Granata kundër KFOR-it, një ushtar i plagosur

Jun 20, 2012 | 14:49

Rreth orës katër të mëngjesit të së martës në Bërnjak, në kampin e KFOR-it, në vendkalimin kufitar 31, janë hedhur dy granata dore. Një granatë ka shpërthyer, kurse tjetra jo, duke bllokuar trafikun. Sipas KFOR-it, një ushtar ka pësuar humbje të lehtë të dëgjimit, ndërsa dëmet materiale janë të papërfillshme. Pas incidentit, numri i ushtarëve në afërsi të Bërnjakut u shtua ndjeshëm dhe KFOR-i e ngriti shkallën e gatishmërisë në nivelin më të lartë në të gjithë pjesën kufitare të Kosovës me Serbinë. Ndërsa e gjithë situata gjatë ditës është mbikëqyrur me helikopterë të KFOR-it në Mitrovicë. KFOR-i e bllokoi tërësisht qarkullimin në Bërnjak pas incidentit për disa orë, por më pas gjithçka funksionoi normalisht. Sulmi është dënuar nga ndërkombëtarët dhe vendorët. Përfaqësuesi special i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Farid Zarif, tha se “Çfarëdo kërcënimi kundër paqeruajtësve ndërkombëtarë është i papranueshëm dhe dënohet në mënyrën më të fuqishme”. Edhe EULEX-i e dënoi sulmin e djeshëm. “Këto veprime janë tërësisht të papranueshme. Hetimet për gjetjen e kryerësve të kësaj vepre janë duke u zhvilluar nga Task-Forca e EULEX-it për Mitrovicën. Ky sulm është sulm mbi bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e EULEX-it. Sulmi u dënua nga qeveria e Kosovës, forcat e tjera politike dhe Presidentja e vendit. “Ky sulm i radhës mbi forcat paqeruajtëse të KFOR-it që bëhet nga strukturat kriminale në veriun e Kosovës, është i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Largimi i barrikadave nga KFOR-i dhe hapja e rrugëve për të siguruar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në gjithë pjesën veriore të Kosovës, është në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të sigurisë së plotë për gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatën e qeverisë. Ndërsa Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke e konsideruar të papranueshëm incidentin, tha se ky sulm është “një përpjekje e strukturave ilegale dhe kriminale serbe për të penguar vendosjen e rendit dhe ligjit dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”.

© Panorama.al

Te lidhura