetet kompetente greke në lidhje me veprimet e autoriteteve të pikës kufitare Kakavijë. “Ne kërkojmë nga këto autoritete të sqarojnë pozicionin e shtetit grek në lidhje me përcaktimin që i bëhet një gjyqtari të shtetit shqiptar, i cili udhëton me një pasaportë shërbimi, si dhe bashkëshortes së tij, si persona të ‘rrezikshëm’”, tha Spahiu. Ai sqaroi se gjyqtari Skënder Damini ka kaluar kufirin dhe ka hyrë në shtetin grek duke respektuar rregullat e këtij shteti, pa krijuar asnjëherë incidente që nga viti 1993, duke hyrë dhe dalë rregullisht në këtë vend. Nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe rrethanave të ngjarjes, Spahiu tha dje se incidenti ka të bëjë me praninë e babait të gjyqtarit, shtetasit Damin Damini, i cili ka të shënuar në pasaportën biometrike vendlindjen Mazrek, Marglliç, një krahinë në Çamëri. Ky informacion në dokument ka shërbyer që punonjësi i pikës kufitare të vendosë shënimin që ai nuk disponon një dokument të vlefshëm udhëtimi, pavarësisht se ai udhëtonte me një pasaportë të vlefshme biometrike. Punonjësi i pikës kufitare, duke përdorur këtë paragjykim, nuk ka lejuar të hyjë në shtetin grek as gjyqtarin Skënder Danimi dhe as bashkëshorten e tij, të cilët, sipas punonjësit, ishin duke shoqëruar një person “të padëshiruar”. “Në cilësinë e zv.kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vlerësoj se arsyet e paraqitura nga autoritetet kufitare greke janë të paarsyeshme dhe diskriminuese, prandaj kërkoj nga autoritetet shqiptare të ndërhyjnë tek autoritetet më të larta shtetërore greke, që të japin sqarime përfundimtare në lidhje me çështjen”, ka pohuar dje Kreshnik Spahiu.

16 mars 2011

Policia greke ktheu mbrapsht në pikën kufitare të Kakavijës një çift të moshuar, pasi u lexua në pasaportën e tyre vendlindja “Çamëri”. Bebi dhe Marie Bajrami ishin nisur me autobus për të vizituar fëmijët e tyre në Greqi, por policia kufitare i ktheu ata mbrapsht në momentin kur konstatoi në pasaportat përkatëse vendlindjen e tyre, e cila përkonte me një zonë të Çamërisë. Policët grekë e kanë kthyer çiftin mbrapsht me pretekstin se çamët nuk mund të hyjnë në territorin grek.

24 prill 2011

Policia greke kthen mbrapsht tre shtetas shqiptarë me dokumentacion të rregullt, vetëm e vetëm se kanë lindur në Çamëri. Ngjarjet janë denoncuar nga vetë personat, por edhe nga PDIU-ja, e cila i bëri apel shtetit grek t’i ndalojë këto incidente. Kontrollori grek i Kakavijës i ka refuzuar kalimin e kufirit një 71-vjeçareje, ndërsa i ka pohuar me tone të ashpra se “Çamëria është pjesë e Greqisë”. Ndonëse e pajisur me “Green Card” amerikane, Sulltane Bajrami nga Vlora nuk është lejuar të kalojë.

Ndalimi i çamëve në kufi, PDIU informon ambasadat

TIRANE – Shoqata atdhetare “Çamëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, denoncuan shkeljen e të drejtave të njeriut, të ndodhur vetëm pak ditë më parë në pikë-kalimin e Kakavijës ndaj shtetasit shqiptar Iliaz Alimani, lindur më 05.12.1939 në Margëlliç të Gumenicës. Në një deklaratë të dhënë dje në zyrat e PDIU-së thuhet se ky shtetas, pasi kaloi pikë-kalimin shqiptar, nuk u lejua të vazhdonte udhëtimin në Greqi si pasojë e ndalimit nga oficeri grek. “Në Formularin e mospranimit të hyrjes në kufi, në kundërshtim me detyrimin e tij, polici nuk ka shënuar asnjë prej rasteve të përcaktuara në këtë formular, por me shkrim dore ka shënuar në greqisht ‘Toponim i papranueshëm’, duke iu referuar vendlindjes së z. Alimani, që është Margëlliç, Gumenicë”, tha PDIU. Sipas Ardian Tanës, kryetar i Shoqatës atdhetare “Çamëria”, pala greke nuk dha asnjë referencë të ligjit shtetëror grek, ndërsa nuk shënoi në formularin e refuzimit të hyrjes asnjë procedurë për apelim, ndonëse këto referenca janë të detyrueshme sipas Rregullores së Bashkimit Europian. Sipas PDIU-së, e njëjta shkelje ka ndodhur edhe ndaj shtetasit Damin Damini vetëm pak ditë më parë, që është ndaluar të hyjë në Greqi për të njëjtat arsye. Ndërkohë që edhe i biri i tij, gjyqtar, është ndaluar me motivacionin se përbën rrezik për rendin publik. PDIU theksoi se i ka ndjekur nga afër të gjitha këto raste dhe ka informuar ambasadat e të gjitha vendeve anëtare të zonës “Shengen”, komisionerin Fyle dhe Presidentin e Komisionit Europian, Barroso.

© Panorama.al

Te lidhura