
Morti i vëlla e motër në fshatin Brest i Epërm në Peshkopi bllokon hetimet e policisë.Asnjë efektiv policie apo hetues nuk është ngjitur dje në fshatin e tragjedisë. Kanë menduar me të drejtë se nuk mund të kontaktonin me asnjë nga personat që mund të ketë dijeni për ngjarjen e rëndë. Në ceremonitë mortore dibranët janë të veçantë. Ata kryejnë rite shumë strikte dhe njihen si fetarë të devotshëm. Duke pasur parasysh këto “rregulla”, drejtuesit e Policisë së qarkut kanë urdhëruar të mos trazojnë familjen Kurti në këtë ditë të dhimbshme. Gjatë ditës së djeshme kanë qenë të shumtë pjesëmarrësit në ceremoninë mortore të Malvin e Nexhmie Kurtit në fshatin e largët. Kanë shkuar për të ngushëlluar, por në fakt nuk kanë gjetur fjalë për t’u lehtësuar dhimbjen dy pjesëtarëve të tjerë të familjes, babait dhe vëllait të vogël. Arif Kurti kurrë në jetën e tij 50-vjeçare nuk ka pasur kaq shumë njerëz në oborrin e shtëpisë së tij, ndërkaq nuk ka munguar mbështetja dhe fjalët e ngrohta nga bashkëfshatarët, miqtë, drejtuesit e pushtetit lokal etj. Për këtë arsye, dje nuk ka pasur hetime në terren, në vendin e ngjarjes, por ekspertët e ardhur nga Tirana vazhdojnë të kryejnë ekspertizën e materialeve të mbledhura në shtëpinë e Arif Kurtit. Një zyrtar i lartë i Policisë së Qarkut Dibër tha për “Panorama” se dyshimet kryesore në lidhje me lëndën shpërthyese kanë të bëjnë me përgatitjen e një granate artizanale, me përzierës të ndryshëm, mes tyre dhe pjesë metalike. “Një gjë mbetet për t’u zbardhur, nëse kemi të bëjmë me një granatë artizanale apo një granatë të vjetër, të gjetur nga pjesëtarët e familjes Kurti. Dyshimet kryesore hidhen për një granatë artizanale, por nuk dihet nëse është gjetur rastësisht, apo është përgatitur nga vetë familjarët”, sqaroi burimi zyrtar. “Përcaktimi i llojit të lëndës shpërthyese do të realizohet nga ekspertët e ardhur nga Tirana. Ne nuk kemi mjetet e nevojshme për përcaktimin e saj. Nuk mund të themi përfundimisht se ç’lloj lënde ishte ajo që shkaktoi dy viktima. Ekspertët kanë marrë prova të shumta materiale dhe të gjitha gjasat janë se kemi të bëjmë me një shpërthim aksidental. A kemi të bëjmë më një granatë artizanale apo të gjetur diku, kjo mbetet të përcaktohet pas kryerjes së analizave laboratorike”, tha drejtori i Policisë për Qarkun e Dibrës, Artan Hasanaj. Shpërthimi fatal ndodhi rreth orës 05:30 të së mërkurës, kur djali i madh i familjes, hapi sirtarin ku ndodhej lënda plasëse. Kjo i shkaktoi atij gjymtimin e më pas vdekjen, ndërsa motra humbi jetën në vend, si pasojë e plagëve të marra në kokë.
Nena e viktimave, jashte rrezikut per jeten
Pas kësaj ngjarjeje tragjike vjen një lajm i mirë për shëndetin e nënës së dy fëmijëve që humbën jetën tragjikisht. Arif dhe Dorian Kurti janë njoftuar me telefon se Violeta është jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht se ajo po vazhdon të jetë nën kontrollin intensiv mjekësor për shkak të plagëve të shumta të marra. E zonja e shtëpisë është gjetur nga i shoqi, në tentativë për të dalë nga dhoma, e gjakosur. Sipas burrit të saj, e shoqja nuk e ka mësuar fatin tragjik të dy fëmijëve dhe faktin se ata nuk jetojnë më.
PESHKOPI/ HASAN PASHA
© Panorama.al











