
Kthimet në kufi, Nishani ankohet tek kryepolici grek, Ikonomu
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, përcolli dje tek drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke shqetësimin për vonesat që u shkaktohen qytetarëve shqiptarë në kufi me Greqinë.Nishani gjithashtu bëri prezent gjatë takimit me zyrtarin grek, edhe disa raste kur qytetarëve shqiptarë u është refuzuar hyrja në Greqi e mandej, u janë dëmtuar dokumentet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke, Eleftherios Ikonomu, i cili dje zhvilloi një vizitë pune në Tiranë, pati një takim me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Fatmir Konja, zëdhënës i ministrit, tha se në takim u evidentua dukuria e vonesave që u krijohen qytetarëve shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar gjatë sezonit të pushimeve verore apo gjatë festave tradicionale. Ministri Nishani paraqiti shqetësimin mbi disa raste të evidentuara të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Greqi dhe, veç kësaj, u janë dëmtuar dokumentet e udhëtimit. Pas shqetësimeve të paraqitura nga Nishani, kreu i Policisë greke, premtoi angazhimin e menjëhershëm për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për të marrë masat e nevojshme. Ikonomu tha se do të angazhohet që të mos përsëritet më dukuria e vonesave të pajustifikuara për qytetarët shqiptarë që kalojnë kufirin me Greqinë. Kreu i policisë greke e cilësoi si të papranueshme një sjellje të atillë, siç është dëmtimi i pasaportave të udhëtimit dhe kërkoi nga policia shqiptare të informojë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Greqisë, e cila do të marrë masat e duhura për çdo rast të një sjelljeje të tillë nga ana e policëve grekë. Gjatë takimit, ministri Nishani vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve, i cili sipas tij ka dhënë rezultate kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme.
TAKIMI
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, priti dje në një takim drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Greqisë, Eleftherios Ikonomu. Veç vlerësimeve reciproke për nivelin e lartë të bashkëpunimit mes strukturave policore shqiptare dhe greke, bashkëpunim i cili ka sjellë rezultate të shkëlqyera në luftë kundër krimit të organizuar, gjatë takimit u diskutuan edhe probleme që u duhet dhënë zgjidhje. Duke nënvizuar se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë që prej 15 dhjetorit 2010 në zonën Shengen nuk ka shfaqur deri tani asnjë indikacion të karakterit kriminal dhe të kundërligjshëm, por është kryer në kushte mirëbesimi, respekti dhe disipline, si të çdo qytetari europian, ministri Nishani ngriti në takim dy shqetësime për sa i takon lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt Greqisë dhe anasjelltas. “Janë shqetësuese vonesat që u krijohen qytetarëve shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar gjatë sezonit të pushimeve verore apo të festave të tjera tradicionale. Gjithashtu, janë edhe disa raste të evidentuara të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Greqi dhe, veç kësaj, u janë dëmtuar dokumentet e udhëtimit”, u shpreh Nishani. Ndërsa nga ana e tij, kryepolici Gker Ikonomu premtoi se për të dyja këto probleme do të ngrihet një grup i përbashkët pune, në mënyrë që të mos ndodhin më. “Është e papranueshme një sjellje e tillë siç është dëmtimi i pasaportave të udhëtimit. Nga policia shqiptare kërkoj një informim sa më të shpejtë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Greqisë, në mënyrë që të marrim masat e duhura për çdo rast të një sjelljeje të tillë nga ana e policëve grekë”, deklaroi Ikonomu.
