
GRAMSH – Përmbyset makina me lëndë drusore, vdes 19-vjeçari. Burime nga Njësia Rajonale e Qarkullimit Rrugor në qarkun e Elbasanit bënë të ditur se aksidenti, që shënoi dhe dy të plagosur, ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Gramsh-Holtë, në afërsi të fshatit Cerunjë, 8 km larg qytetit. Sipas policisë, një kamion me targa EL 25 28 B, ngarkuar me lëndë drusore, që drejtohej nga shtetasi Elson Rrodhe, dyshohet se ka humbur drejtimin në një kthesë të fortë dhe më pas është përmbysur dhe rrokullisur disa metra poshtë rrugës. Bashkë me drejtuesin në makinë ndodheshin edhe dy punëtorë ngarkimi të lëndës drusore të firmës “Colaj sh.p.k”. Zëdhënësja e policisë së Elbasanit, Valbona Begu, konfirmoi se në kabinën e kamionit ndodheshin shtetasit Ilir Boçi 21 vjeç, nga fshati Gostimë i Elbasanit dhe Emiliano Idrizi, 19 vjeç me banim në Peqin, i cili humbi jetën. Policia ka filluar hetimet për zbardhjen e shkaqeve që sollën këtë aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e dy të tjerëve. Ndaj drejtuesit të mjetit të aksidentit është marrë masa e ndalimit për shkelje të rregullave të qarkullimit. Një tjetër aksident ndodhi dje në një nga rrugët dalëse të qytetit të Fierit. Lirika Gjini, 65 vjeçe, po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është përplasur nga një veturë. Drejtuesi i saj e ka transportuar gruan në spital, ku ndodhet nën terapinë intensive. Sipas mjekëve, Gjini ka fraktura të shumta, jo vetëm nga goditja e mjetit, por dhe përplasja e fortë në asfalt. m.s/m.r