Takimi me Burgajn, Ikonomu: S’flas për kthimin e çamëve në kufi

TIRANE – Drejtori i Për-gjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, gjatë takimit të djeshëm me homologun e tij grek, Eleftherios Ikonomu, premtoi një bashkëpunim më të gjerë me Greqinë në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe të organizuar. Gjatë takimit u bisedua për masa, plane dhe strategji konkrete, për intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ilegal. Hysni Burgaj theksoi se ka pasur përkushtimin maksimal nga pala greke për të rritur nivelin e shërbimit ndaj shtetasve nëpër pikat kufitare. Ndërsa nga ana e tij Ikonomu vuri në dukje problemet nëpër pikat kufitare për shkak të fluksit të lëvizjes, ndërsa theksoi se do të punohet akoma më shumë për zgjidhjen e problemeve nëpër pikat e kalimit kufitar. Pas takimit që u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, kryepolici grek iu përgjigj interesimit të medieve në lidhje me problemet që hasen së fundmi në pikat kufitare, kryesisht nga pala greke. I pyetur se si prej kaq vitesh në pikat e kufirit që ndajnë Shqipërinë me Greqinë prishen gjithmonë kompjuterat kur emigrantët kthehen në Greqi në vendet e tyre të punës, Ikonomu i justifikoi si probleme teknike për shkak të fluksit dhe mbingarkesës. “Kjo periudhë është shumë e rrëmujshme për shkak të ngarkesës së madhe që ka kalimi i personave, si nga Greqia për në Shqipëri, ashtu dhe anasjelltas. Për këtë arsye, kompjuterat paraqitën disa probleme teknike. Kemi dëshirën shumë të mirë të dy palët, por veçanërisht drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare dhe unë personalisht, që t’i konstatojmë problemet që hasim dhe t’i zgjidhim”. Ndërsa një problemi tjetër shqetësues, siç është moslejimi i disa shtetasve shqiptarë me origjinë çame për të kaluar kufirin për në Greqi, drejtori Ikonomu refuzoi t’i përgjigjet, duke kaluar në vlerësime rreth bashkëpunimit mes Policisë greke dhe asaj shqiptare.
Ikonomu, apel vartësve: Respektoni shqiptarët
Gjirokastër – “Pasaporta e Republikës së Shqipërisë të respektohet si çdo dokument identifikimi europian”. Ky ka qenë urdhri që u dha dje drejtori i Përgjithshëm i Policisë helene, Elefteros Ikonomou, vartësve të tij në pikën kufitare të Kakavijës. Reagimi i kreut të Policisë Greke ka ardhur me sa duket nga refuzimi i disahershëm i pjesëtarëve të komunitetit çam në Shqipëri, të cilëve u është mohuar me pa të drejtë hyrja për në territorin grek. “Kjo nuk ka për të ndodhur më” – është shprehur Ikonomou. I shoqëruar nga kryepolici shqiptar Burgaj, Ikonomu inspektoi pikat kufitare në Jug të vendit. Shefi i Policisë greke ka shprehur interes për t’u njohur nga afër me masat e marra nga të dyja policitë rreth fluksit të lëvizjes së emigrantëve në të dyja anët e kufirit gjatë pushimeve verore. Në një takim të zhvilluar në pjesën shqiptare të Kakavijës, në prani edhe të drejtuesve të policive të Gjirokastrës dhe Janinës, Burgaj dhe Ikonumu e kanë vendosur theksin në masat e përbashkëta për luftën antitrafik, duke përmendur edhe krijimin e një qendre të përbashkët për luftën kundër kriminalitetit. Kjo qendër pritet të ngrihet në Kakavijë dhe ka për qëllim bashkëpunim shumëdimensional mes dy policive kufitare, për shkëmbim informacionesh, që do të bëjnë të mundur luftën kundër trafiqeve të të gjitha llojeve. “Kemi pasur një bashkëpunim për të përballuar fluksin e hyrjeve dhe daljeve në pikat kufitare midis dy shteteve”, tha në këtë takim drejtori i Policisë shqiptare, Hysni Burgaj. “Ky inspektim i përbashkët në Kakavijë tregon në mënyrë më të pastër rëndësinë që ka për të dy vendet tona, zgjidhja e çfarëdolloj problemi që del. Puna e Policisë Shqiptare në Kakavijë tregon përmbushjen nga ana e shtetit shqiptar të standardeve të aderimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Ikonomu. p.n
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











